Kërko

Juliana e Norwich Juliana e Norwich

Papa, Juliana e Norwich-it: model vëllazërimi për kohët e sotme

Papa Françesku u dërgon një mesazh shtegtarëve katolikë dhe anglikanë, që përkujtojnë 650-vjetorin e Dukjeve të Krishtit, përjetuar nga Juliana e Norwich-it

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku u dërgoi të premten një mesazh shtegtarëve nga e gjithë bota, të cilët, gjatë gjithë këtij viti, vijojnë të mblidhen në katedralet katolike dhe anglikane të qytetit anglez Norwich, për 650-vjetorin e Dukjeve, ose të Zbulesave të Mundimeve të Krishtit, përjetuar nga Juliana e Norwich-it.

Papa i siguron shtegtarët për afërsinë e tij shpirtërore, sidomos me ata që marrin pjesë në kremtimet e ndryshme ekumenike. Juliana e Norwich-it jetoi në Mesjetë. U shërua nga një sëmundje e rëndë pas një sërë vizionesh, ose Dukjesh të Mundimeve të Krishtit, në vitin 1373. Shkrimet e saj mbi këtë temë, të njohura si Zbulesat e Dashurisë Hyjnore, mendohet të jenë veprat më të hershme, të shkruara nga një grua në gjuhën angleze.

Rëndësia e mistikes angleze

Në mesazhin e tij, Papa Françesku nënvizon “rëndësinë e kësaj mistikeje angleze për traditën e krishterë, që na flet, duke përshkuar shekujt dhe që njihet e kremtohet gjithnjë e më shumë”. Vërtet, shton ai, “ndikimi i saj amnor, anonimiteti i përvuajtur dhe njohuritë e thella teologjike janë kujtesë në kohë se besimi në Provaninë e Dashurisë së Zotit dhe shenjtëria e jetës, të shprehura përmes shërbimit bujar për vëllezërit dhe motrat në nevojë, janë të vërteta të përjetshme, që mbështesin jo vetëm apostullimin e krishterë, por edhe strukturën e një shoqërie të drejtë e vëllazërore”.

Papa Françesku thekson më tej bujarinë e Nënë Julianës, siç e quajtën, me ata që i kërkonin këshilla dhe inkurajim shpirtëror. Ati i Shenjtë shpjegon se "ky vullnet për të flijuar rehatinë personale në favor të të tjerëve është veçanërisht i nevojshëm për t'iu përgjigjur problemeve endemike të izolimit dhe vetmisë, që ndihen nga shumë vetë në vendet materialisht më të pasura të botës".

Rëndësia e Nënë Julianës sot

Në përfundim të letrës, Papa vë në dukje se mesazhi i Nënë Julianës për mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit vazhdon të jetë jetik për botën e sotme. Në Zbulesat e saj për Dashurinë Hyjnore, mësojmë se ajo ishte e sigurt se Hiri i Tënzot e gjen gjithnjë rrugën e së mirës për secilin, pavarësisht nga prania e së keqes në mesin e njerëzve. “Lutem – shkruan Françesku, para se t’u japë shtegtarëve bekimin e tij apostolik - që të gjithë ata, të cilët përballen me sfidat e mëdha të luftës, padrejtësisë, katastrofave ekologjike, ose varfërisë shpirtërore, të ngushëllohen dhe të përforcohen nga këto fjalë urtie, që i qëndrojnë kohës”.

16 maj 2023, 13:01