Kërko

Papa, jezuitëve hungarezë: kthimi mbrapa në Kishë, sëmundje e nostalgjikëve

Rëndësia e dëshmisë, dhurata e dhembshurisë, dialogu ndërmjet brezave. Këto janë disa nga temat e reflektimit të Françeskut, në fund të muajit të kaluar, në Budapest, gjatë takimit me sivëllezërit hungarezë të Shoqërisë së Jezusit, gjatë udhëtimit të tij të 41-të apostolik. Intervista e plotë publikohet në faqen e internetit të revistës “La Civiltà Cattolica”

R.SH. – Vatikan

 “Me të rinjtë duhet të flisni si me të rritur, jo si me fëmijë”, sepse ata kanë nevojë për “dëshmi dhe vërtetësi”. Edhe në Kishë, duhet t’i kundërvihemi "prapambetjes, reagimit kundër modernes", që është thjesht "sëmundje nostalgjike". Këto janë disa nga reflektimet e Papës Françesku, gjatë takimit privat me jezuitët e Hungarisë, i cili u mbajt në nunciaturën e Budapestit, të shtunën më 29 prill, një ditë pas mbërritjes së Atit të Shenjtë në kryeqytetin magjar. Biseda e Ipeshkvit të Romës me jezuitët botohet në një artikull të revistës “La Civiltà Cattolica”, nënshkruar nga drejtori i saj, Át Antonio Spadaro.

Koherenca e jetës

Françesku iu përgjigj shtatë pyetjeve të bëra nga disa prej 32 jezuitëve të pranishëm. Ndërmjet tyre, edhe provinciali, Át Attila Andras. Pyetja e parë kishte të bënte me të rinjtë, veçanërisht me kujdesin baritor, që u kushtohet atyre dhe me qëndrimin që duhet mbajtur me ta. Papa sugjeroi një fjalë, "dëshminë", që "do të thotë koherencë në jetë", përndryshe "përfundojmë - vërejti ai - si ajo kënga e Minës [këngëtare e famshme italiane], fjalë, fjalë, fjalë", por "pa dëshmi nuk bëhet asgjë". Dëshmia pra, do të thotë "koherencë, sepse të rinjtë nuk e tolerojnë gjuhën e dyfishtë" dhe "me të rinjtë, gjatë formimit, duhet folur si me të rriturit, siç u flitet burrave, jo fëmijëve". Më pas, Papa nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve, sepse "profecia e një të riu është ajo, që lind nga marrëdhëniet e dhembshura me të moshuarit".

Udhëtimi në Hungari

Një nga meshtarët jezuitë e pyeti Françeskun se çfarë e shtyu të kthehej në Budapest. “Arsyeja - ishte përgjigja - qëndron në faktin se herën e parë më duhej të shkoja në Sllovaki, por Kongresi Eukaristik ishte në Budapest. Kështu që erdha këtu për disa orë. Por unë premtova se do të kthehesha dhe u ktheva”. Duke folur sërish për të rinjtë, vëmendja u përqendrua në dy fjalë: vërtetësia dhe dhembshuria. Kjo e fundit "është një nga fjalët kyçe të Zotit: afërsi, dhembshuri dhe butësi. Ky është stili i Zotit”. Pastaj, lërini të rinjve lirinë për të qenë të vërtetë, “për të thënë çfarë ndjejnë”, kërkoi Papa.

Abuzimet dhe dënimet

Më pas, Papa u pyet si është e mundur t’i duam si vëllezër edhe ata, që kanë kryer abuzime seksuale, duke u dhënë dhembshurinë e kërkuar nga Ungjilli madje atyre, që janë dënuar. “Nuk është aspak e lehtë, pyetja juaj është shumë e fortë”, u përgjigj Françesku, duke shpjeguar se “duhet dënuar abuzuesi, por si vëlla”. Në këtë vazhdë, "dënimi i tij duhet kuptuar si akt bamirësie", sepse "ka një logjikë, një mënyrë për ta dashur armikun, që shprehet edhe kështu", megjithëse nuk është "e lehtë për t'u kuptuar dhe për t'u jetuar”. “Edhe ata - vazhdoi ai - janë bijtë e Zotit. Duhet një baritori edhe për ta. Meritojnë të dënohen, por edhe të kujdesemi për ta nga pikpamja baritore”.

Historia dramatike e Át Jálics

Papës iu kërkua të fliste për marrëdhëniet e tij me Át Ferenc Jálics, jezuitin që në vitin 1976, në Argjentinë, u mbyll në birucat e ESMA-s, një nga qendrat kryesore të burgosjes, torturës dhe shfarosjes së diktaturës argjentinase. Regjimi ushtarak u përpoq ta përfshinte në këtë çështje edhe provincialin e atëhershëm Át Bergoglio, i cili, përkundrazi, bëri të pamundurën për ta shpëtuar meshtarin. "Jálics erdhi menjëherë tek unë dhe biseduam", tregoi Papa, duke kujtuar lirimin e sivëllait, pasi kishte pësuar "kërcënime dhe tortura". “E këshillova të shkonte tek e ëma në SHBA. Situata ishte shumë konfuze dhe e pasigurt. Pastaj - vazhdoi Ati i Shenjtë - doli legjenda se paskësha qenë unë ai, që i dorëzova për t'i burgosur. Ta dini se një muaj më parë Konferenca Ipeshkvnore e Argjentinës botoi dy vëllime nga tre të planifikuara, me të gjitha dokumentet për çka ndodhi ndërmjet Kishës dhe ushtrisë. Aty gjeni gjithçka”. Françesku kujtoi edhe jezuitin tjetër të arrestuar, Orlando Yorio. “Dua të shtoj se kur Jálics dhe Yorio u kapën nga ushtria, gjendja në Argjentinë ishte konfuze dhe nuk ishte aspak e qartë se çfarë duhej bërë. Bëra atë, që ndieva se duhej bërë për t'i mbrojtur. Ka qenë histori shumë e dhimbshme”.

Rreziku i kthimit mbrapa

Së fundi, u bë një pyetje për Koncilin II të Vatikanit, në veçanti, si ta dëgjojmë zërin e Zotit në kohën tonë. “Koncili ende po vihet në jetë – pohoi Françesku – e di se kundërshtimet janë të mëdha. Ka një restauracionizëm të jashtëzakonshëm”. Që këtej, ftesa për të mos i pasur frikë ndryshimet. Sot “rreziku është prapambetja, reagimi kundër modernes” dhe kjo është “sëmundje nostalgjike”. "Kjo është arsyeja - shpjegoi Papa - pse kam vendosur që tani është e detyrueshme të merret leja për të kremtuar meshën sipas Mesharit Romak të vitit 1962 për të gjithë priftërinjtë e saposhuguruar. Pas të gjitha konsultimeve të nevojshme, vendosa kështu, sepse pashë që ajo masë baritore e bërë mirë nga Gjon Pali II dhe nga Benedikti XVI u përdor në mënyrë ideologjike, për t'u kthyer pas”.

09 maj 2023, 16:41