Kërko

2023.05.16 libro di Giraud e Petrini con la prefazione del Papa (Slow Food Edition e LEV) 2023.05.16 libro di Giraud e Petrini con la prefazione del Papa (Slow Food Edition e LEV)

Papa: të ndryshohen marrëdhëniet me burimet e Tokës, nuk janë të pashterrshme!

Papa: Petrini e Giraud, njëri aktivist, tjetri profesor ekonomie, gjejnë në brezat e rinj arsye besimi dhe shprese. Ne të rriturit ankohemi për të rinjtë. E përsërisim se kohët e "kaluara" ishin më të mira dhe se ata që vijnë pas nesh, po shpërdorojnë fitoret tona. Në vend të kësaj, duhet të pranojmë se janë të rinjtë ata që mishërojnë ndryshimin, për të cilin ne të gjithë kemi objektivisht nevojë. Leximi i këtij teksti më zgjoi "shijen" e vërtetë të së bukurës dhe së mirës

R. SH. / Vatikan

Parathënia e Papës për librin e Gaël Giraud dhe Carlo Petrini me titull “Shija e ndryshimit. Tranzicioni ekologjik si udhë drejt lumturisë” (Slow Food Editore dhe Libreria Editrice Vaticana), në librari nga 17 maji. Vëllimi do të paraqitet në Panairin e Librit të Torinos, më 19 maj.

E mira, që duket edhe e bukur, e ka me vete arsyen pse duhet bërë. E ky është mendimi i parë që më erdhi në mendje pas leximit të këtij dialogu të bukur ndërmjet Carlo Petrinit, të cilin e njoh dhe e respektoj prej vitesh, një gastronom dhe aktivist i njohur në mbarë botën, dhe Gaël Giraud,  ekonomist jezuit, të cilit kohët e fundit ia vlerësova kontributet e ndryshme që u dukën në La Civiltà Cattolica, ku ai shkruan artikuj cilësorë kushtuar ekonomisë, financave dhe ndryshimeve klimatike.

Pse kjo lidhje? Sepse leximi i këtij teksti më zgjoi "shijen" e vërtetë të së bukurës dhe së mirës, ​​pra,  shijen e shpresës, të vërtetësisë, të së ardhmes. Ajo që dy autorët çojnë përpara në këtë shkëmbim, është një lloj "rrëfimi kritik" në lidhje me situatën globale: nga njëra anë zhvillojnë një analizë të arsyetuar dhe të rreptë të modelit ekonomiko-ushqimor në të cilin jemi zhytur, sipas përkufizimit të famshëm të një shkrimtari, "ai di çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje"; e, nga ana tjetër, ofrojnë disa shembuj konstruktivë, përvoja të krijuara, ngjarje të veçanta të kujdesit për të mirën e përbashkët dhe të mirat e përbashkëta, që e ndihmojnë lexuesin ta shikojë me sy të mirë dhe me besim kohën tonë. Ndërsa kritikojnë çka është e gabuar, tregojnë histori situatash pozitive: njëra me tjetrën, jo njëra pa tjetrën.

Më pëlqen të theksoj një fakt domethënës: faktin se në këto faqe Petrini dhe Giraud, njëri aktivist shtatëdhjetë vjeçar, tjetri profesor ekonomie pesëdhjetë vjeçar, ose më mirë dy të rritur, gjejnë në brezat e rinj arsye  besimi dhe shprese. Zakonisht ne të rriturit ankohemi për të rinjtë. E nuk përtojmë të përsërisim se kohët e "kaluara" ishin sigurisht më të mira se e tashmja e trazuar dhe se ata që vijnë pas nesh, po shpërdorojnë fitoret tona. Ndërsa në vend të kësaj, duhet të pranojmë sinqerisht se janë të rinjtë ata që mishërojnë personalisht ndryshimin, për të cilin ne të gjithë kemi objektivisht nevojë. Janë ata që, në vende të ndryshme të botës, kërkojnë nga ne të ndryshojmë. Të ndryshojmë stilin e jetesës, kaq grabitqare ndaj mjedisit. Të ndryshojmë marrëdhëniet tona me burimet e Tokës, të cilat nuk janë të pafundme. Të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj tyre, breznive të reja, të cilave po ua grabisim të ardhmen. Dhe jo vetëm që po na e kërkojnë, por edhe po e bëjnë: dalin ndër sheshe, duke treguar haptazi se janë kundër sistemit ekonomik, të padrejtë ndaj të varfërve dhe armik i mjedisit, e duke kërkuar rrugë të reja. E po e bëjnë këtë duke filluar nga kërkesat e përditshme: nga ushqimi, transporti, konsumi.

Të rinjtë po na edukojnë për këtë! Ata zgjedhin të konsumojnë më pak dhe t’i jetojnë më shumë marrëdhëniet ndërpersonale; blejnë sende të prodhuara sipas rregullave të rrepta të respektit ambiental e shoqëror; veprojnë me imagjinatë në përdorimin e mjeteve të transportit kolektiv ose më pak ndotës. Për mua pamja e këtyre sjelljeve, që po përhapen deri në atë pikë, sa të bëhen praktikë e zakonshme, është burim ngushëllimi dhe besimi. Petrini dhe Giraud i kujtojnë shpesh lëvizjet rinore të cilat, në vise të ndryshme të botës, çojnë përpara kërkesat e drejtësisë klimatike dhe drejtësisë sociale: aspekte, që shkojnë gjithmonë së bashku.

Dy autorët tregojnë rrugë operative për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kritikojnë konceptin bazë të mirëqenies, i cili sot është më i përhapuri. Atë koncept, sipas të cilit Pil (prodhimi i brendshëm brut) është idhull e për të cilin duhet flijuar çdo aspekt i jetës së përbashkët: respektimi i mjedisit, respektimi i të drejtave, respektimi i dinjitetit njerëzor. Më bëri shumë përshtypje që Gaël Giraud ka rindërtuar mënyrën në të cilën Pil është vendosur historikisht si parametri i vetëm për të gjykuar shëndetin e ekonomisë së një kombi. Ai pohon se kjo ka ndodhur në kohën e nazistëve dhe se pika e referencës përfaqësohej nga industria e armëve: mund të themi se Pil ka zanafillë “lufte”. Aq sa për të nuk llogaritet asnjëherë puna e amvisave, thjesht sepse angazhimi i tyre nuk i shërben luftës. Një tjetër dëshmi, që tregon sa urgjente është ta heqësh qafe këtë perspektivë ekonomike, e cila duket se përçmon anën njerëzore të ekonomisë, duke e sakrifikuar në altarin e fitimit, parë si matës absolut.

Natyra e këtij libri është dyfish interesante. Së pari, sepse zhvillohet në formë dialogu. Ky është fakt që mendoj se duhet nënvizuar. Është ballafaqimi ai, që na pasuron, jo këmbëngulja në pozitat tona. E është biseda, që bëhet mundësi për rritje, jo fundamentalizmi, i cili e bllokon rrugën drejt risisë. Është debati çasti në të cilin piqemi, jo siguria hermetike se kemi gjithmonë “të drejtë”. Madje, e sidomos, kur flasim për kërkimin e së vërtetës. I lumi Pierre Claverie, ipeshkëv martir i Oranit, pohonte: "E vërteta nuk zotërohet, e unë kam nevojë për të vërtetën e të tjerëve". Më lejoni të shtoj: i krishteri e di se nuk e pushton të vërtetën, por se është ai që “pushtohet” nga e Vërteta e që është vetë Krishti. Prandaj besoj fort se praktika e dialogut, e ballafaqimit dhe e takimit është sot gjëja më urgjente që duhet të mësojnë brezat e rinj, duke nisur nga fëmijët, për të mos favorizuar krijimin e personaliteteve të dyfishta, të mbylluar në ngushtësinë e bindjeve të tyre.

Së dyti, dy bashkëbiseduesit - të nxitur me mençuri nga redaktori – përfaqësojnë këndvështrime dhe origjinë kulturore të ndryshme: Carlin Petrini, me të cilin kam pasur tashmë gëzimin të bashkëbisedoj për një tekst tjetër, e mban veten agnostik; e Gaël Giraud është jezuit. Por ky fakt objektiv nuk i pengon ata të zhvillojnë një bisedë intensive dhe konstruktive, që bëhet manifest i një ardhmërije të besueshme për shoqërinë tonë dhe për vetë planetin tonë, aq të kërcënuar nga pasojat ogurzeza të prirjeve shkatërruese, kolonialiste dhe sunduese të krijimit.

Një besimtar dhe një agnostik flasin dhe takohen, ndonëse duke u nisur nga pozicione të ndryshme, për aspekte të ndryshme që shoqëria jonë duhet t'i bëjë të vetat, nëse dëshiron që e ardhmja e botës të jetë ende e mundur: më duket diçka e bukur! Dhe është akoma më shumë sepse, nga shpalosja e ideve të dy bashkëbiseduesve, del qartë bindja për vlerën vendimtare të fjalës së vetme të Jezusit, që nuk e lexojmë në Ungjijtë, por në Veprat e Apostujve: "Është më shumë gëzim kur jep, sesa kur merr". Po, sepse kur të dy bashkëbiseduesit e gjejnë në konsumin e tepruar dhe në shpërdorimin e ngritur në sistem, të keqen e kohës së tyre, ndërsa në altruizëm dhe vëllazëri gjejnë kushtet e vërteta për të jetuar së bashku një jetë të gjatë e paqësore, ata dëshmojnë se perspektiva e Jezusit është frytdhënëse: një vend ku mund ta jetojnë qetësisht jetën të gjithë burrat dhe gratë. Ata që kanë horizont besimi, e ata që nuk e kanë. Vëllazëria njerëzore dhe miqësia shoqërore, përmasa antropologjike të cilave u kushtova enciklikën e fundit Fratelli tutti, duhet të bëhen gjithnjë e më shumë baza konkrete dhe funksionale e marrëdhënieve tona, në nivel personal, komunitar dhe politik.

Horizonti i shqetësimit mbi të cilin Petrini dhe Giraud përqendrojnë vëmendjen e tyre, është situata ambientale vërtet kritike në të cilën gjendemi, bijë e asaj "ekonomie që vret" dhe që shkakton britmën e vuajtjes së tokës dhe britmën e ankthshme të të varfërve.

Përballë lajmeve që na vijnë çdo ditë - thatësira, fatkeqësitë natyrore, migrimet e detyruara për shkak të klimës - nuk mund të qëndrojmë indiferentë: do të ishim bashkëpunëtorë në shkatërrimin e bukurisë që Zoti deshi të na e dhuronte në krijimin, që na rrethon. Aq më tepër që në këtë mënyrë humbet ajo dhuratë “shumë e mirë” që Krijuesi farkëtoi me ujë e  me pluhur: burrë e grua. Duhet pranuar: zhvillimi i pamatur ekonomik, para të cilit përkulemi, po shkakton çekuilibrime klimatike, që po rëndojnë mbi supet e më të varfërve, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane. Si mund t'ua mbyllim dyert atyre që ikin dhe do të ikin, nga situata të paqëndrueshme ambientale, pasoja të drejtpërdrejta të konsumizmit tonë të papërmbajtur?

Besoj se ky libër është dhuratë e çmuar, sepse na tregon rrugën dhe mundësinë konkrete, që duhen përshkuar në nivel individual, komunitar dhe institucional: tranzicioni ekologjik mund të përfaqësojë fushën, në të cilën të gjithë, si vëllezër e motra, kujdesen për shtëpinë e përbashkët, e mund të vëmë bast për faktin se duke konsumuar më pak gjëra dhe duke jetuar më shumë marrëdhënie personale, do ta kapërcejmë pragun e portës së lumturisë sonë.

 

Qyteti i Vatikanit, 11 prill 2023

17 maj 2023, 15:46