Kërko

Papa Françesku takon emigrantët në Lampeduzë (Itali), në vitin 2013 Papa Françesku takon emigrantët në Lampeduzë (Itali), në vitin 2013

Papa: emigrimi të jetë vendim vërtet i lirë, jo pasojë konfliktesh e problemesh

Të shoqërohen dhe të administrohen sa më mirë flukset e emigracionit, duke ndërtuar ura dhe jo mure, duke zgjeruar mundësitë për një emigracion të sigurt dhe të rregullt. Thirrja e Papës në mesazhin për Ditën e Emigrantëve dhe të Refugjatëve: t'u garantohet të gjithëve e drejta për të mos emigruar. Kudo, të ketë një bashkësi mikpritëse, që nuk lë askënd jashtë. Dita do të kremtohet të dielën, më 24 shtator 2023

R.SH. – Vatikan

Impenjim i të gjithëve, secili sipas përgjegjësive, për ta bërë migrimin vendim vërtet të lirë, që mund ta marrë çdo njeri. Këtë shpreson Papa Françesku në mesazhin me rastin e Ditës së 109-të Botërore të Emigrantëve dhe të Refugjatëve, me temë "Të lirë për të zgjedhur emigrimin, ose qëndrimin në atdhe”.

Ati i Shenjtë i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’u garantojë të gjithëve pjesëmarrjen në pasurinë e përbashkët, respektimin e të drejtave themelore dhe zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. “Vetëm duke ecur së bashku do të jemi në gjendje të shkojmë larg dhe të arrijmë horizontin e përbashkët të udhëtimit tonë”.

E drejta për të mos emigruar

U duhet siguruar të gjithëve, vazhdon Papa, “një e drejtë ende e pakodifikuar, por me rëndësi themelore”: ajo “për të mos emigruar, pra, mundësia për të jetuar në paqe dhe me dinjitet në atdhe”. “Pasuritë botërore – vëren ai – nuk janë pa fund, zhvillimi i vendeve ekonomikisht më të varfra varet nga aftësia e të gjitha shteteve për t’i ndarë këto pasuri me njëri-tjetrin”. Në shumë raste, emigracioni nuk është zgjedhje e lirë e njerëzve, të cilët detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre, për shkak të “konflikteve, fatkeqësive natyrore, pamundësisë për të jetuar mirë në vendin e tyre”, por edhe për shkak të persekutimeve, pasojave të ndryshimeve klimatike e mjerimit. Për t’i eliminuar këto arsye, nënvizon Françesku, duhet ndalur “gara e armatimeve, kolonializmi ekonomik, vjedhja e pasurive të të tjerëve, shkatërrimi i shtëpisë sonë të përbashkët”.

Sfida e vendeve të origjinës

Papa u bën thirrje vendeve të origjinës së emigrantëve dhe qeveritarëve të tyre të jenë të përgjegjshëm, të zbatojnë politikën e mirë, transparente, të ndershme, largpamëse dhe në shërbim të të gjithëve, veçanërisht të më të ligshtëve. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë kërkon që këtyre vendeve t’u jepet mundësia për këtë, “pa u grabitur burimet natyrore dhe njerëzore dhe pa u ndërhyrë nga jashtë”, duke favorizuar interesat e pjesshme të grupeve të caktuara. Emigrantët nuk duhet të bien viktima të iluzioneve të rrezikshme, ose të trafikantëve të paskrupullt. Për këtë arsye, flukset e tyre duhen shoqëruar dhe administruar, duke hapur kanale për emigracionin e sigurt dhe të rregullt.

Pa lënë jashtë askënd

Emigranti, vëren Françesku, nuk është thjesht një vëlla, ose një motër në vështirësi, është “Krishti, që na troket në derë” e na kërkon të hajë, të pijë, të mirëpritet, siç thuhet në kreun 25 të Ungjillit sipas Mateut. Prej këtej, rrjedh respekti për dinjitetin e çdo migranti dhe nevoja që kudo ku ka të krishterë, “të ketë gjithnjë një bashkësi gati për t’i pritur, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar e për t’i integruar të gjithë, pa lënë askënd jashtë”. Mesazhi i Papës përfundon me një lutje:

“O Zot, Atë i Gjithëpushtetshëm, na jep hirin të punojmë me impenjim në favor të drejtësisë, solidaritetit dhe paqes, që të gjithë bijve të Tu t'u garantohet liria për të zgjedhur nëse duan të migrojnë apo të qëndrojnë në atdhe. Na jep guximin t’i denoncojmë të gjitha tmerret e botës, të luftojmë kundër çdo padrejtësie, që e shpërfytyron bukurinë e krijesave të Tua dhe harmoninë e shtëpisë sonë të përbashkët. Na mbaj me forcën e Shpirtit tënd të Shenjtë, që të dëshmojmë dhembshurinë Tënde për çdo migrant, të cilin Ti e vendos në rrugën tonë, si edhe të përhapim kulturën e takimit dhe të kujdesit në zemra e në çdo ambient”.

11 maj 2023, 11:56