Kërko

Takimi i Papës me të krezmuarit Takimi i Papës me të krezmuarit  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa, të sapokrezmuarve: djalli është i lumtur kur e shpërrallojmë tjetrin

Françesku u takua, në Sheshin e Shën Martës në Vatikan, me një grup të rinjsh të kryeipeshkvnisë së Gjenovës, të krezmuar a në prag të krezmimit. "Kush merret me thashetheme, e humbet dinjitetin" – u kujtoi - Të merresh me thashetheme, do të thotë t’i ndotësh të tjerët!

R. SH. - Vatikan

Janë më shumë se 900, të rinjtë që marrin pjesë sivjet në shtegtimin tradicional në Romë, organizuar nga Kisha e Gjenovës. Të krezmuar  a në prag të krezmimit, të shoqëruar nga Imzot Marco Tasca, Kryeipeshkëv i mbi 70 famullive të dioqezës Liguriane. Takimi më i shumëpritur ishte ai me Papën, brenda mureve të Vatikanit. Françesku, pasi shkëmbeu me ta një dialog të këndshëm me pyetje dhe përgjigje, u uroi qëndrim të këndshëm në Romë:

“... T’i njohësh gjërat, të ecësh, të shëtitësh nëpër kopshtije... sa shumë gjëra të bukura. E, mbi të gjitha, jini të bashkuar e mos u grindni me njëri-tjetrin. A e dini kush e shpiku sherrin?”.

Të merresh me thashetheme, do të thotë t’i ndotësh të tjerët

Djemtë u përgjigjën në kor: djalli. “Djalli - vijoi Papa - dëshiron që ne të grindemi. Ne grindemi, e ai kënaqet! Ndërsa duhet të jemi miq dhe të mos merremi me thashetheme”. Pas së parës, Papa bëri një pyetje tjetër: A e dini ç’do të thotë të përgojosh? “Të flasësh keq për të tjerët do të thotë t’i ndotësh” - u përgjigjën të pranishmit menjëherë.

“Të flasësh keq për të tjerët. Thashethemet janë  gjë e keqe, shumë e keqe. Edhe njerëzit që merren me thashetheme e humbasin dinjitetin, sepse merren me ndotjen e të tjerëve. I marrin nëpër gojë. E kjo do të thotë t’i ndotësh të tjerët. Atëhere, çfarë janë thashethemet?”.

Ilaçi për të mos përgojuar

Çfarë do të thotë atëhere të shpifësh? Kësaj pyetjeje fëmijët iu përgjigjen: “ T’i ndotësh të tjerët”. E Papa vijoi: “A është gjë e bukur t’i ndotësh të tjerët?”. Një jo e fortë u përhap sakaq në sallë, pasuar nga këshilla e Papës:

“Eh, o Atë, unë nuk e di si t’ia bëj për të mos shpërralluar sepse më vjen pa dashur në gojë...’! Po unë kam një ilaç shumë të mirë, a e dini? Kafshoje gjuhën! E kështu nuk  do të mund të shpifësh për askënd”.

Pas takimit me Papën Françesku të krezmuarit e kandiatët për Sakramentin shëtiten në Kopshtet e Vatikanit, ku u ndaluan për disa çaste katekizmi.

20 maj 2023, 13:39