Kërko

 Ushtari ukrainas qëllon me një obus D-30 trupat ruse të vijës së parë pranë qytetit Soledar Ushtari ukrainas qëllon me një obus D-30 trupat ruse të vijës së parë pranë qytetit Soledar 

Françesku: dëgjojeni dëshirën e njerëzve, që duan paqen në Ukrainë

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku kujtoi edhe lutjen e Pompeit, nesër, më 8 maj, duke na nxitur të lutemi për t'i kërkuar Zojës së Bekuar dhuratën e paqes. Një mendim edhe për Shoqatën e Meter, me ftesën për t'u qëndruar gjithmonë pranë viktimave sepse aty është Krishti Fëmijë!

R. SH. - Vatikan

Ishin dy, duartrokitjet që u kërkoi besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit Papa Françesku, gjatë kremtimit të Mbretëreshës Qiellore. Një për lumnimet e së shtunës, 7 maj, në Uruguaj e në Spanjë, e një tjetër, për rojet zvicerane, që u betuan dje, në oborrin e Shën Damasit. Por mendimi kryesor shkoi përsëri tek Ukraina e torturuar. Ndaj i kërkoi rishtas Zojës së Bekuar dhuratën e paqes, duke kujtuar edhe se në Pompei nesër, më 8 maj,   Zojës Rruzare do t’i drejtohet lutja e krijuar nga i Lumi Bartolo Longo, në vitin 1883. Do të lexohet në mesditë “në Shenjtëroren - kujtoi Papa - që i Lumi ia kushtoi paqes:

“Në këtë maj ta themi Rruzaren duke i kërkuar Virgjërës Mari dhuratën e paqes, veçanërisht për Ukrainën e stërmunduar. Uroj që udhëheqësit e kombeve t’i dëgjojnë dëshirat e njerëzve, që vuajnë dhe duan paqe!”.

Lutja për Virgjërën dhe Mesha në Shenjtëroren e Pompeit do të kryesohen në mëngjes nga Kardinali Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë. Lutja lexohet dy herë në vit: më 8 maj, ditën kur filloi ndërtimi i bazilikës në vitin 1876 dhe të dielën e parë të tetorit.

Nga ana e viktimave

Paqe, por edhe vëmendje për fëmijët, viktima të dhunës. Françesku, në përshëndetjet e tij, kujtoi Shoqatën Meter dhe themeluesin e saj, Don Fortunato Di Noto, të angazhuar për "parandalimin dhe luftimin e dhunës  kundër të miturve", Shoqatë e cila, këtë të diel, përfundoi nismat e Ditës së 27-të të Fëmijëve Viktima të dhunës, shfrytëzimit, indiferencës kundër pedofilisë,  të nisura më 25 prillin e kaluar:

“Jam pranë jush, vëllezër e motra dhe ju shoqëroj me lutje e përzemërsi: mos u lodhni kurrë së qëndruari përkrah viktimës, aty ju pret Krishti Fëmijë!”. Faleminderit”.

Dy të Lum të rinj

Pastaj Papa kujtoi lumnimin, në Montevideo, Uruguai, të ipeshkvit Jacinto Vera, i cili jetoi në shekullin e 19-të.

Bari, që kujdesej për popullin e tij, e dëshmoi Ungjillin me zell bujar misionar, duke nxitur pajtimin shoqëror në atmosferën e tensionuar të luftës civile - kujtoi Papa - për të përshkruar, më pas edhe figurën e Maria de la Concepción Barrecheguren y García, vdekur në moshën 22-vjeçare, në vitin 1927, e lumnuar në Granada të Spanjës. “E ‘mbërthyer’ në shtrat nga një sëmundje e rëndë - shpjegoi Papa - ajo i mbarti vuajtjet me forcë të madhe shpirtërore, duke ngjallur admirim dhe ngushëllim tek të gjithë”.

Përshëndetjet e Papës

“Një përshëndetje e veçantë - shtoi Françesku - shkon tek gardistët e rinj zviceranë, për familjet dhe miqtë e tyre dhe për autoritetet zvicerane që morën pjesë në festimet e këtij Korpusi të lavdërueshëm”. Përshëndetje, gjithashtu, grupit të pacientëve me fibromialgji të Zonës Mjekësore të Vikariatit të Romës, Familjes Laike Kamiliane, Motrave të Shën Joseph Benedetto Cottolengo-s, Shoqatës Laike të Mëshirës dhe besimtarëve të shumtë ardhur në Vatikan nga të katër anët e Italisë dhe të botës.

07 maj 2023, 13:30