Kërko

Ipeshkvijtë e CELAM-it Ipeshkvijtë e CELAM-it

Papa për CELAM: sinodalitet, shërbim, gjithnjë gati për më të fundmit

Në mesazhin e dërguar nga kardinali Parolin kryetarit të Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe Karaibeve, imzot Miguel Cabrejos, me rastin e Asamblesë së 39-të të Përgjithshme të CELAM-it, që po zhvillohet në Porto Riko, Françesku e fton Kishën e Amerikës Latine të frymëzohet nga Shpirti Shenjt "së bashku me popullin e Zotit"

R.SH. – Vatikan

Lutje që "kjo Asamble të japë fryte të bollshme për Kishën shtegtare në Amerikën Latine dhe Karaibe, që ajo të jetë gjithmonë e gatshme për t'u shërbyer, veçanërisht të varfërve dhe të mënjanuarve, duke e kuptuar frymëzimin që vjen nga Shpirti Shenjt, në sinodalitet me gjithë popullin e Zotit”. Papa Françesku ia drejton atë me gjithë shpirt Hyjit, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, në mesazhin e nënshkruar në emër të tij nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për imzot Miguel Cabrejos, kryeipeshkëv i Trujillo-s dhe kryetar i Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAM), me rastin e Asamblesë së 39-të të Përgjithshme e të Zakonshme, e cila po mbahet në Porto Riko nga data 16 deri më 19 maj. Papa falenderon ipeshkvijtë, anëtarë të kryesisë së CELAM-it, për letrën që i dërguan me rastin e Kuvendit, me të cilën shprehën dashurinë e tyre vëllazërore për të, duke e siguruar se e kujtojnë në lutje. Së fundi, Françesku u jep pjesëmarrësve në Asamblenë e CELAM-it bekimin e tij apostolik, "të cilin e shtrin edhe mbi të gjithë ata, që u janë besuar kujdesit të tyre baritor".

Tema e kuvendit të CELAM-it: “Kolegjialitet kishtar dhe sinodalitet për misionin”

Një mesazh, komenton faqja e internetit e CELAM-it, në përputhje me temën e Asamblesë, e cila ka si moto: "Kolegjialitet kishtar dhe sinodalitet për misionin". Përkon edhe me procesin e promovuar nga CELAM-i vitet e fundit, që synon ta bëjë Kishën e Amerikës Latine dhe të Karaibeve shembull për sinodalitetin me të gjithë popullin e Zotit, siç nënvizon Papa Françesku.

Procesi i rinovimit të CELAM-it filloi në vitin 2019

Fjalët e Papës, sipas ipeshkvijve të kryesisë së CELAM-it, janë pa dyshim nxitje për Kishën e kontinentit, pasi pikërisht gjatë kësaj asambleje përcaktohen udhët për t’u ndjekur në vitet e ardhshme, me synim rinovimin dhe ristrukturimin e vetë CELAM-it, nisur në Asamblenë e 37-të të Përgjithshme, mbajtur në Honduras, në vitin 2019. I gjithë procesi sinodal, që ka filluar më 2021 e do të përfundojë më 2024, shihet si një nga çastet më të rëndësishme edhe për jetën e CELAM-it gjatë viteve të fundit, duke filluar nga Asambleja e parë Kishtare e Amerikës Latine dhe Karaibeve, mbajtur në Meksikë në nëntor 2021, ushtrim praktik për sinodalitetin.

17 maj 2023, 11:10