Kërko

Papa para figures së Zojës Papa para figures së Zojës  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Lutje Marisë, ditën e parë të majit, që i kushtohet!

Po e kujtojmë këtë ditë të parë të Majit të Zojës, me lutjen që Papa Françesku ua drejtoi, nga Sheshi Kossuth i Budapestit, gjithë atyre, të cilët sot gjunjëzohen nëpër botë para elterëve të Saj, për ta nisur plot me shpresa të reja, majin. Majin e trëndafilave. Majin e blerimit, Majin e gjethimeve. Majin që vjen i ngarkuar me jetë! Simbole këto, të gjitha, të Marisë.

R. SH. - Vatikan

Zgjodhëm, pra, për këtë ditë të parë të majit, kushtuar Marisë, lutjen që Papa Françesku ia drejtoi Zojës nga Sheshi Kossuth i Budapestit, për t’u prirë lutjeve tona të majit. Lutje universale, kryesisht për kontinentin evropian, përplot me ndeshje, përçarje, tensione, perspektiva ogurzeza, ardhmëri rrënqethëse, varre…

“O Virgjër e Shenjtë, silli sytë tu kah popujt, që vuajnë më shumë,

shikoji, së pari, me sytë e tu të mëshirëshm, popullin ukrainas,

e popullin rus, që t’u kushtuan.

Ti je Mbretëresha e Paqes!

Nga ky qytet e nga ky vend fisnik,

dëshirojmë  t’ia besojmë zemrës sate fenë, ardhmërinë

e sidomos, paqen e tij e të popujve të tij!

Virgjër Shenjte,

ngjalle në zemrën e breznive të reja

dëshirën për paqe, jo për luftë,

për djepa, jo për varre,

për vëllazërim, jo për mure!

E jepi Evropës forcën për të shuar etjen ndër gurrat Tua,

sipas vullnetit të Krishtit, birit tënd

Bariut të mirë,

që dëshiron ta shikojë të bashkuar gjithë grigjën e Tij

Amen!

01 maj 2023, 13:56