Kërko

Papa me pjesëmarrësit e Kongresit të promovuar nga  "Organizacion de Universidades Catolicas de Latinoamerica y el Caribe" Papa me pjesëmarrësit e Kongresit të promovuar nga "Organizacion de Universidades Catolicas de Latinoamerica y el Caribe"

Françesku: universitetet katolike të formojnë njerëz me frymë misionare

Ati i Shenjtë priti në audiencë Organizatën e Universiteteve Katolike të Amerikës Latine dhe Karaibeve, të cilat përfaqësojnë më se një milion e gjysmë studentë. Të keni, i këshilloi Papa, një "vizion të plotë mbi misterin e Krishtit dhe të botës", me frymë misionare, gati për zbulimin e horizonteve të reja

R.SH. – Vatikan

         70 vjet jetë, 115 universitete, 1.5 milion studentë, më se 110.000 profesorë, më se 5.000 programe akademike: ky është sot realiteti i ODUCAL, Organizatës së Universiteteve Katolike të Amerikës Latine dhe Karaibeve, themeluar në Kili e pritur sot në audiencë nga Papa Françesku.

Jetojini si gëzimet, ashtu edhe dhimbjet

Pasi renditi disa nga sfidat me të cilat përballet rajoni i Amerikës së Jugut, Françesku u përqendrua në kuptimin e mbiemrit "katolik". "Detyra juaj është të ndihmoni në formimin e mendjeve katolike, të afta për të parë jo vetëm objektin e interesit të tyre," u kujtoi ai studiuesve. Vërtet, "një këndvështrim tepër i ngushtë” mund të përjashtojë të tjerët.  Përkundrazi, "të jesh 'katolik' do të thotë të kesh një këndvështrim panoramik të misterit të Krishtit dhe të botës, të misterit të burrit dhe të gruas". Na duhen mendje, zemra, duar, që të punojnë duke pasur parasysh realitetin, pa ideologji, theksoi Papa. Prandaj, studentët dhe pedagogët duhet të përjetojnë si gëzimet, ashtu edhe dhimbjen e punës personale, sepse në secilën prej tyre gjendet lavdia e Zotit.

“Ju jeni burra dhe gra universitare me vizion të gjerë, prandaj bëhuni ‘katolikë’, pa qenë ‘sektarë’, u tha Françesku anëtarëve të ODUCAL. “Katoliciteti i mendjes, zemrës dhe duarve, promovuar nga universitetet dhe nga shoqata juaj, mund të japë një kontribut vendimtar në shërimin e plagëve kaq të dhimbshme, që e fyejnë sot Amerikën tonë të dashur Latine, ku të pasurit pasurohen më shumë dhe të varfërit bëhen më të varfër".

Me mendje të hapur

Ati i Shenjtë i ftoi universitetet e ODUCAL të vazhdojnë të impenjohen në Paktin Global për Edukimin, të cilin ai vetë e pati themeluar, në vitin 2019. Ky pakt, shpjegoi, favorizon veçanërisht përmasën misionare. “Një universitet katolik duhet të jetë misionar, pra me dyert e hapura nga jashtë, sepse misioni është frymëzimi, forca lëvizëse, mundi dhe shpërblimi i gjithë Kishës”. Ai bën të mundur që njerëzit të mësohen për ta kuptuar e për ta pranuar ndryshimin ndërmjet popujve.

“Nëse do të më duhej ta përktheja fjalën 'mision' në botën universitare, do të përdorja fjalën 'punë kërkimore'. Ai që kërkon ka shpirtin dhe zemrën e një misionari”, shtoi Papa. “Misionari e njeh gëzimin e Ungjillit dhe nuk mund të presë që edhe të tjerët ta shijojnë atë”. Prandaj, ai është gati të heqë dorë nga siguritë e tij, pa supozuar se di gjithçka. “Misionari e do reciprocitetin: ai u mëson të tjerëve dhe mëson prej tyre”, vazhdoi Françesku. "Kur punonjësi shkencor, ai që kërkon nuk është gati të dalë dhe të mësojë, heq dorë nga njohuri të mrekullueshme, duke e gjymtuar inteligjencën e tij". Prandaj, Ati i Shenjtë uroi që këto universitete të Amerikës së Jugut të formojnë "njerëz me frymë misionare", duke u bërë qendra kërkimore "të njohura botërore".

04 maj 2023, 13:05