Kërko

Françesku të rinjve: merrni pjesë plot shpresë në DBR-në e Lisbonës

Në një video-mesazh drejtuar të rinjve, që do të marrin pjesë në veprimtarinë e planifikuar më 1 deri më 6 gusht, Papa i inkurajon t’i presin plot shpresë ato ditë, "sepse rritesh shumë në ditë si ato". E në vijim, i porosit të përgatiten mirë e të flasin me të moshuarit, sepse ata do t’u japin mësimin e urtisë!

R.SH. - Vatikan

Tre muaj para Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Lisbonë nga data 1 deri më 6 gusht, arrin një videomesazh i Françeskut për të rinjtë, të cilët do të nisen drejt Portugalisë. Videoja u regjistrua në Shtëpinë e Shën Martës nga Imzot Américo Manuel Alves Aguiar, ipeshkëv-ndihmës i Lisbonës, në audiencë më 27 prillin e kaluar.

Papa i shikon të rinjtë të projektuar drejt këtij takimi “me sytë e ngulur gjithnjë drejt atij horizonti, asaj shprese” e edhe i përfytyron ndërsa përgatiten për shtegtimin rinor, për zgjidhjen e çështjeve logjistike dhe për planifikimin e atyre ditëve, që i presin, larg punëve të tyre të përditshme.

Përgatitje me gëzim, për ngjarjen e madhe

 “Të marrësh pjesë në këtë ditë është gjë e bukur” - pohon Françesku - i cili i fton të rinjtë të përgatiten me gëzim për ngjarjen e madhe.

“Nguleni shpresën atje, nguleni shpresën - përsërit Papa - sepse në një ditë si kjo rritesh. E rritesh shumë”. Nuk kujtohemi menjëherë - shton - por çka jetojmë mbetet në kujtesë, vlerat që gjetëm mbeten në zemra, marrëdhëniet që patëm me të rinj të tjerë nga vendet e tjera, takimet, gjithçka mbetet brenda nesh e, mbi të gjitha, mbetet kujtimi i forcës së të rinjve. Këtë forcë ka Kisha! Forcën e të rinjve. Kështu, shkoni përpara".

Shikoni rrënjët, përpiquni të takoni të moshuarit

Së fundi, Françesku i porosit të rinjtë të përgatiten mirë për Ditën Botërore të Rinisë:

"Shikoni rrënjët, përpiquni të takoni të moshuarit" - i këshillon - Për t’i nxitur ata, që i kanë gjyshërit, të flasin me ta, të kërkojnë këshilla, të mësojnë prej tyre si ta jetojnë këtë takim:

“Ata do t’ju ​​japin urti, e ju do të ecni gjithnjë përpara!” – shton, për t’u kujtuar, më pas, vendin e takimit:

 "Do t’ju pres në Lisbonë. Mirupafshim!".

04 maj 2023, 13:02