Kërko

Papa priti në audiencë anëtarët e Konferencës së Instituteve Misionare në Itali, në 50-vjetorin e themelimit Papa priti në audiencë anëtarët e Konferencës së Instituteve Misionare në Itali, në 50-vjetorin e themelimit

Françesku: misioni i Kishës, as asistencializëm, as biznes

Papa priti në audiencë anëtarët e Konferencës së Instituteve Misionare në Itali, në 50-vjetorin e themelimit: Krishti kumtohet përmes dëshmisë së ndërthurur me lutje, jo me programe biznesi

R.SH. – Vatikan

Njeriu ungjillëzon me jetën e tij, siç dëshmonte Shën Françesku. Pastaj, nëse duhet, edhe flet. Ky është “stili” i apostullit të vërtetë, të cilin Papa e vuri në dukje gjatë takimit me anëtarët e Konferencës së Instituteve Misionare në Itali për 50-vjetorin e themelimit të saj, realitet që promovon misionin “ad gentes”, duke u bërë “zëri i mijëra misionarëve, burra e gra”.

Fillohet nga bamirësia

Misioni, theksoi Françesku, është "oksigjeni i jetës së krishterë", "ai nuk është opcion apo aspekt dytësor, por përmasë jetësore, sepse kjo jetë ka lindur si apostolike dhe misionare, plazmuar nga Shpirti Shenjt si bashkësi “në dalje”. Prandaj është përvojë, që nis nga fibrat më jetësore të korpit e të shpirtit.

“Qoftë ky edhe stili juaj. Ta kumtoni Krishtin sidomos me dëshminë e jetës. Për këtë, ju këshilloj që, para së gjithash, të kultivoni bamirësinë në bashkësitë tuaja, brenda dhe ndërmjet Instituteve tuaja, duke harmonizuar ndryshimet kulturore, moshën, mendësinë, që në bashkim, çdo karizëm të jetë në shërbim të të gjithëve”.

Ç’kemi më të mirë

Misioni buron nga lutja dhe mbruhet me Fjalën e Zotit dhe Sakramentet, pa të cilat thahet jo vetëm jeta e krishterë, por edhe veprimi apostolik, pohoi më tej Papa. Kështu, misioni shndërrohet thjesht, në një përmasë sociologjike, ose asistenciale, por Kishës nuk i intereson të bëjë asistencializëm. Nganjëherë, ky i fundit kthehet në metodë prozelitizmi, ndërsa ndihma e vërtetë e Kishës lind nga dëshmia. Duke përmendur “Evangelii gaudium”, Françesku nënvizoi:

“Misioni nuk është biznes a projekt ndërmarrjeje, as organizatë humanitare a prozelitizëm. Është ‘diçka shumë më e thellë, që nuk matet lehtë’. Kjo është ftesë për t’u përkushtuar, me krijimtari dhe bujari, pa u shkurajuar nëse rezultatet nuk janë ato që priten; për të dhënë më të mirën nga vetja, pa u kursyer, por duke ia besuar gjithçka me besim duarve të Atit Qiellor; për të bërë gjithçka mundemi, por duke e lejuar Zotin t’i bëjë të frytshme përpjekjet tona, ashtu siç do vetë”.

 E kujdesuni me shpirt, përfundoi Papa, për "mikpritjen e të varfërve dhe të të vegjëlve… me frymën e përfshirjes dhe të shërbimit".

11 maj 2023, 16:19