Kërko

Shtegtarët e dioqezës së Astit Shtegtarët e dioqezës së Astit

Françesku: familja, realitet tejet i ndryshuar, por vlerë themelore

Duke pritur 400 shtegtarë nga dioqeza italiane e Astit, shoqëruar nga ipeshkvi Prastaro, i cili erdhi për ta falënderuar për vizitën e tij më 19 dhe 20 nëntorin e kaluar, Papa nënvizoi "revolucionin" e familjes, sjellë nga Krishti, sipas të cilit lidhja më e rëndësishme është dashuria, së bashku me "mirënjohjen, falënderimin dhe shërbimin"

R.SH. – Vatikan

"Revolucioni" i familjes që solli Jezusi, ku lidhja më e rëndësishme "për ne të krishterët nuk është më ajo e gjakut, por dashuria e Krishtit", e çliron vetë familjen "nga dinamika e egoizmit" dhe e pasuron me marrëdhënie, të cilat nuk dominohen nga interesat farefisnore, por “nga mirënjohja, falënderimi dhe shërbimi i ndërsjellë”. Ky ishte reflektimi i Papës Françesku, i cili priti sot në Vatikan 400 shtegtarë nga dioqeza italiane e Astit, shoqëruar nga ipeshkvi i tyre, imzot Marco Prastaro. Ati i Shenjtë kujtoi me ta vizitën, që bëri pikërisht në Asti më 19 e 20 nëntorin e kaluar, si edhe ngrohtësinë familjare, që përjetoi ato ditë.

“Kjo ndjenjë ngrohtësie njerëzore – pohoi Papa - nuk është thjesht emocion: ajo u zgjua brenda meje, duke parë fytyrat tuaja të gëzueshme, duke ndjerë dashurinë tuaj, duke parë se ka një familje që shkon përpara, që ecën në rrugën e Ungjillit, pavarësisht nga kufizimet dhe vështirësitë”.

Familja sipas Krishtit: mirënjohje e shërbim

“Shpresoj t’ju jem përgjigjur të gjitha letrave tuaja”, bëri shaka Françesku me banorët e Astit, që i shkruajnë vazhdimisht. Më pas, u ndal në modelin e familjes, propozuar nga Krishti. Kur ne të krishterët e quajmë njëri-tjetrin "vëllezër dhe motra", kjo "nuk është thjesht një formulë” apo mënyrë e zakonshme të foluri. Është “realitet i ri i krijuar nga Jezu Krishti", theksoi Papa. Fjala e Jezusit "e rinovoi rrënjësisht familjen, prandaj, lidhja më e fortë, më e rëndësishme për ne të krishterët nuk është më ajo e gjakut, por dashuria e Krishtit".

“E kjo familje e re e Jezusit, ndërsa i jep një kuptim të ri marrëdhënieve familjare - ndërmjet bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve, ndërmjet vëllezërve dhe motrave – njëkohësisht, e rrit dhe e shton edhe jetën e bashkësive kishtare dhe civile. Për shembull, bën të rriten shërbimi i painteres, respekti, mikpritja dhe vlerat e tjera njerëzore”.

Klinika “Fratelli tutti”, familje pacientësh e mjekësh

Papa u tha banorëve të Astit se këtu shihet "kuptimi i shprehjes 'Fratelli tutti', që keni zgjedhur si emër për klinikën e re të destinuar për njerëzit më të ligshtë". “Fratelli tutti” do të thotë se aty, “në atë ambient, familja formohet nga njerëzit, për të cilët do të kujdesen së bashku, mjekët, infermierët dhe të gjithë vullnetarët e tjerë. Një familje, që kujdeset për të sëmurët”.

“E kështu, në qytet, në fshatra, në famulli, fjala ‘vëllazërim’ nuk është vetëm një shprehje e bukur, një ideal për ëndërrimtarët, por e ka një themel, Jezu Krishtin, që na ka bërë të gjithëve vëllezër e motra; e ka një rrugë, Ungjillin, pra, rrugën për të ecur në dashuri, në shërbim, në falje, në bartjen e barrëve të njëri-tjetrit”.

05 maj 2023, 13:43