Kërko

Përmbytjet në Ruandë Përmbytjet në Ruandë 

Dhimbja e Papës për viktimat e përmbytjeve në Ruandë

Në një telegram të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin drejtuar nuncit Arnaldo Catalan, në Kigali, Papa lutet për viktimat e shirave të dendura, që dëmtuan rëndë vendin afrikan. 130 të vdekur deri tani, e mijëra shtëpi të shkatërruara.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku  u shpreh afërsinë shpirtërore të gjithë atyre, të cilët po vuajnë pasojat e shirave të dendura, që dëmtuan rëndë provincat perëndimore dhe veriore të Ruandës: 130 të vdekur, 5 mijë shtëpi të shkatërruara.

Lutja e Papës

Në një telegram, në emër të Papës, dërguar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin Imzotit Arnaldo Katalan, nunc apostolik në Kigali, lexojmë: “Françesku mësoi me dhimbje të thellë lajmin për humbjen e jetëve njerëzore dhe shkatërrimin shkaktuar nga përmbytjet e fundit". Papa siguron se lutet "për të vdekurit, të plagosurit dhe të shpërngulurit, si dhe për ata që po japin ndihmesën e tyre në këtë atmosferë vaji e rrënimi". Në shenjë të afërsisë shpirtërore, Ati i Shenjtë i jep, më pas, popullit të Rwandës "bekimin hyjnor të forcës dhe të paqes".

Ndihmat vazhdojnë

Shirat e rrëmbyera e fshikulluan vendin natën  ndërmjet së martës dhe së mërkurës, duke shkaktuar përmbytje dhe shkarje dheu e duke rrënuar ndërtesa e rrugë. Përpjekjet e ndihmës, të përqendruara në gjetjen e të mbijetuarve, varrosjen e viktimave dhe kërkimin e strehimit për ata që humbën shtëpitë e tyre, vazhdojnë edhe në këto orë. 77, deri tani, numri i të plagosurve, gjysma e të cilëve të shtruar menjëherë në spital.

I paqartë, numri i të shpërngulurve

Nuk dihet ende numri i përgjithshëm i njerëzve të shpërngulur. Numrimi vijon - pohon zëdhënësi i qeverisë, Alain Mukuralinda. Veçanërisht i prekur, distrikti Karongi, në perëndim ku, sipas TV publik RBA, më shumë se 370 familje u zhvendosën në strehime të përkohshme, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan. Autoritetet u bëjnë thirrje njerëzve të jenë vigjilentë, veçanërisht gjatë natës dhe të lëvizin në vende më të sigurta, në rast  vazhdimi të reshjeve rrëmbyera.

05 maj 2023, 11:25