Kërko

Në lutje, për "aktet e pakuptimta të dhunës" në Serbi Në lutje, për "aktet e pakuptimta të dhunës" në Serbi  (AFP or licensors)

Dhimbja e Papës për "aktet e pakuptimta të dhunës" në Serbi

Në një telegram, nënshkruar nga kardinali Parolin, drejtuar kryeipeshkvit të Beogradit, Françesku siguron se lutet dhe dërgon ngushëllimet më të ndjera për vrasjen e gjashtëmbëdhjetë vetëve në kryeqytet dhe në një fshat pranë Beogradit. Dy tragjedi, gjatë 48 orëve!

R. SH. Vatikan

Papa shpreh dhimbjen e tij për "aktet e pakuptimta të dhunës" ditët e fundit në Serbi, tronditur thellë nga të shtënat në shkollën fillore Valdislav Ribnikar në Beograd dhe në qytetin e Mlladenovacit, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit, me pasojë 16 të vdekur. Në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, i drejton ngushëllimet më të ndjera Imzot Ladislav Német, kryeipeshkëv i Beogradit dhe kryetar i Konferencës Ndërkombëtare Ipeshkvnore të Shenjtorëve Kirili dhe Metodi.

Lutje dhe ngushëllime

Në tekst, Françesku siguron se lutet e, në vijim, pasi shpreh ngushëllimet për ata që u prekën "nga këto akte të pakuptimta dhune", bashkohet "shpirtërisht me dhimbjen njerëzore të të afërmve, që vajtojnë për vdekjen e viktimave të pafajshme, të cilat ia dorëzon përqafimit plot dashuri të Zotit të Ngjallur”. Pastaj Papa, duke dhënë bekimin apostolik, i lutet “Shpirtit Shenjt t’i ngushëllojë familjet e pikëlluara dhe t’u japë të plagosurve forcë nga feja e tyre”.

Masakra të tjera

Në Beograd, më 3 maj, një djalë 13-vjeçar hapi zjarr në shkollën e tij, duke vrarë tetë nxënës dhe portierin. Të nesërmen, një masakër e re ndodhi në Mlladenovac, në jug të kryeqytetit, ku një 21-vjeçar hapi zjarr nga makina e tij, duke vrarë tetë persona të tjerë.

05 maj 2023, 16:49