Kërko

Anëtarët e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve Anëtarët e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve  (Vatican Media)

Abuzimet, Papa: secili nesh preket nga kjo e keqe, të shërohen jetët e coptuara!

Audiencë me Komisionin Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, në një seancë plenare, në Romë: "Të vihet në vend dëmi shkaktuar brezave që na paraprinë". Miratohet puna e organit drejtuar nga kardinali O'Malley, veçanërisht për pabarazitë në vendet më të varfra ku viktimat "vuajnë në heshtje". Ftesa, pastaj, për të vazhduar e për t’i përmirësuar vijat udhëheqëse dhe sjelljet e klerit. Papa: "Pres një raport vjetor për këtë".

R. SH. - Vatikan

Askush, as ipeshkvijtë, as priftërinjtë, as rregulltarët, as laikët e as vetë Papa, nuk mund të thonë sinqerisht se nuk preken thellësisht nga abuzimi seksual në Kishë. E keqe që ka nevojë për "shëlbim" dhe "rilindje”, veçanërisht për ata që u shembet jeta. Sot Françesku e vuri rishtas theksin mbi plagën më të rëndë të korpit kishtar, atë të abuzimit, me pasojë, "vuajtjet e padurueshme” në kishë dhe në botë e që kërkon vazhdimin e angazhimit për "përmirësimin e udhëzimeve dhe standardeve të sjelljes së klerit dhe të rregulltarëve”, duke kërkuar edhe një raport vjetor për çka funksionon mirë e çka nuk funksionon, “në mënyrë që të bëhen ndryshimet e duhura”.

Në audiencë Papa u shprehu thirrjet dhe kërkesat e tij pjesëmarrësve në asamblenë plenare të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, nisur më 3 majin e kaluar në Pallatin Maffei Marescotti në Romë e që do të përfundojë nesër, të shtunën më 6. Është takimi i parë me Papën që nga koha kur Komisioni "i ri", i udhëhequr që nga themelimi nga kardinali amerikan Sean O'Malley, në shtator 2022 me emërimin e dhjetë anëtarëve dhe pas botimit të Preedicate Evangelium.

Mbrojtja e fëmijëve. O'Malley: Kisha dëshiron të hedhë dritë mbi errësirën e abuzimit

"Farat" e mbjella rreth dhjetë vjet më parë "po mbijnë e po rriten, e shohim të gjithë" - vërejti Papa, duke vlerësuar punën e bërë nga Komisioni, nga i cili ndër vite, madje edhe së fundmi, kanë hequr dorë disa anëtarë. Në veçanti, Françesku kujtoi se “e priti me kënaqësi" marrëveshjen e bashkëpunimit me Dikasterin e Ungjillëzimit, "veçanërisht duke pasur parasysh gamën e gjerë të veprimit të tij në shumë nga vendet më të harruara në botë".  Theksoi edhe se "inkurajohet" nga planet e përgatitura për të përballuar pabarazitë brenda Kishës, lidhur me qëndrimin ndaj viktimave në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Sepse nuk është e drejtë që zonat më të begata të planetit të mund të mbështeten në programe mbrojtëse të mirëformuara dhe të mirëfinancuara,  të cilat i mbrojnë dhe i respektojnë viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ata që jetojnë në pjesë të tjera të botës vuajnë në heshtje, shpesh të refuzuar ose të tallur, kur ankohen për abuzimin e pësuar.

Selia e Shenjtë, një marrëveshje për të forcuar mbrojtjen e të miturve në Kishë

“Abuzimi seksual i klerit ndaj të miturve dhe keqtrajtimi i tij nga drejtuesit e kishës është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Kisha e kohës sonë” - nënvizoi Françesku:

“Shumë prej jush i kanë kushtuar jetën kësaj kauze - u tha Papa anëtarëve të Komisionit, ku përfshihen edhe disa viktima të dhunës.

“Luftërat, uria dhe indiferenca ndaj vuajtjeve të të tjerëve janë realitete të tmerrshme të botës sonë, realitete që  e ngrenë zërin deri në qiell! Deri tek froni i Zotit! Po kriza e abuzimimeve seksuale është veçanërisht serioze për Kishën, sepse minon aftësinë e saj për të përqafuar plotësisht praninë çlirimtare të Zotit dhe për të qenë dëshmitar i Tij”.

Me dhimbje, Papa vërejti se "paaftësia për të vepruar drejt, për ta ndaluar këtë të keqe dhe për t'u ardhur në ndihmë viktimave të saj, ka shpërfytyruar vetë dëshminë tonë për dashurinë e Zotit". Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për gabimet e bëra, por edhe për mëkatet e mosveprimeve:

“Mosbërja e asaj që duhej të kishim bërë, veçanërisht nga ana e prijësve të Kishës, ka shkandulluar shumë njerëz, ndaj vitet e fundit ndërgjegjësimi për këtë problem është përhapur në të gjithë bashkësinë e krishterë”, pranon Françesku. Megjithatë - ripohon - Kisha është përpjekur dhe po përpiqet t'i kundërvihet kësaj të keqeje. “Nuk heshtëm, as nuk ndenjëm duarkryq”, siguron Papa, duke kujtuar edhe rinovimin e fundit të Motu Proprio Vos estis lux mundi, që është bërë “rregull i përhershëm”.

Më pas, pa harruar të theksojë përmirësimet, Françesku vuri theksin edhe mbi prijësit e Kishës, që i nënçmuan, dhe theksoi tre parime. I pari, ai i shpresës. I dyti, fundi i nënçmimit. I treti, përshpirtëria e dëmshpërblimit:

“Edhe drejtuesit e Kishës, të cilët kanë një ndjenjë të përbashkët turpi lidhur me paaftësinë për të vepruar, e zhvlerësuan - kujtoi Françesku – duke e plagosur aftësinë tonë për predikimin e Ungjillit. Por Zoti, që lind gjëra të reja në çdo kohë, mund t'u japë përsëri jetë kockave të thara".

Papa është i sigurt për këtë përtëritje, edhe nëse udhëtimi është "i mundimshëm dhe i lodhshëm".

Prej këndej ftesa:

“Mos u çkurajoni edhe kur duket se pak e gjë po ndryshon për mirë. Qëndroni, e shkoni përpara!”

Ndërkaq për mbrojtjen e të miturve krijohet një komision i zgjeruar, me mandat të zgjeruar. Lind kështu shpresa për rilindjeje. “Jeta që thyhet nuk duhet të mbetet copë-copë”.

Prandaj, vëmendja përqendrohet te viktimat e shumta që “mbeten të zhgënjyera nga fakti se një abuzim i ndodhur shumë vite më parë  krijon ende pengesa dhe përçarje në jetë". Sot.  

Pra, aty ku jeta është thyer Papa u kërkoi të pranishmëve të kontribuojnë konkretisht për të ribashkuar pjesët e saj, me shpresën se ajo që është copëtuar mund të rikompozohet.

Takimi me të mbijetuarit

Françesku u shton këtyre fjalëve edhe përvojën e tij personale, domethënë takimin me një grup të mbijetuarish nga abuzimet, të cilët kërkuan të takoheshin me drejtorët e institutit fetar që drejtonte shkollën e ndjekur rreth 50 vjet më parë. “Ishin të gjithë të moshuar dhe disa prej tyre, të vetëdijshëm për kalimin e shpejtë të kohës, shprehën dëshirën për të jetuar në paqe vitet e fundit të jetës së tyre”. E paqja do të thoshte "rifillimi i marrëdhënieve me Kishën, që i kishte fyer"

Dëme nga e kaluara

Së fundi, Papa, duke cituar poeten dhe aktivisten amerikane Maya Angelou, viktimë e abuzimit dhe varfërisë dhe simbol i të drejtave afrikano-amerikane, këshilloi të "kultivohet respekti dhe mirësia e Zotit": "Tani është koha për të korrigjuar dëmin e bërë brezave që na paraprinë dhe atyre që vazhdojnë të vuajnë”.

Në shërbim të Kishave të veçanta

“Është e rëndësishme që të mos ndalojmë kurrë së ecuri përpara”, këmbënguli Papa Françesku. E, në vijim, i kërkoi Komisionit Papnor të vazhdojë "shërbimin në Kishat e ndryshme të veçanta", që "parimet e respektimit të dinjitetit të të gjithëve, sjelljes së mirë dhe stilit të jetesës së shëndetshme të bëhen normë universale, pavarësisht nga kultura dhe situata, jeta ekonomike dhe sociale e popullit”:

 “Po kultura e mbrojtjes - theksoi në përfundim Françesku - do të lulëzojë, vetëm nëse liderët e saj do të bëjnë kthesë baritore në këtë drejtim”.

05 maj 2023, 14:09