Pashkët në Lindje, dëshira e Françeskut që mizoria e luftërave të pushojë
R. SH. - Vatikan
“Zoti i Ngjallur qoftë me ju dhe ju mbushtë me Shpirtin e tij Shenjt! Gëzuar Pashkët të gjithëve!”
Ky, urimi i shprehur në lutjen e Mbretëreshës Qiellore nga Papa Françesku për besimtarët e Kishave Lindore, që ndjekin kalendarin Julian. Urim me shije të hidhur, duke pasur parasysh konfliktet që ndizen ende në vise të ndryshme të botës, që mbjellin dhimbje e korrin viktima.
Zoti i Ngjallur i ndihmoftë vëllezërit dhe motrat tona në Rusi dhe Ukrainë që të bëjnë paqe
Këto, fjalët e Papës në lutjen Mariane të së Dielës së Mëshirës Hyjnore:
“E, për fat të keq, në kundërshtim të plotë me mesazhin e Pashkëve, luftërat vazhdojnë, e vazhdojnë të mbjellin vdekjen në mënyra të tmerrshme. Na pikëllojnë thellë këto mizori dhe lutemi për viktimat e tyre, duke i kërkuar Zotit që bota të mos e përjetojë më tmerrin e vdekjes së dhunshme nga duart e njeriut, por mahnitjen e jetës, që e jep Ai e që e përtërin me hirin e tij!”.
Papa kujtoi edhe "vëllezërit e motrat, që kremtojnë sot Pashkët në Rusi dhe Ukrainë. “Zoti qoftë pranë tyre dhe i ndihmoftë të bëjnë paqe!".
Në Zaporizhzhia kisha e Shën Mhillit goditet nga një raketë ruse
Festimet e Pashkëve Ortodokse u tronditën nga luftimet në Ukrainë. Këtu gjatë natës ushtria ruse lëshoi raketat S-300, duke shkatërruar kishën ortodokse ukrainase të Shën Mhillit Kryeengjëll, në Kushuhum, në rajonin e Zaporizhzhia-s. Lajmin e dha një korrespondent i Ukrinform. "Natën një raketë ruse goditi kishën e Shën Mhillit Kryeengjëll, ndërtuar në vitin 1906. Në ato çaste nuk kishte as shërbim dhe as bekim të ëmbësirave të Pashkëve në këtë kishë, zakonisht e tejmbushur me njerëz natën e Festës" - kujtoi kreu i bashkësisë, Yurii Karapetian. "Kishte urdhër të mos kremtohej natën, për shkak të kërcënimit të sulmit me raketa" - pohoi prifti Volodymyr.
Në Donetsk, bombardime pranë katedrales ortodokse
Flitet për një të vdekur dhe dy të plagosur nga bombardimet e natës në qendër të Donetskut, veçanërisht pranë katedrales së Shndërrimit. Lajmin e jep agjencia Tass, duke cituar administratën e rrethit Voroshilovsky të qytetit të qeverisur nga forcat pro-ruse. Në çastin e shpërthimit të raketave, në objektin fetar kremtohej Nata e Pashkëve Ortodokse. Dhe pikërisht me rastin e festës ortodokse, sipas një video të publikuar të dielën nga themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, të paktën 100 robër lufte ukrainas u dërguan pranë forcave ukrainase.