Kërko

Papa Françesku me gazetarët në avion Papa Françesku me gazetarët në avion

Papa: të komunikojmë me zemër në këto kohë konfliktesh

“Thirrja për të folur me zemër e sfidon thellë kohën tonë, kaq të prirur drejt indiferencës dhe indinjatës”. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën e 57-të Botërore të Komunikimit, që këtë vit ka për temë: “Të flasim me zemër. Sipas së vërtetës në dashuri”. E fuqishme, ftesa për të shkuar kundër rrymës, për të mbështetur aspiratat për paqen, duke ndjekur shembullin e Shën Françeskut të Sales, shenjtit pajtor të gazetarëve, të cilin Kisha e përkujton sot

R.SH. – Vatikan

“Në kuadrin dramatik të konfliktit global, që po përjetojmë, është urgjente të kemi një komunikim joarmiqësor. Kemi nevojë për komunikatorë, që impenjohen për të favorizuar çarmatimin e plotë dhe që përkushtohen për të çmontuar psikozën e luftës, e cila bën fole në zemrat tona”. Kjo është një pjesë jashtëzakonisht aktuale e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2023, e cila këtë vit do të kremtohet të dielën, më 21 maj. Në Mesazhin, që u bë i ditur sot, Ati i Shenjtë Bergoglio u drejtohet vërtet komunikatorëve, por vë në dukje edhe se impenjimi për një komunikim, që del “nga zemra, krahëhapur” është përgjegjësi e të gjithëve.

Dinamika e “komunikimit të përzemërt”

Tema  “Të flasim me zemër” lidhet idealisht me atë të vitit 2022. Papa ftonte për dëgjim, ndërsa një vit më parë, nxiste “shkoni dhe shikoni”. Së bashku me të sivjetmen, “të flasim me zemër”, përbëjnë tri kushte për komunikimin e duhur. Vërtet, zemra e mirë e shtyn njeriun të mirëpresë, të dialogojë dhe të ndajë me të tjerët gjithçka. Françesku e quan këtë dinamikë “komunikim i përzemërt”. Kur e mirëpret tjetrin, e dëgjon atë e pastaj, “flet, duke ndjekur të vërtetën e dashurisë”. Shkruan Ati i Shenjtë:

“Nuk duhet të kemi frikë kur e shpallim të vërtetën, edhe nëse nganjëherë është e pakëndshme, por kur e bëjmë këtë pa dashuri, pa zemër. Sepse ‘programi i të krishterëve - siç shkruante Benedikti XVI - është ‘një zemër që sheh’’. Një zemër, që me rrahjet e saj, zbulon të vërtetën e qenies sonë dhe, për këtë arsye, duhet dëgjuar. Kjo e bën dëgjuesin të sintonizohet me të njëjtën valë, deri në atë pikë sa t’i ndiejë rrahjet e zemrës së tjetrit në zemrën e tij. Atëherë mund të ndodhë mrekullia e takimit”.

Papa Françesku vë firmën në një dokument
Papa Françesku vë firmën në një dokument

Dialogu me zemrën e Jezusit dhe me dishepujt e Emausit

Të flasësh me zemër, nënvizon Papa në Mesazh, do të thotë të marrësh pjesë në gëzimin e në frikën, në shpresën e në vuajtjen e njerëzve të kohës sonë, kaq indiferente, kaq e gatshme për t’u indinjuar, nganjëherë, edhe duke marrë për bazë lajme të rreme, që e flasifikojnë dhe e instrumentalizojnë të vërtetën. Françesku jep si shembull komunikatori Udhëtarin e mistershëm, Jezu Krishtin, që hyn në dialog me dishepujt e Emausit, të cilëve u flet me dashuri, i shoqëron në dhimbje, duke respektuar kohën, që u duhet për të kuptuar.

“Në një periudhë historike, - vëren Papa - karakterizuar nga polarizime dhe kontraste – nga e cila, fatkeqësisht, nuk është e imunizuar as bashkësia kishtare– impenjimi për një komunikim ‘nga zemra dhe krahëhapur’ nuk ka të bëjë vetëm me profesionistët e informacionit, por është përgjegjësi e të gjithëve. Të gjithë jemi të thirrur për ta kërkuar dhe për ta thënë të vërtetën, duke e bërë këtë me dashuri”.

Fjalë, që bëjnë mirë

Nga goja e të krishterëve, nënvizon Françesku, “nuk duhet të dalin kurrë fjalë të këqija”, por vetëm fjalë, që bëjnë mirë, në gjendje të prekin edhe zemrat prej guri.

“E përjetojmë këtë në bashkëjetesën qytetare ku mirësia nuk është thjesht çështje ‘etikete’, por ilaç i vërtetë kundër mizorisë, që fatkeqësisht, mund t’i helmojë zemrat dhe t’i dehë marrëdhëniet. Kemi nevojë për këtë në media, që komunikimi të mos nxisë urrejtje, që dëshpëron, që zemëron dhe çon në konflikt, por t’i ndihmojë njerëzit të reflektojnë me qetësi, të kuptojnë, me frymë kritike dhe me respekt, realitetin në të cilin jetojnë”.

Papa Françesku me gazetarët në avion
Papa Françesku me gazetarët në avion

Shën Françesku i Sales, shembull i ndritur, që flet me zemër

Mesazhi i Papës Françesku u bë i njohur pikërisht sot, kur Kisha kremton Shën Françeskun e Sales, shpallur pajtor i gazetarëve katolikë nga Papa Piu XI. Ipeshkëv i Gjenevës në kohën e debateve të flakta me kalvinistët, shenjti diti të dialogojë me durim, duke u bërë dëshmitar i dashurisë së mëshirshme të Zotit. “Ne jemi çka komunikojmë”, thoshte Shën Françesku i Sales.

“Po të shohim sot panoramën e komunikimit, - vëren Papa Françesku - a nuk janë pikërisht këto karakteristika, që duhet të ketë artikulli, reportazhi, informacioni radioteleviziv apo postimi në rrjetet shoqërore? Veprimtarët e komunikimit u frymëzofshin nga ky shenjtor i butësisë, duke e kërkuar dhe duke e treguar të vërtetën me guxim dhe liri, por duke hedhur poshtë tundimin për të përdorur shprehje të jashtëzakonshme dhe agresive”.

Ëndrra e Atit të Shenjtë

Tema e kësaj Dite Botërore të Komunikimeve Shoqërore – “Të flasim me zemër” – është pjesë e rrugëtimit sinodal të Kishës. Ati i Shenjtë vë në dukje se kemi nevojë për një gjuhë “sipas stilit të Zotit, ushqyer nga afërsia, dhembshuria dhe butësia”. E, përshkruan ëndrrën e tij:

“Ëndërroj një komunikim kishtar, që di të udhëhiqet nga Shpirti Shenjt, komunikim plot mirësi e, njëkohësisht, profetik, që di të gjejë forma dhe mënyra të reja për shpalljen e mrekullueshme, të cilën është i thirrur ta sjellë në mijëvjeçarin e tretë. Një komunikim, që vë në qendër marrëdhëniet me Zotin dhe me të tjerët, veçanërisht me më nevojtarët; komunikim, që di të ndezë flakën e fesë, në vend që të ruajë hirin e një identiteti, i cili i referohet vetëm vetvetes”.

Operatorët e medias
Operatorët e medias

Shkallëzim, që duhet frenuar, duke filluar nga fjalët

 Papa komenton më pas konfliktin global, duke nënvizuar nevojën e “një komunikimi joarmiqësor”, të nxitjes së “kulturës së paqes”, në gjendje të “kapërcejë urrejtje dhe armiqësi”. Shkallëzimit të luftës, vëren Françesku, i duhet vënë fre, duke filluar nga komunikimi, sepse fjalët, shpesh, kthehen në veprime ushtarake tejet të dhunshme.

“Kemi nevojë për komunikatorë të gatshëm për dialog, - thekson Ati i Shenjtë - që promovojnë çarmatimin e plotë dhe përkushtohen për të çmontuar psikozën e luftës, e cila bën fole në zemrat tona… Duhet refuzuar çdo retorikë ushtarake, si edhe çdo formë propagande, që e manipulon të vërtetën, duke e shpërfytyruar për qëllime ideologjike. Përkundrazi, duhet promovuar në të gjitha nivelet ai komunikim, që ndihmon në krijimin e kushteve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet popujve”.

Lutja e Papës për komunikatorët

Mesazhi i Papës Françesku përfundon me nënvizimin se përpjekja për të “gjetur fjalët e duhura” për “një qytetërim më të mirë” kërkohet nga të gjithë, por në veçanti, është përgjegjësi, që u besohet njerëzve të komunikimit. Për ta, i lutet Zotit që me profesionin e tyre, përmes të cilit thonë “të vërtetën me dashuri”, t’i ndihmojnë të gjithë të ndihen vëllezër e motra, “kujdestarë të njëri-tjetrit”.

24 janar 2023, 12:36