Kërko

Papa: të ecim së bashku rugës së unitetit që na tregon Zoti

Papa: “përballë formave të ndryshme të përbuzjes dhe racizmit, përballë keqkuptimeve indiferenës dhe dhunës sakrilege, Fjala e Zotit na qorton: “mësoni të bëni mirë, kërkojeni drejtësinë”. Në fakt, nuk mjafton të denoncosh, duhet edhe të heqim dorë nga e keqja, të kalojmë nga e keqja në të mirë. Këtu këshilla e qortimi shkon drejt ndryshimit tonë".

R.SH. / Vatikan

Në predikimin e tij në lutjen e Mbrëmësores së festës së Konvertimit të Shën Palit, kremtim që mbyll Javën e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve, Papa Françesku kujtoi se Zoti vuan nga "keqkuptimi indiferent" dhe nga "dhuna sakrilegje" e të krishterëve dhe i ftoi të gjithë të ndryshojnë dhe të rriten "duke punuar së bashku drejt atij uniteti të plotë që dëshiron Krishti".

“Përballë formave të ndryshme të përbuzjes dhe racizmit, përballë keqkuptimeve indiferenës dhe dhunës sakrilegje, Fjala e Zotit na qorton: “mësoni të bëni mirë, kërkojeni drejtësinë”. Në fakt, nuk mjafton të denoncosh të keqen, duhet edhe të heqim dorë nga e keqja, të kalojmë nga e keqja në të mirë. Këtu nga qortimi shkojmë drejt ndryshimit tonë",  tha Papa në homelinë e mbajtur gjatë lutjes Mbrëmësore kremtuar sot pasdite në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në mbyllje të Javës së lutjes për unitetin e të krishterëve.

Shën Pali dhe ankthet e kohës

Papa e nisi homelinë e tij, në mbyllje të kësaj Javë të lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, duke u ndaluar tek lajmet e trishtueshme e shqetësuese, tek ankthet e kohës që jetojmë, për të kujtuar se duhet të jemi të interesuar për atë çka e bën të vuajë Zotin, për të cilin jetojmë. “Nëse u mblodhëm në emrin e Tij, ta vendosim në qendër vetëm Fjalën e Tij”. Është profetike: sot, me zërin e Izaisë, Zoti na këshillon dhe na fton të ndryshojmë - kujtoi Papa dhe shtoi: “Qortim dhe ndryshim janë dy fjalët mbi të cilat do të doja t'ju ofroj sonte disa mendime”.

Asnjë justifikim

Vëllezër dhe motra - vijoi të kujtojë Papa Françesku - ky qortim nga Zoti na bën të mendojmë shumë, si të krishterë dhe si konfesione të krishtera. Dua të ripohoj se “sot, me zhvillimin e përshpirtërisë dhe të teologjisë, nuk kemi asnjë justifikim:

“Megjithatë, ka ende nga ata që inkurajohen ose të paktën, marrin zemër nga feja e tyre, për të mbrojtur forma të ndryshme të nacionalizmit të mbyllur dhe të dhunshëm, për të mbajtur qëndrime ksenofobije, për t’i përbuzur dhe madje, edhe për t’i keqtrajtuar ata, që janë të ndryshëm. Feja, me humanizmin që frymëzon, duhet ta mbajë gjallë frymën kritike përballë këtyre prirjeve dhe të ndihmojë për të reaguar shpejt, kur ato nisin të  bulojnë ndër zemra” (Enciklika Fratelli tutti, 86)”.

Tema e lutjes

Tema e kësaj Jave të Lutjes - kujtoi më pas Françesku - u zgjodh prej një grupi besimtarësh nga Minesota, të vetëdijshëm për padrejtësitë e kryera në të kaluarën kundër popujve indigjenë dhe kundër afrikano-amerikanëve sot. Përballë formave të ndryshme të përbuzjes dhe racizmit, përballë keqkuptimeve indiferente dhe dhunës sakrilegje - theksoi me forcë Ati i Shenjtë - Fjala e Zotit na këshillon:

"Mësoni të bëni mirë, kërkoni drejtësi" (Is 1:17).

Por duhet kuptuar se nuk mjafton të denoncosh, se duhet edhe të heqësh dorë nga e keqja, të kalosh nga e keqja tek e mira. Ja pra se qortimi na kërkon të ndryshojmë  - nënvizoi Papa - për të folur më pas pikërisht për ndryshimin.

Lajuni e pastrojuni! Larg së keqes!

Ati i Shenjtë foli për ndryshime, e kërkoi ndryshime! Duke diagnostikuar gabimet - kujtoi - Zoti kërkon t'i korrigjojmë dhe, nëpër gojën e Profetit,  na bën thirrje: “Lajuni e pastrojuni [...]. Jepini fund së keqes!”:

“Të dashur, nga keqkuptimet tona për Zotin dhe dhunën, që fshihet brenda nesh, nuk jemi më në gjendje të çlirohemi. Pa Perëndinë, pa hirin e tij,  nuk mund të shërohemi nga mëkati ynë. Burimi i ndryshimit tonë është Hiri i Tij”.

Shën Pali na kujton: me Zotin gjithçka është e mundur

E këtë na e kujton jeta e Shën Palit Apostull të cilin e përkujtojmë sot - vijoi Papa gjatë homelisë - Asgjë nuk mund ta bëjmë vetëm, por me Zotin gjithçka është e mundur. Gjithçka, së bashku! Zoti u kërkon ndjekësve të Tij të bëjnë kthesë. Kthesa që i kërkohet popullit, është kthesë bashkësie, kthesë kishtare. Besojmë, prandaj, se edhe kthesa jonë ekumenike përparon në atë masë, që e ndjejmë nevojën për hirin, nevojën për të njëjtën mëshirë: duke pranuar se të gjithë jemi të varur nga Zoti për gjithçka, do të ndjehemi dhe do të jemi vërtet, me ndihmën e tij, "një gjë e vetme" (Gjn 17,21):

“Sa bukur është t’ia hapim së bashku zemrën këtij ndryshimi e këtij këndvështrimi, nën shenjën e hirit të Shpirtit, duke rizbuluar se të gjithë besimtarët e shpërndarë nëpër botë janë në bashkësi me të tjerët pikërisht në Shpirtin Shenjt”.

Mirënjohje pjesëmarrësve në rrugëtimin sinodal të Kishës Katolike

Në këtë udhë bashkimi, jam mirënjohës që kaq shumë të krishterë të bashkësive dhe traditave të ndryshme po e shoqërojnë me pjesëmarrje dhe interes rrugëtimin sinodal të Kishës Katolike, i cili shpresoj të bëhet gjithnjë e më ekumenik. Por nuk duhet të harrojmë se të ecim së bashku dhe të njohim veten në bashkësi me njëri-tjetrin në Shpirtin Shenjt kërkon   ndryshim, kërkon rritje, që mund të ndodhë vetëm, siç shkruante Benedikti XVI, "duke u nisur nga takimi intim me Zotin, takim që bëhet bashkësi  vullneti, duke arritur deri atje, sa të prekë zemrën. Pastaj mësohem ta shikoj tjetrin jo më vetëm me sytë dhe ndjenjat e mia, por sipas këndvështrimit të Jezu Krishtit. Miku i tij, është miku im” (Enc. Deus caritas est, 18).

Shën Pali na ndihmoftë të bashkohemi në një Kishë të vetme

Shën Pali Apostull na ndihmon të ndryshojmë, të bëjmë kthesë, të pendohemi! Na dhuron pak nga guximi i tij i paepur. Sepse, në udhëtimin tonë, është më e lehtë të punosh për grupin tënd, sesa për Mbretërinë e Zotit, të bëhesh i padurueshëm, ta humbasësh shpresën për atë ditë në të cilën "të gjithë të krishterët do të bashkohen në kremtimin e vetëm të Eukaristisë, do të mblidhen në unitetin e së vetmes Kishë, që Krishti qysh në fillim ia dhuroi Kishës së Vet” (Decr. Unitatis redintegratio, 4).

25 janar 2023, 18:27