Kërko

Papa në audiencë me vullnetarët e OPAM Papa në audiencë me vullnetarët e OPAM

Françesku: nuk mund të ketë paqe pa zhvillim dhe edukim

Papa Françesku priti në audiencë vullnetarët italianë të Veprës së Promovimit për Alfabetizimin e Botës (OPAM), duke i inkurajuar të vijojnë betejën për zhdukjen e varfërisë dhe për arritjen e paqes përmes edukimit

R.SH. – Vatikan

Don Robert Kasereka Ngongi, që ka pasur mundësinë të shkojë në shkollë e të arsimohet falë Veprës së Promovimit për Alfabetizimin e Botës (OPAM), është sot presidenti i kësaj organizate kishtare bamirëse italiane, që punon në 82 vende. E, ishte pikërisht ai në krye të delegacionit, që u prit në audiencë nga Papa Françesku, në Vatikan, në 50-vjetorin e themelimit të OPAM, organizatë që – siç theksoi Ati i Shenjtë – e ka të shkruar në logon e vet misionin: Buka e edukimit. Duke e falënderuar don Robertin për punën, përmes së cilës janë realizuar 4.500 projekte, por edhe për dëshminë si ish-nxënës i ndihmuar nga Vepra për Alfabetizimin, Papa vuri në dukje impenjimin 50-vjeçar të organizatës:

“Festuat para pak kohe, 50-vjetorin e ditës kur don Carlo Muratore i dha jetë këtij shërbimi, pasi, në përvojën e tij misionare, vërejti se një nga aspektet themelore të ungjillëzimit e të promovimit njerëzor është pikërisht edukimi”.

Historia e OPAM

Vërtet, Vepra e Promovimit për Alfabetizimin e Botës u themelua në vitin 1972 nga don Carlo Muratore, kthyer në Itali pas një misioni të gjatë në Venezuelë, ku kishte prekur me dorë shkakun kryesor të varfërisë në vendet e jugut të botës: injorancën absolute dhe analfabetizmin e përgjithshëm. “Ëndërroj ditën kur këta vëllezërit tanë do të arsimohen e do të kenë një zanat, sepse ajo ditë do të shënojë fundin e mjerimit dhe fillimin e një epoke të re pune e paqeje”, thoshte don Muratore, i cili e orientoi Veprën drejt ndihmave për popujt, që kishin nevojë për arsimim dhe edukim, pra, për të drejta. Më pas, OPAM u udhëhoq për 20 vite nga don Aldo Martini e tani, nga një ish-nxënësi i saj, don Robert Kasereka Ngongi, meshtar afrikan, që shërben prej vitesh në Itali.

Pali VI dhe “Populorum progressio”

Papa Françesku kujtoi se Vepra u themelua në kohën e botimit të enciklikës së njohur të Papës shenjt Pali VI, “Populorum progressio”, ku edukimi shihet si një nga mjetet kryesore për zhvillimin e popujve.

“Kur i rilexojmë këto dokumente të mëdha papnore të viteve ‘60 - e njëjta gjë vlen edhe për ‘Pacem in terris’ të Shën Gjonit XXIII – e kuptojmë sa aktualë janë dhe sa nuk është zbatuar ende mesazhi i tyre, për fat të keq! – denoncoi Françesku. - Po, me fjalë, shumë e kanë shprehur miratimin, por në të vërtetë, modeli i zhvillimit nuk ka ndryshuar deri më sot. Kjo do të thotë se, me gjithë veprat e shumta bujare të solidaritetit në nivel civil dhe kishtar, shkaqet e moszhvillimit nuk janë eliminuar”.

Ëndrra e Zotit, dinjiteti i plotë i njerëzve

Puna juaj, u tha Ati i Shenjtë vullnetarëve italianë, është pikërisht zhdukja e njërit prej shkaqeve të moszhvillimit: analfabetizmit, pasi siç nënvizonte Pali VI, “Uria për arsim nuk dëshpëron më pak se uria për ushqim”. Ëndrra e “Populorum progressio” është e njëjtë me atë të enciklikës “Fratelli tutti”, vijoi Papa Françesku.

“Është ëndrra e Kishës, ose më mirë, ëndrra e Zotit, që dëshiron një botë në të cilën të gjithë mund të jetojmë si vëllezër e motra me dinjitet të plotë… Kur ju, në bashkëpunim me shumë misionarë, burra dhe gra që punojnë ‘në terren’, studioni dhe realizoni një projekt edukativ, mbështetni një shkollë, ose bëni adoptime në distancë, kontribuoni në ‘lindjen e një bote të hapur’, ku ‘të gjithë shoqërohen në rrugëtimin e jetës, jo vetëm për të siguruar nevojat elementare, por për të dhënë gjithçka kanë më të mirë nga vetvetja”.

Jo me fjalë, por me vepra, përfundoi Papa, duke i nxitur anëtarët e OPAM të bëjnë si shën Maria, që shkoi me nxitim te Shën Elizabeta për ta ndihmuar kur kishte nevojë.

23 janar 2023, 12:58