Nepal, ngushëllimet e Papës për viktimat e aksidentit ajror
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku shpreh ngushëllimet, pas rrëzimit të avionit të Yeti Airlines, mëngjesin e së dielës, në Nepal, pranë Pokhara-s. Deri tani janë gjetur 69 trupa pa jetë, përfshirë tre fëmijë dhe një foshnjë, por mendohet se 72 personat që ndodheshin në bord kanë vdekur. Në një telegram për presidentin e Nepalit, Bidya Devi Bhandari, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa pohon se është "pikëlluar" shumë kur dëgjoi për tragjedinë, duke shprehur ngushëllimet për të gjithë ata, që janë goditur nga aksidenti. Ati i Shenjtë premton edhe “lutje për ata, që po përpiqen të gjejnë viktimat”. “Duke ia besuar shpirtrat e të ndjerëve mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm – vijon telegrami – Shenjtëria e Tij kërkon bekime hyjnore shërimi e paqeje për ata, që vajtojnë humbjet”.
Viktimat
Avioni i Yeti Airlines u nis nga kryeqyteti Katmandu dhe ra gjatë fluturimit për në aeroportin ndërkombëtar të Pokhara-s. Në bord, 72 vetë, përfshirë katër anëtarët e ekuipazhit. Sipas autoriteteve lokale, janë gjetur deri tani 69 trupa pa jetë, por nuk ka shpresa për të mbijetuar. Në operacion janë përfshirë qindra ushtarë nepalezë.