Kërko

Françesku: t’i lutemi Marisë, për ata që nuk kanë paqe

Në Meshën e solemnitetit të Nënës së Zotit, Papa u lut për ata që "nuk kanë më forcë të luten", për ata që preken nga lufta në shumë vende të botës, që jetojnë këto ditë feste në errësirë ​​dhe të ftohtë, në mjerim dhe në frikë, zhytur në dhunë dhe në indiferencë. Ia besoi Virgjërës Mari edhe "Papën e dashur të nderit, Benediktin XVI, që ta shoqërojë në kalimin e tij nga kjo botë - te Zoti"

R.SH. / Vatikan

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku sot, ditën e parë të vitit të ri, u mblodhën rreth 5000 besimtarë për të ndjekur Meshën e Solemnitetit të Marisë, Nënës së Zotit, Papa Françesku reflektoi gjerësisht mbi kuptimin e mishërimit, duke kujtuar, më pas, edhe Benediktin XVI, që ndërroi jetë dje: “Sot ia besojmë Nënës së Shenjtë, Papën e dashur të Nderit Benediktin XVI, që ta shoqërojë në kalimin e tij nga kjo botë, te Zoti”.

Menjëherë pas, Papa kujtoi ata që po përballojnë prova të rënda në zonat e konfliktit, mes vështirësive dhe shpërdorimeve dhe që nuk mund ta kremtojnë Krishtlindjen. Më pas ftoi t’i lutemi Marisë, "gruas që solli në botë Princin e Paqes","për ata që nuk kanë paqe".

Viti që hapet nën shenjën e Nënës së Zotit dhe tonën, na thotë se çelësi i shpresës është Maria, dhe antifona e shpresës, lutja drejtuar Nënës së Zotit -  kujtoi në vijim Papa: “T’i lutemi Nënës në mënyrë të veçantë për fëmijët që vuajnë dhe nuk kanë më forcë të luten, për vëllezërit dhe motrat e prekura nga lufta në shumë vende të botës, që i jetojnë këto ditë feste në errësirë​​dhe në të ftohtë, në mjerim dhe në frikë, të zhytur në dhunë dhe indiferencë"

Maria i dëgjon gjithmonë lutjet tona

Duke kujtuar lutjen drejtuar Virgjërës në Falemëri: "Nëna e Zotit, lutu për ne, mëkatnorët", të cilën besimtarët e thonë kudo që ndodhen "në gjuhët nga më të ndryshmet, me rruazat e rruzareve në dorë dhe në kohë nevojash",  Papa siguron se Nëna jonë qiellore “i përgjigjet gjithnjë kësaj lutjeje, i dëgjon kurdoherë kërkesat tona”, duke na dhënë edhe shpresë, si toka që ka nevojë për shi.

Dashuria konkrete dhe Zotit për njeriun

Në predikimin e tij, Françesku, duke folur për Zotin e bërë njeri, që në Marinë "u lidh përgjithnjë me natyrën tonë njerëzore, si biri me nënën e tij", aq sa "natyra jonë është natyra e tij", citoi “Gaudium et spes”, duke saktësuar se me mishërimin, Krishti u bashkua "në një mënyrë të caktuar me çdo njeri”. Punoi me duar njerëzore, mendoi me mendje njerëzore, veproi me vullnetin e njeriut, deshi me zemër njerëzore. Duke u lindur nga Virgjëra Mari, ai u bë "në çdo gjë i ngjashëm me ne, duke përjashtuar  mëkatin".

Kështu bëri Zoti: lindi nga Maria: shprehu dashurinë e tij konkrete për natyrën tonë njerëzore, duke e përqafuar vërtetësisht e plotësisht edhe botën. Vëllezër, motra, Zoti nuk na do me fjalë, por me vepra; jo "nga lart", nga larg, por nga "afër", nga brenda korpit tonë njerëzor, sepse në Marinë Fjala u bë njeri, e sepse në kraharorin e Krishtit vazhdon të rrahë për secilin prej nesh, një zemër njerëzore!”.

01 janar 2023, 13:09