Kërko

 Papa Francesco Papa Francesco

Françesku: të ndërtohen ura përmes dialogut për të arritur paqen së bashku

Në një mesazh për Konferencën Ndërkombëtare që përkujton José Martì, që po zhvillohet në Havana, në Kubë, Papa kërkon një angazhim, në momentin aktual historik, për të gjetur zgjidhje që nuk përjashtojnë askënd. Më pas Ati i Shenjtë fton të dëgjojmë njëri-tjetrin, të rikuperojmë mësimet e të moshuarve dhe të përballemi si komunitet me krizat e ndryshme të ndërlidhura morale, sociale, politike dhe ekonomike që po përjeton bota

R. SH. – Vatikan

Rrethanat aktuale shoqërore dhe politike “janë shkak alarmizmi” dhe duhet të na çojnë në një “ndryshim të kursit”, shkruan Papa në mesazhin e tij dërguar në Konferencën V Ndërkombëtare “Për ekuilibrin e botës” që po zhvillohet në Havana, në Kubë, nga data 24 deri më 28 janar, e cila përkujton lindjen e Josè Martí, shkrimtar, politikan, mendimtar dhe udhëheqës i lëvizjes kubane për pavarësi, i cili jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të dhe konsiderohet hero kombëtar në Kubë. Një figurë ajo e Martí që paraqitet "si shtytje për të zgjuar ndërgjegjen e atyre që në botë që janë thirrur të krijojnë një klimë dialogu dhe vëllazërie", vëren Papa Françesku dhe "që mund të nxisë ndryshime të rëndësishme". Papa nënvizon se për këtë është e rëndësishme të ulemi dhe të "dëgjojmë të tjerët" dhe se "është urgjente të ndërtohen ura" për të "gjetur zgjidhje të mundshme që nuk përjashtojnë askënd". Me pak fjalë, në shoqërinë e sotme dialogu “me horizontin e gjerë të vëllazërisë universale” është vërtet i domosdoshëm

Shembulli i At Félix Varela

Për Atin e Shenjtë Françesku sot mund të na ndihmojnë disa fjalë që Jose Martí i pati thënë para varrit të të nderuarit Félix Varela, prift kuban, filozofi dhe patriot, të cilin ai e admironte për "dashurinë ndaj tokës së tij", për "guximin e denoncimit të asaj që ai e konsideronte të papajtueshme me të mirën shoqërore" dhe për "butësinë, një virtyt thelbësor i qeveritarit, i cili duhet të udhëheqë dialogun shoqëror dhe politik, "duke treguar respektin e duhur" për bashkëbiseduesin "për të arritur tek një zgjidhje e dakordësuar". Në praktikë, shpjegon Papa, ne duhet të "shikojmë nga e kaluara", "duke mos i mohuar rrënjët tona, të cilat na nxisin të mësojmë" nga të moshuarit, "nga feja që i ka gjallëruar ata, nga koherenca e jetës që ky besim ua ka imponuar atyre” dhe nga dashuria ndaj njëri-tjetrit. Duke u nisur nga këto rrënjë, nënvizon Papa Françesku, për Jose Martí "figura e meshtarit at Varela është e aftë të bashkojë vullnetet e ndryshme për një përpjekje të përbashkët". Ftesa e Papës është të pyesim veten nëse modele të tilla sot “përdoren si shembull vlerash apo më mirë si flamur interesash”.

Paqja ndërtohet së bashku në vëllazëri dhe solidaritet

Papa Françesku më pas kujton se pati nënvizuar, në Mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes , se "gjatë pandemisë, shumë heronj kanë dhënë prova të besimit, shpresës dhe përkushtimit bujar që lindin nga dashuria e Zotit që është e ngulitur në natyrën e çdo njeriu". Këta janë shembuj që na kërkojnë "ta vendosim në qendër fjalën së bashku", sepse vetëm "bashkë, në vëllazëri dhe solidaritet", ndërtohet paqja, garantohet drejtësia, kapërcehen ngjarjet më të dhimbshme. Ky, për Papën, është çelësi për të rikuperuar atë ekuilibër mbi të cilin dëshiron të reflektojë konferenca që po zhvillohet në Kubë. “Vetëm së bashku”, përfundon Ati i Shenjtë Françesku, ne mund të “përballemi me krizat e ndryshme morale, sociale, politike dhe ekonomike” që bota po përjeton sot“ dhe që të gjitha janë të ndërlidhura”.

24 janar 2023, 15:41