Kërko

DBR Lisbona 2023 DBR Lisbona 2023

DBR, Françesku: të krishterët i mirëpresin të gjithë, pa pyetur për kulturën e prejardhjen

Papa u dërgon një videomesazh familjeve, që do të strehojnë të rinjtë gjatë takimit të Ditës Botërore të Rinisë së Lisbonës, në gusht: faleminderit për bujarinë tuaj, do të ndiheni më "universalë"

R.SH. – Vatikan

Jo aq i rehatshëm, por i bukur, çast që pasuron, jashtë rutinës së zakonshme të jetës, kur zhduken kufijtë dhe hapet – së paku për disa ditë - një horizont "universal". Sipas Papës Françesku, kjo do të jetë atmosfera, që do të përjetojnë familjet e Lisbonës, të cilat në gusht të këtij viti, do të presin të rinjtë, që do të shkojnë në kryeqytetin e Portugalisë për Ditën Botërore të Rinisë 2023. Deri tani, janë regjistruar 400 mijë vetë e një pjesë e mirë e tyre do të përfitojë nga mikpritja e banorëve të Lisbonës, që, siç është tradita, do të strehojnë në shtëpitë e tyre grupe të rinjsh, sipas mundësive.

Të shihet jeta me sy tjetër

Në një videomesazh, të ngjashëm me atë, që u dërgoi disa ditë më parë djemve dhe vajzave të DBR-së, Françesku u drejtohet pikërisht këtyre familjeve, të cilat do t'u bëjnë vend në shtëpitë e tyre "të rinjve, sikur të ishin fëmijët apo të afërmit tuaj të rinj", u thotë Papa. Kjo “do t’ua revolucionarizojë pak jetën. Me fjalë të tjera, do t’ua prishë qetësinë”, pranon Ati i Shenjtë me sinqeritet. E megjithatë, vëren më pas, nëse mikpritja bëhet me bujari - "jo vetëm për të shërbyer, që është gjithsesi gjë e bukur, por edhe për t'ua hapur zemrën të rinjve të tjerë, kulturave të tjera, mënyrave të tjera për ta parë jetën", ajo do t’jua ndryshojë zemrën. “Ata do t’ju vënë në diskutim, do të 'relativizojnë' siguritë e shumta që mendoni se keni, duke ju bërë të shihni se, në vende të tjera, gjërat mund të jenë krejt ndryshe. Do t'ju 'universalizojnë'”.

Do të jetë fushatë mbjelljeje, me farë “universin”

Papa kujton se në Ditët Botërore të Rinisë, djemtë e vajzat, që vijnë nga vende të tjera pohojnë se përvoja, e cila i ka pasuruar më shumë, është jeta me familjet mikpritëse. Ndërsa tek familjet, shton ai, “mbetet siguria se njeriu mund të jetë i krishterë në mënyra të ndryshme, me një kulturë tjetër, me një këndvështrim tjetër”. Pra, edhe nëse mikpritja e të rinjve “do t’ju lodhë”, u vë në dukje Ati i Shenjtë familjeve të Lisbonës, ajo do të jetë njëkohësisht një lloj fushate për të mbjellë universin, “një vështrim përtej horizontit, përtej limiteve dhe kufijve tanë të vegjël, qofshin ata gjeografikë, kulturorë, ose shpirtërorë”.

25 janar 2023, 10:39