Kërko

Arkivoli i Benediktit XVI Arkivoli i Benediktit XVI

Benedikti XVI, fjalët e “Factum”: la trashëgimi të pasur për të vërtetat e fesë

Arkivoli me Papën e nderit u mbyll mbrëmë, duke vendosur brenda disa shenja të dinjitetit papnor dhe tekstin, që kujton shkurtimisht historinë e jetës e të shërbimit kishtar të Joseph Ratzinger

R.SH. – Vatikan

Aktet e fundit pas homazhit të pafund të rreth 200 mijë njerëzve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në përfundim të tri ditëve: mbrëmë (4 dhjetor 2023), trupi i Benediktit XVI u mbyll në një arkivol me dru selvie, në të cilin u vendosën paliumi, monedhat dhe medaljet e papnisë, si edhe “Factum”, tekst i ruajtur në një cilindër metalik, ku përshkruhen faktet kryesore të jetës dhe të shërbimit të Papës së Nderit, që nga lindja deri në ditët e tij të fundit. Teksti i aktit u lexua nga mjeshtri i kremtimeve liturgjike papnore, imzot Diego Ravelli. Pas funeralit të sotëm, kryesuar nga Papa Françesku, arkivoli vishet me një shtresë zinku dhe më pas vendoset në një arkivol më të madh me dru lisi, për t’u varrosur përfundimisht në Kriptën e Vatikanit.

Ja teksti i plotë i “Factum”:

Në dritën e Krishtit të ringjallur së vdekurish, më 31 dhjetor të vitit të Zotit 2022, në orën 9.34 të mëngjesit, kur viti po përfundonte dhe ishim gati të këndonim “Te Deum” për të mirat e shumta dhuruar nga Zoti, Bariu i dashur i Nderit i Kishës, Benedikti XVI, u nis nga kjo botë për në Shtëpinë e Atit Qiellor. E gjithë Kisha së bashku me Atin e Shenjtë Françesku e shoqëroi me lutje kalimin e tij.

 Benedikti XVI ka qenë Papa i 265-të. Kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë në zemër të Kishës e të mbarë njerëzimit.

Joseph Aloisius Ratzinger, i zgjedhur Papë më 19 prill 2005, lindi në Marktl am Inn, në territorin e dioqezës Passau (Gjermani), më 16 prill 1927. Babai i tij ishte komisar policie dhe vinte nga një familje bujqish, në Bavarinë e Poshtme, me kushte ekonomike mjaft modeste. E ëma ishte bijë zejtarësh nga Rimsting, në liqenin Chiem e, para se të martohej, punonte si kuzhiniere në hotele të ndryshme.

Joseph e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën në Traunstein, një qytet i vogël në kufi me Austrinë, rreth tridhjetë kilometra larg Salzburgut, ku mori formimin e tij të krishterë, njerëzor dhe kulturor.

 Kohën e rinisë nuk e pati të lehtë. Feja dhe edukata e familjes e përgatiti për përvojën e ashpër të regjimit nazist, gjatë të cilit përjetoi atmosferën e armiqësisë së fuqishme kundër Kishës Katolike në Gjermani. Në këtë situatë të ndërlikuar, ai zbuloi bukurinë dhe të vërtetën e besimit në Krishtin.

Nga viti 1946 deri më 1951, Ratzinger studioi në Shkollën e Lartë të Filozofisë dhe Teologjisë në Freising dhe në Universitetin e Mynihut. Më 29 qershor 1951 u shugurua meshtar, ndërsa një vit më pas, filloi të japë mësim në të njëjtën shkollë të Freising-ut. Më pas, vijoi si pedagog në Bonn, Münster, Tübingen dhe Regensburg.

Në vitin 1962 u bë ekspert zyrtar i Koncilit II të Vatikanit, si asistent i kardinalit Joseph Frings. Më 25 mars 1977, Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv të Mynihut dhe Freising-ut.  Më 28 maj të të njëjtit vit, mori shugurimin ipeshkvnor. Si moto ipeshkvnore zgjodhi “Cooperatores Veritatis” (Bashkëpunëtor i së Vërtetës).

Papa Montini e krijoi kardinal, me titullin e Zojës Ngushëlluese në Tiburtin, në Koncistorin e 27 qershorit 1977. Më 25 nëntor 1981, Gjon Pali II e emëroi Prefekt të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Ndërsa, më 15 shkurt të një viti më vonë, ai hoqi dorë nga mbarështimi baritor i kryedioqezës së Mynihut dhe Freising-ut.

Më 6 nëntor 1998, u emërua zv.Dekan i Kolegjit të Kardinajve dhe më 30 nëntor 2002 u bë Dekan i tij, duke marrë titullin e Kishës Suburbikare të Ostias.

Të premten, më 8 prill 2005, kryesoi meshën për funeralin e Papës Gjon Pali II, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Kardinajtë e mbledhur në Konklav më 19 prill 2005 e zgjodhën Papë, ndërsa ai vetë zgjodhi emrin e Benediktit XVI. Nga lozha e bekimeve, në Vatikan, u paraqit si “punëtor i përvuajtur në vreshtin e Zotit”. Të dielën, më 24 prill 2005, filloi solemnisht shërbimin e tij pjetrin.

Benedikti XVI vendosi në qendër të papnisë, temën e Zotit dhe të fesë, në kërkimin e vazhdueshëm të fytyrës së Zotit tonë Jezu Krisht, duke i ndihmuar të gjithë ta njohin, veçanërisht përmes botimit të veprës “Jezusi i Nazaretit”, në tre vëllime. I pajisur me njohuri të gjera dhe të thella biblike dhe teologjike, ai kishte aftësinë e jashtëzakonshme të hartonte përmbledhje, që hidhnin dritë mbi tema të rëndësishme doktrinore dhe shpirtërore, si edhe mbi çështjet vendimtare të jetës së Kishës dhe të kulturës bashkëkohore.

Promovoi me sukses dialogun me anglikanët, me hebrenjtë dhe me përfaqësuesit e feve të tjera; rifilloi edhe kontaktet me meshtarët e Bashkësisë së Shën Piut X (lefebvrianët).

Paraditen e 11 shkurtit 2013, gjatë një Konsistori të thirrur për vendime të zakonshme rreth tre kanonizimeve, pas votimit të kardinajve, Benedikti XVI lexoi në latinisht, deklaratën e dorëheqjes nga papnia: “Bene conscius sum hoc munus secundum suam essentiam spiritualem non solum agendo et loquendo exerceri debere, sed non minus patiendo et orando. Attamen in mundo nostri temporis rapidis mutationibus subiecto et quaestionibus magni ponderis pro vita fidei perturbato ad navem Sancti Petri gubernandam et ad annuntiandum Evangelium etiam vigor quidam corporis et animae necessarius est, qui ultimis mensibus in me modo tali minuitur, ut incapacitatem meam ad ministerium mihi commissum bene administrandum agnoscere debeam. Quapropter bene conscius ponderis huius actus plena libertate declaro me ministerio Episcopi Romae, Successoris Sancti Petri, mihi per manus Cardinalium die 19 aprilis MMV commisso renuntiare ita ut a die 28 februarii MMXIII, hora 20, sedes Romae, sedes Sancti Petri vacet et Conclave ad eligendum novum Summum Pontificem ab his quibus competit convocandum esse”.

Në audiencën e fundit të përgjithshme, më 27 shkurt 2013, duke falënderuar të gjithë, një për një, për respektin dhe mirëkuptimin me të cilin ishte pranuar vendimi i tij, Papa Benedikti XVI siguroi: “Do të vazhdoj ta shoqëroj rrugën e Kishës me lutje dhe reflektim, me atë përkushtim ndaj Zotit dhe Nuses së tij, që jam përpjekur ta jetoj deri tani çdo ditë dhe që do të doja ta jetoja përgjithmonë”.

Pas një qëndrimi të shkurtër në rezidencën e Castel Gandolfo-s, ai i kaloi vitet e fundit të jetës në Vatikan, në manastirin “Mater Ecclesiae”, ku iu kushtua lutjes dhe meditimit.

Magjisteri doktrinor i Benediktit XVI përmblidhet në tri enciklika: Deus caritas est (25 dhjetor 2005), Spe salvi (30 nëntor 2007) dhe Caritas in veritate (29 qershor 2009). Ai i dha Kishës katër Nxitje Apostolike, Kushtetuta të shumta Apostolike, Letra Apostolike, si dhe katekezat e audiencave të përgjithshme, përveç fjalimeve të tjera, përfshirë ato të shqiptuara gjatë njëzet e katër udhëtimeve apostolike nëpër botë.

Përballë relativizmit dhe ateizmit praktik, gjithnjë e më të përhapur, në vitin 2010, me motu proprio “Ubicumque et semper”, krijoi Këshillin Papnor për Nxitjen e Ungjillizimit të Ri, të cilit i kaloi përgjegjësitë në fushën e katekezës, në janar 2013.

Benedikti XVI luftoi me vendosmëri krimet e kryera nga përfaqësuesit e klerit kundër të miturve, ose njerëzve të pambrojtur, duke i bërë vazhdimisht thirrje Kishës për kthim, lutje, pendim dhe pastrim.

Si teolog me autoritet të njohur, ai la një trashëgimi të pasur studimesh dhe kërkimesh mbi të vërtetat themelore të fesë.

CORPUS

BENEDICTI XVI P.M.

VIXIT A. XCV   M. VIII   D. XV

ECCLESIÆ UNIVERSÆ PRÆFUIT A. VII   M. X   D. IX

A D. XIX   M. APR.   A. MMV   AD D. XXVIII   M. FEB.   A. MMXIII

DECESSIT DIE XXXI M. DECEMBRIS ANNO DOMINI MMXXII

05 janar 2023, 12:05