Kërko

2022.12.31 Vespri Te deum / Papa davanti al Presepe, Piazza San Pietro 2022.12.31 Vespri Te deum / Papa davanti al Presepe, Piazza San Pietro

2022 me Papën Françesku. Ngjarje për t’u kujtuar

2022-i me Papën Françesku. Përmbledhje e ngjarjeve të paharrueshme

R.SH. / Vatikan

Viti 2022 ishte vit “përtëritjeje”: nga pak për të gjithë, e edhe për Papën Françesku. Dy, arsyet: e para është Covidi që, falë vaksinave, u lehtësua e me të edhe kufizimet, gjë që i hapi përsëri Papës rrugët e botës, për të rifilluar shtegtimet, vizitat, qëndrimin ndërmjet njerëzve nga mbarë bota. E dyta, përmirësimi i shëndetit të Atit të Shenjtë. Pas operacionit në zorrë, Françesku e mori përsëri në dorë ditarin e tij, edhe pse në një karrige me rrota, për shkak të dhimbjes së gjurit. Por as kjo nuk e ndaloi Papën ta jetonte edhe vitin 2022 si vit  të begatë me takime.

Ngjarja e parë e Papës Françesku në vitin 2022, e denjë për t’u kujtuar, ishte Akti i Kushtimit të Rusisë dhe Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë. "E humbëm rrugën drejt paqes. I harruam mësimet e tragjedive të shekullit të kaluar, flijimin e miliona të vdekurve në luftërat botërore. I shpërfillëm angazhimet e marra si Bashkësi Kombesh dhe po i tradhtojmë ëndrrat e paqes të popujve dhe shpresat e të rinjve. U sëmurëm nga lakmia, u mbyllëm në interesat nacionaliste, u ndryshkëm nga indiferenca, u paralizuam nga egoizmi” – theksoi me forcë Papa duke i folur mbarë njerëzimit nga  Sheshi i Shën Pjetrit.

Në prill Papa shkoi në Maltë. Vizita, në ditët e para të prillit 2022 u përqendrua tek temat e mikpritjes dhe të trashëgimisë apostolike të Shën Palit, barka e të cilit qe përmbysur pikërisht në këtë ishull.

Më pas Pashkët! Thellësisht prekëse Udha e Kryqit, që rifilloi në Koloseum pas ndalimit të detyruar, pasojë e Covid 19. ''Të gjunjëzohemi përpara Krishtit të Kryqëzuar, gurrës të paqes sonë, t'ia kërkojmë Atij paqen e zemrës dhe paqen e botës''. Këtë theksoi Papa në një Twitter, para kremtimeve të Pashkëve.

Gjatë muajve të vitit 2022, Ati i Shenjtë pati shumë takime me grupe, lëvizje, vullnetarë, të rinj, pjesëmarrës në konferenca dhe shtegtime të ndryshme. Të shumta, edhe letrat, Motu Proprio-t, mesazhet dhe videomesazhet.

Në qershor, Papa Françesku mori pjesë në Festivalin X Botëror të Familjeve, mbajtur në Romë. Ngjarje e madhe, me pjesëmarrje të gjërë e me hapësirë ​​të veçantë për familjet romake.

Në korrik, e shtyu udhëtimin në Sudanin e Jugut dhe në Kongo për shkak të kushteve shëndetësore, por ky udhëtim do të bëhej në janar-shkurt 2023. Ndërsa gjithnjë në korrik, Françesku shkoi në Kanada. "Shtegtim pendese", ky i Papës Françesku në Kanada, që të kërkonte falje, në emër të Kishës Katolike, për asimilimin kulturor, që ndodhi në shkollat ​​rezidenciale, pra shkollat​​shtetërore, të drejtuara, në shumë raste, nga urdhërat fetare, ku  vendasit silleshin shpesh edhe me forcë.

Më 28 gusht 2022, Papa shkoi në L'Aquila për Ndjesën Çelestiane, veçanërisht për hapjen e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Collemaggio. Ishte ngjarje historike.

Në shtator, Françesku u nis për në Kazakistan, ku mori pjesë në hapjen dhe në seancën plenare të "Kongresit VII të liderëve të feve botërore dhe tradicionale".

Fundi i shtatorit ishte i ngarkuar për Papën: fillimisht shkoi në Asizi, për manifestimin "Ekonomia e Françeskut",  më pas në Matera, për mbylljen e Kongresit të 27-të Eukaristik Kombëtar.

Në nëntor ishte në Mbretërinë e Bahreinit, shtegtimi i 39-të apostolik i Françeskut. Ishte Papa i parë që shkelte në këtë tokë, ku kohët e fundit u ndërtua katedralja e Zojës së Arabisë.

Një nga ngjarjet e rëndësishme të dhjetorit 2022, ishte ajo e datës 8 të muajit, dita e Zënies së Papërlyer të Virgjërës Mari. Françesku kreu përsëri Aktin e nderimit për të Papërlyerën, në Sheshin e Spanjës. E gjatë kësaj vizite, i prekur deri në lot, iu lut Virgjërës për përfundimin e luftës në Rusi e në Ukrainë.

Nisi tani një vit i ri, 2023-shi, që na gjen gjithnjë gati për ta jetuar me Papën Françesku!

09 janar 2023, 11:44