Thirrja e Papës për Perunë: ndalojeni dhunën, filloni rrugën e dialogut
R. SH. - Vatikan
Pas lutjes mariane nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa shprehu shqetësimin për situatën në Peru, komb në grahmat e tensioneve të forta politike:
“Lutemi edhe për paqen në Peru, që dhuna në vend të pushojë dhe të ndërmerret rruga e dialogut për të kapërcyer krizën politike dhe sociale që po trondit thellë popullsinë”.
Kombi i Amerikës së Jugut është në mëshirën e zemërimit të votuesve, i mbetur prej kohësh në kushte të mjerueshme, pas viteve të politikës së trazuar të gjashtë presidentëve, në pesë vjet. Shumica e ish-udhëheqësve janë burgosur ose hetuar për korrupsion gjë që, në dy javët e fundit, çoi në shpërthimin e rebelimit popullor!
Një vend në mëshirën e paqartësisë politike dhe sociale
Më 7 dhjetor, pas rrëzimit të Castillo-s e disa orë pas përpjekjes së paligjshme për ta mbyllur Kongresin, që të shmangej votimi për shkarkimin, të cilin kishte frikë se do ta humbiste, protestuesit bllokuan autostradat, u vunë flakën ndërtesave dhe pushtuan aeroportet. Të paktën 18 persona humbën jetën. Shumë nga ata që protestuan - disa mbështetës të Castillo-s - të tjerë thjesht të zemëruar në kulm - kujtuan se çka po ndodhte ishte pasojë e qëndrimit të pacipë të udhëheqësve politikë – lexohet në Reuters. Boluarte, presidentja e parë femër e Perusë, që flet gjuhën indigjene të Andeve Keçua, bëri thirrje për qetësi dhe iu lut Kongresit t’i shpejtojë zgjedhjet. Deklaroi edhe se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht nga presionet. Castillo u zgjodh në presidencë vitin e kaluar, me mbështetjen në rritje të votuesve fshatarë, të neveritur nga status quo-ja dhe nga ajo që e shikonin si elitë politike e korruptuar e Limës. "U zgjodha nga burrat dhe gratë e harruara të Perusë së thellë, nga të paprivilegjuarit, nga të lënët pas dore për më shumë se 200 vjet" – u shpreh Castillo në një letër të shkruar me dorë nga burgu. Ai po vuan 18 muaj paraburgim ndërsa është nën hetim për krime të dyshuara rebelimi dhe komploti, të cilat i mohon plotësisht!
40 alpinistë izraelitë të padëmtuar në Cuzco
Në këtë kontekst, pas pesë ditësh pasigurie dhe vështirësish logjistike, gjatë të cilave mbetën të bllokuar pranë Machu Picchu, 40 alpinistë izraelitë arritën sot të padëmtuar në qytetin e Cuzco-s, pavarësisht nga tensioni i fortë politik, që ekziston ende në zonë. Radioja ushtarake raportoi se operacioni i shpëtimit për të rinjtë izraelitë filloi me një marshim 10 km. Pas një pushimi, grupi hipi në dy autobusë të cilët, të shoqëruar nga forcat e sigurisë, arritën në Cuzco pas shtatë orësh. Gjatë udhëtimit, sipas një anëtari të grupit, njëri nga automjetet u gjuajt me gurë, por të gjithë udhëtarët mbetën të padëmtuar. Shpëtimi i alpinistëve u organizua nga Ministria e Jashtme izraelite së bashku me një shoqëri sigurimesh.
Viktimat e dhunës
Më shumë se 500 protestues dhe forca të sigurisë u plagosën gjatë protestave të përhapura në të gjithë Perunë, pasi ligjvënësit e rrëzuan Castillon nga pushteti. Boluarte, përkrah Castillo-s në fitoren e tij të jashtëzakonshme vitin e kaluar, kujtoi se u përpoq sa mundi “për ta mbrojtur" nga një Kongres armiqësor, i përbërë nga elita, që e pengoi me të gjitha mjetet e mënyrat politikanin e ri të sundonte që nga çasti kur la pas shtëpinë e tij dykatëshe prej qerpiçi në malësitë e Andeve, e derisa arriti në pallatin presidencial neo-barok të Limës!