Kërko

Paqja dhe çarmatimi, i mundshëm: thirrje e re e Papës për Ukrainën

Pas lutjes mariane në të kremten e Zënies së Papërlyer të Zojës, mendimi i Françeskut, duke u rikthyer edhe një herë në "Ukrainën e torturuar", përsëriti se paqja dhe çarmatimi janë të mundshme. Duke menduar për fjalët e Engjëllit drejtuar Marisë, kujtoi se gjithçka është e mundur me Zotin, por se nevojitet edhe vullneti i mirë i njerëzve.

R. SH. - Vatikan

"Zoja na ndihmoftë të ndjekim planet e Zotit": këtë theksoi Papa, pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, në solemnitetin e Zënies së Papërlyer të Zojës. Kujtoi më pas "dëshirën universale për paqen", duke shpallur edhe aktin tradicional devocional pasdite, në Shën Marinë e Madhe dhe në Sheshin e Spanjës:  

“Sot pasdite do të shkoj në Shën Marinë e Madhe për t'iu lutur Salus Populi Romani – Zojës, Shpëtimi i Popujve Romakë - dhe menjëherë pas, në Sheshin e  Spanjës për të kryer aktin tradicional të nderimit dhe të lutjes tek këmbët e monumentit të Zojës së Papërlyer. Ju kërkoj të bashkoheni shpirtërisht me mua në këtë gjest, i cili shpreh përkushtim bijnor ndaj Nënës sonë, ndërmjetësimit të së cilës ia besojmë dëshirën universale për paqen, veçanërisht për Ukrainën e torturuar, e cila po vuan kaq shumë”.

Papa kujtoi edhe fjalët e Engjëllit drejtuar Virgjërës: “Nuk ka gjë të pamundur për Zotin” (Lk 1:37). E, në vijim, theksoi:

“Me ndihmën e Zotit, paqja është e mundur; çarmatimi është i mundur. Por Zoti dëshiron vullnetin tonë të mirë. Na ndihmoftë Zoja që të kthehemi në planet e Perëndisë”.

Në kronikën e orëve të fundit

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) njoftoi sot se kohët e fundit i është dhënë leje hyrjeje vizituesve të të burgosurve të luftës, ukrainas dhe rusë, vizita të cilat më parë ishin jashtëzakonisht të kufizuara dhe të rralla. Javën e kaluar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK)  kreu një vizitë dy-ditore tek të burgosurit ukrainas të luftës. Një vizitë tjetër do të bëhet këtë javë. Vizita tek të burgosurit rusë u kryen gjithashtu gjatë të njëjtës periudhë. Akoma më shumë priten deri në fund të muajit “, thuhet në shënimin e  Kryqit të Kuq.

Në lajmet e orëve të fundit lexojmë për sulmin me raketa ruse që goditi stacionin e transportit të qytetit jugor të Mykolaiv: duket se nuk ka viktima. Përveç kësaj, granatimet ruse në rajonin e Dnepropetrovsk vazhduan gjatë gjithë natës, veçanërisht në Nikopol, raportoi në Telegram Nikolay Lukashuk, kryetar i këshillit rajonal të Dnepropetrovsk. Sipas Qendrës Kombëtare të Rezistencës së Ushtrisë së Ukrainës, kumtuar nga Kyiv Independent, autoritetet pushtuese ruse po nxjerrin me forcë pacientët civilë nga spitalet në pjesën e pushtuar të rajonit të Lugansk, edhe nëse ata nuk e kanë përfunduar ende mjekimin. Qendra pretendon se civilët po dëbohen për t'u hapur rrugë ushtarakëve të plagosur rusë. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, pohoi se operacioni special ushtarak në Ukrainë "mund të përfundojë nesër" nëse këtë e  dëshiron presidenti ukrainas. Nga ana e tij, zëvendësministri rus, Sergej Ryabkov, në një intervistë për gazetën Izvestia, sipas agjencisë Tass, foli për dialogun me Uashingtonin lidhur me "stabilitetin strategjik", duke deklaruar se Rusia nuk po i vlerëson lëshimet e mundshme të njëanshme në dialogun për stabilitetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, por është e gatshme ta rifillojë këtë dialog mbi baza të barabarta dhe të balancuara”. Bisedimet SHBA-Rusi për stabilitetin strategjik, START i ri, janë pezulluar, por nuk janë ndaluar.  "Ishte vendim i vështirë - pohoi Ryabkov - vendim politik. Është thënë më shumë se një herë se situata, me përfshirjen më të thellë dhe më të rrezikshme të Shteteve të Bashkuara në zhvillimet në dhe rreth Ukrainës, ndikoi drejtpërdrejt në vendimin tonë”.

08 dhjetor 2022, 14:50