Kërko

 Nostra Signora del Rosario Nostra Signora del Rosario

Papa: t'i vendosim familjet, veçanërisht ato më të brishta, nën vështrimin e Shën Marisë Virgjër

Në video-mesazhin drejtuar kryedioqezës së qytetit argjentinas Rosario me rastin e vitit marian të Kishës kryedioqezane, Papa Françesku fton t’i lutemi Zotit për familjet, veçanërisht ata që "vuajnë nga varfëria, skamja, mungesa e punës"

R. SH. -Vatikan

Një vit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë rrënjët e qytetit dhe të kryedioqezës së Rosarios, në Argjentinë, e cila është shumë e lidhur me Virgjrën Mari. Por edhe një kohë hiri dhe mëshire për një kthim të vërtetë e të thellë te Zoti nëpërmjet ndërmjetësimit të Marisë Virgjër. Mes këtyre horizonteve shpaloset viti kushtuar Virgjrës Mari në kryedioqezën argjentinase të Rosarios, që zhvillohet nga 7 tetori 2022 deri më 7 tetor 2023, me moton “Me Marinë e Rruzares, misionarë për paqe”.

Ftesa është për ta kthyer shikimin drejt Zojës së Bekuar për të kërkuar paqe për qytetin dhe familjet. Në videomesazhin drejtuar Kryedioqezës së Rosarios me rastin e këtij viti Marian, Papa Françesku kujton se më 3 maj të ardhshëm “bie 250 vjetori i ardhjes së Fugurës a Imazhit të Virgjrës Mari” në këtë Kishë dioqezane. Papa Bergoglio ndalet edhe te disa nga plagët që e prekin qytetin argjentinas: “Ne shohim dhunë kudo, dhunë në qytet, pasiguri. Në shumicën e rasteve dhuna është e prodhuar nga trafiku i drogës”. Deri më tani, në vitin 2022, janë “240 persona që kanë të vdekur”, përfshirë fëmijë, të rritur dhe të moshuar.

Nën mbrojtjen e Marisë

Në video-mesazh, Papa bën thirrje t’i lutemi Zotit për familjet dhe për thirrjet e shenjta. “Duam t’i vendosim familjet nën mbrojtjen e Marisë Virgjër, veçanërisht ato që vuajnë varfërinë, skamjen, mungesën e punës”. “Dëshirojmë të vendosim edhe thirrjet e shenjta nën kujdesin e Nënës së Zotit, duke punuar për një kulturë thirrërore: thirrjet në martesë, thirrjen në jetën e përkushtuar, thirrjen në meshtari”. Nga Ati i Shenjtë Bergoglio edhe nxitja për të shtegtuar në Shenjtëroren Mariane në kryedioqezën e Rosarios, “në kërkim të hirit të Tënzot, ku njeriu përjeton dashurinë e Nënës, afërsinë e Krishtit dhe mëshirën e Atit Hyjnor, nëpërmjet sakramentit të Pajtimi a Rrëfimit dhe të ndjesës që na ofron Kisha”. “Ky - përfundon Papa - është një vit Marian, një vit në të cilin Kisha u drejtohet të gjithëve me zemër të hapur; shkon në takim me zemër misionare, me fytyrë misionare”.

09 dhjetor 2022, 09:21