Kërko

Papa shtegtar në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi vizitën apostolike të Françeskut në dy vendet afrikane, nga data 31 janar deri më 5 shkurt 2023. Gjatë ndalesës në Juba ai do të shoqërohet nga kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t dhe nga moderatori i asamblesë së përgjithshme të Kishës luterane të Skocisë

R. Sh. – Vatikan

Papa Françesku e pati ftuar Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut të mos e humbasin “besimin” dhe “shpresën” për një takim të shpejtë. Ishte 2 korriku i këtij viti, dita në të cilën Papa duhej të shkonte, deri më 7 korrik, “për një shtegtim paqeje dhe pajtimi” në ato vende, por e shtyu udhëtimin për arsye shëndetësore. “Mos lejoni t'ju vjedhin shpresën!”, u kërkoi Françesku në një videomesazh drejtuar atyre popullsive, në të cilin shprehte keqardhjen “që u detyrua ta shtynte këtë vizitë të shumëdëshiruar dhe të shumëpritur”. Tani erdhi çasti për ta realizuar këtë shtegtim, siç njoftoi sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila publikoi lajmin zyrtar për vizitën e Françeskut në dy vendet afrikane. U bë i njohur edhe programi i udhëtimit dhe logoja e motoja e dy etapave.

Programi i udhëtimit në Kongo

 Ati i Shenjtë do të niset më 31 janar 2023 për në kryeqytetin e Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, ku pas mbërritjes, do të takohet me presidentin e Republikës, Félix Tshisekedi, si edhe me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. Të nesërmen, më 1 shkurt, ai do të kremtojë meshën në aeroportin e qytetit “Ndolo”, ndërsa pasdite, në nunciaturë, do të ketë dy takime, i pari me viktimat e Lindjes së vendit, i dyti me përfaqësuesit e disa veprave bamirëse. Më 2 shkurt, Françesku do të ketë tre takime, dy publike, me të rinjtë dhe katekistët e më pas, një takim lutjesh me meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët. Pastaj, edhe një takim privat me jezuitët.

Etapa në Sudanin e Jugut

Më 3 shkurt, Papa Françesku do të niset për në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Juba, dhe me të do të jenë kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Ëelby dhe moderatori i asamblesë së përgjithshme të Kishës luterane të Skocisë, Jim Ëallace. Para largimit nga Republika Demokratike e Kongos, gjatë ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e Kinshasës, Papa do të ketë një takim me ipeshkvijtë në selinë e Konferencës Ipeshkvnore të vendit. Në Juba, pas ceremonisë së mirëseardhjes, vizita e kortezisë tek presidenti i Republikës, Salva Kiir Mayardit, në pallatin presidencial, e cila do të pasohet nga një takim me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. Të nesërmen, Papa do të flasë me ipeshkvijtë, diakonët, rregulltarët dhe seminaristët. Më pas, një takim privat me anëtarët e Shoqërisë së Jezusit, një takim publik me të shpërngulurit brenda vendit dhe një lutje ekumenike në mazoleumin “John Garang”. Më 5 shkurt, ditën e nisjes, para ceremonisë së lamtumirës dhe kthimit në Vatikan, Françesku do të kremtojë edhe një meshë në mauzoleumin “John Garang”.

Logo dhe moto

“Të gjithë të pajtuar në Jezu Krishtin” është motoja e udhëtimit në Republikën Demokratike të Kongos, logoja e së cilës ka Papën në qendër të hartës së vendit, që riprodhon ngjyrat e flamurit. Brenda, disa elementë të biolarmisë së tokës kongoleze. Harta - shpjegon komiteti organizativ - është e hapur në perëndim, për të treguar pritjen që i bëhet kësaj ngjarjeje madhështore, si edhe për ta lënë portën hapur për frytet që do të sjellë. Ngjyrat e flamurit kanë kuptime të bukura: e verdha simbolizon pasurinë tokësore e nëntokësore të vendit, faunën dhe florën. Ngjyra e kuqe përfaqëson gjakun e derdhur nga dëshmorët, siç vazhdon të ndodhë në pjesën lindore të vendit. Ngjyra blu, në pjesën e sipërme, shpreh dëshirën më të zjarrtë të çdo kongolezi për paqe.

Ndërsa fraza e zgjedhur si moto për udhëtimin në Sudanin e Jugut është marrë nga Ungjilli sipas Gjonit: “Lutem që të gjithë të jenë një” (Gjn 17). Logoja përmban një pëllumb, hartën e Sudanit të Jugut me ngjyrat e flamurit, kryqin dhe dy duar që shtrëngohen. Të gjitha, imazhe simbolike. Mbi konturet e hartës së vendit shihet pëllumbi me degën e ullirit, që simbolizon dëshirën për paqe të popullsisë sudanojugore. Poshtë pëllumbit, konturet e hartës së Sudanit të Jugut me ngjyrat e flamurit. Në qendër, dy duar që shtrëngohen, për të përfaqësuar pajtimin ndërmjet fiseve, që përbëjnë një komb të vetëm. Së fundi, kryqi në të djathtë, për të përfaqësuar trashëgiminë e krishterë të vendit dhe historinë e vuajtjeve të tij. Pranë kryqit mbishkrimi “Papa Françesku - Sudani i Jugut” dhe data e udhëtimit apostolik.

01 dhjetor 2022, 13:44