Kërko

Bashkësia e Seminarit të Barcelonës (Spanjë) Bashkësia e Seminarit të Barcelonës (Spanjë)  

Papa seminaristëve: jeta juaj qoftë jetë lutjeje, lindur nga falënderimi

Në fjalimin e pashprehur, dorëzuar bashkësisë të Seminarit të Barcelonës, Papa nënvizon se misioni i meshtarëve është ta bëjnë Krishtin "të pranishëm në Eukaristi, në sakramente, në fjalë, në mënyrë që të lindë në zemrat e njerëzve".

R. SH. - Vatikan

“Si flluskë, në tenxheren që vlon, nga dashuria për t’ia çuar Zotin botës”. Papa Françesku përdor këtë metaforë, për t’u treguar thelbin e jetës meshtarake studentëve të Seminarit të Barcelonës, të cilët i priti sot në Vatikan. Në fjalimin e dorëzuar, jo të shqiptuar, Papa kujton se çfarë do të thotë të jesh meshtar i Krishtit.

Jetë me lutje

Në udhën e formimit - vëren - ka dy tundime. I pari është "përqëndrimi mbi gjërat e këqija, duke shikuar vetëm përvojat negative". Tjetri, “paraqitja e një botë idilike dhe irreale”.

“Kujtoni se, kur të jeni meshtarë, detyrimi juaj i parë do të jetë jeta e lutjes, lindur nga falënderimi për  dashurinë e  veçantë që tregoi Zoti ndaj jush, duke ju thirrur në shërbimin e tij. Ky është misteri i parë i gëzueshëm, nga i cili pastaj lind gjithçka”.

Meshtari - vëren Françesku - "nuk i blen shpirtrat me argjend e ar". Pasuria e tij "është vetëm virtyti i emrit të Jezusit". E kjo do të thotë “ta bësh të pranishëm në Eukaristi, në sakramente, në fjalë, që të lindë në zemrat e njerëzve”.

Shoqërimi i mëkatarëve në udhën e jetës

Zoti - kujtoi Papa - na kërkon "flijimin e zemrës, duke hequr dorë nga vullneti ynë, siç na propozon në Gjetseman":

“Duke parë kryqin, ne i çojmë sytë kah qielli dhe shohim fatin tonë. Ju duket e vështirë? Nuk është, mjaftojnë gjërat e thjeshta: shtrati i fortë, dhoma e ngushtë, tryeza e vjetër dhe e varfër, netët te kryet e shtratit të njeriut që jep shpirt, zgjimi heret në mëngjes për të hapur kishën përpara  bareve dhe pritjet, duke shoqëruar Jezusin, mëkatarët dhe të plagosurit në udhën e jetës”.

Të jeni meshtarë të Krishtit

Nga Shpirti Shenjt - shpjegon Papa - vjen dhurata që shoqëron udhëtimin pas thirrjes: jeni meshtar të Krishtit:

“Kurrë mos pushoni së shijuari dhe së kujtuari këtë dashuri, që vërshon dhe do të vërshojë me begati në zemrën tuaj, në shugurimin tuaj dhe në pjesën tjetër të ditëve tuaja. Mos e shuani kurrë atë zjarr, që do t'ju bëjë predikatarë të guximshëm të Ungjillit, shpërndarës të thesareve hyjnore. Bashkojeni korpin tuaj, me atë të Jezusit, si Maria, për t'u flijuar me të në flijën eukaristike, e edhe në lumninë e ngadhënjimit të Tij”.

Së fundi, Papa u bëri thirrje seminaristëve të marrin rruzaren e t'i luten Marisë, Mbretëreshës dhe Nënës së Mëshirës, t'i ndihmojë "të zbulojnë misteret e meshtarisë:

“E edhe për të kundruar misteret e Birit të saj, duke pranuar se gëzimi i ndjekjes dhe bashkimi i përkryer me Të përmbi  kryq, janë e vetmja rrugë drejt lumnisë”.

10 dhjetor 2022, 13:21