Kërko

Konflikti në Nagorno Karabakh Konflikti në Nagorno Karabakh  

Françesku për Kaukazin: zgjidhje paqësore, për të mirën e njerëzve

Në fund të lutjes së Engjëllit, Françesku shprehu shqetësimin për situatën humanitare në Nagorno-Karabakh, ku që nga 12 dhjetori azerët bllokuan korridorin e Laçinit, e vetmja lidhje me Armeninë, duke izoluar mijëra njerëz dhe duke penguar furnizimin me ushqime dhe ilaçe. Një mendim edhe për Ukrainën: "Virgjëresha Mari i prektë zemrat e njerëzve, që mund ta ndalojnë luftën. Të mos i harrojmë vuajtjet e banorëve të këtij vendi të martirizuar!".

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, i shqetësuar për bllokimin e Korridorit të Laçinit, u drejtohet 120 mijë armenëve të Nagorno-Karabakut, përfshirë 30 mijë fëmijë, aktualisht të izoluar, pa ushqim e ilaçe, me nevoja nga më elementaret. Në përfundim të Engjëllit, Papa shprehu shqetësimin e tij për situatën humanitare në Republikën e Artsakhut, ku nga 12 dhjetori i kaluar, azerët për "arsye ambientale" bllokuan një pjesë toke rreth nëntë kilometra të gjerë, e vetmja lidhje ndërmjet Armenisë dhe Nagorno-Karabakut:

“Më shqetëson situata në Korridorin e Laçinit, në Kaukazin e Jugut. Në veçanti, shqetësohem për kushtet e pasigurta humanitare të popullatave, të cilat  mund të vuajnë edhe më shumë gjatë stinës së dimrit”.

Papa kërkon zgjidhje paqësore

Papa u bën thirrje “të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë situtatë, të angazhohen për të gjetur zgjidhje paqësore, për të mirën e njerëzve”.

Përveç izolimit dhe pamundësisë për të garantuar furnizime, shumë familje janë të ndara, ndaj të sëmurët nuk mund të arrijnë në Armeni për kujdesin e duhur mjekësor. Njëheresh me këtë pengesë serioze, ditët e fundit u mbyll gazsjellësi që kalon nëpër territorin nën kontrollin e Azerbajxhanit, nga Armenia në Artsakh. Goditje e rëndë kjo, edhe për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Bashkimi Evropian u bëri thirrje menjëherë autoriteteve të Azerbajxhanit që të garantojnë lirinë dhe sigurinë e lëvizjes përgjatë Korridorit, në përkim me deklaratën trepalëshe të 9 nëntorit 2020,  nënshkruar nga Rusia, Armenia dhe Azerbajxhani. Bllokada e Korridorit shkakton shqetësime serioze humanitare për popullatën vendase - paralajmëron BE -ja.

Thirrje për Ukrainën

Edhe sot  - si në çdo lutje të së Dielës, që nga 24 shkurti - Papa e kujtoi me pikëllim të thellë Ukrainën e rrënuar nga konflikti, nga dritarja e Pallatit Apostolik. E prej asaj dritareje me emrin e Engjëllit, që ka dëgjuar aq shumë thirrje për paqe, liri e begati, ia besoi Virgjërës Mari fatet e Ukrainës, duke theksuar

 "Marisë i kërkojmë t’i prekë zemrat e atyre, që mund të ndalojnë luftën në Ukrainë. Të mos i harrojmë vuajtjet e atyre njerëzve, sidomos të fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve. Të lutemi, të lutemi!”.

18 dhjetor 2022, 13:16