Kërko

8 dhjetor: Papa në lutje drejtuar Virgjërës Mari: në mesin e reve të errëta, ti o Zojë je shpresa jonë

Papa Françesku shkoi përsëri në në Sheshin e Spanjës, në qendër të Romës, për t’iu lutur Zojës së Papërlyer, në solemnitetin e saj. Ati i Shenjtë iu lut Virgjërës Mari që dashuria të fitojë mbi urrejtjen; e vërteta – mbi gënjeshtrën; falja - mbi fyerjen; paqja - mbi luftën. Nisi kështu vizitën e dytë të Festës, pas lutjes në Bazilikën e Zojës së Madhe.

R.SH. - Vatikan

Në një Romë  të ngarkuar me re, makina me Papën Françesku mbërriti në Piazza Mignanelli rreth orës 16,00. Pranë Sheshit të njohur të Spanjës, ku ngrihet monumenti kushtuar Zojës së Papërlyer, e ku u rikthye turma e madhe, që mungoi në kohët e pushtuara nga pandemia.

 Me hap të ngadaltë, me një shportë me trëndafila në duar, Papa shkoi drejt shtatores së Virgjërës Mari, për t’i bërë homazhe në ditën e festës së Saj, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer.

Ati i Shenjtë u ndal në lutje, për t’i kërkuar Virgjërës “mrekullinë e  paqes".

Traditë e gjatë

Traditë më se 60-vjeçare, kjo e Papëve, që çdo vit bashkojnë duart në lutje para shtatores mariane aq të dashur për popullin e Romës i cili u rikthye sivjet në Sheshin e Spanjës dhe rrugët përreth. Ashtu edhe  Papa, që u rikthye tek tradita e lashtë duke i bërë Zojës homazhe pasdite, duke nisur nga ora 16.00. Pra tradita vijon.

Si zakonisht, që në agim, një nga zjarrfikësit u ngjit me shkallë deri tek shtatorja, që lartohet mbi 10 metra nga toka, dhe i vendosi Zojës në krah një kurorë me lule. Poshtë shtatores, njerëz ardhur aty që në orët e para të mëngjesit.

Devocion i lashtë

Monumenti marian është realizuar nga arkitekti Luigi Poletti dhe skulptori Giuseppe Obici, për nder të dogmës së Zojës së Papërlyer, shpallur nga Papa Piu IX, në vitin 1854, me kushtetutën “Ineffabilis Deus”. Vetë Papa Mastai deshi që të lartohej një shtatore në Romë, për t’u kujtuar ngjarjen brezave të ardhshëm. E po ai zgjodhi vendin, që dukej më i përshtatshëm, por edhe më simbolik: sheshin përballë ambasadës spanjolle pranë Selisë së Shenjtë, meqenëse pikërisht në vendin iberik lulëzoi përkushtimi më i thellë ndaj Zojës së Papërlyer. Në “Pallatin e Spanjës”, më pas, u ndërtua një ballkon i vogël, që i dha mundësinë Papës të merrte pjesë në përurimin e monumentit.

Për të u përdor një kolonë romake prej mermeri, rreth 12 metra e gjatë, me diametër 1,45 metra, gjetur në vitin 1777 në një ndërtesë benediktine në Santa Maria in Campomarzio. Punimet u financuan nga Ferdinandi II, mbret i Dy Siçilive, si gjest pajtimi me Kishën. Guri i parë u vendos më 6 maj 1855, me bekimin e kardinalit Giacomo Filippo Franzoni, prefekt i Propaganda Fide-s, që e ka selinë pikërisht përballë monumentit. U deshën dyqind zjarrfikës për të ngritur kolonën në mbrëmjen e 18 dhjetorit 1856. Tetë muaj më vonë, në majë të saj u vendos shtatorja prej bronzi e Zojës. I pari, që i bëri homazhe, ishte Papa Piu XII, i cili dërgoi lule të bardha me rastin e solemnitetit të Zojës së Papërlyer; më pas, më 8 dhjetor 1953, për hapjen e Vitit Marian, shkoi edhe personalisht në Sheshin e Spanjës.

Akti i nderimit

Akti i nderimit, siç njihet sot nga besimtarët, ka qenë ide e Papës shenjt Gjoni XXIII, ndjekur nga gjithë Papët e mëpasëm. Papa tjetër shenjt, pasardhësi i tij i drejtpërdrejtë Pali VI u lut në këmbët e Virgjërës me rastin e mbylljes së Koncilit II të Vatikanit (8 dhjetor 1965) e, në periudhën e krizës së naftës, shkoi tek ajo me karrocë. Edhe Gjon Pali II e Benedikti XVI nuk munguan kurrë në këtë takim, duke i dhënë edhe një strukturë të përcaktuar: lutja, shqiptuar para autoriteteve të qytetit, vendosja e luleve, leximi i një fragmenti nga Shkrimi Shenjt. Tradita ruhet nga Papa Françesku, i cili i shtoi etapën e bazilikës së Zojës së Madhe, ku ndodhet fugurja mariane e pajtores së Romës, “Salus Populi Romani”, që, sipas traditës, është pikturuar nga Shën Luka.

08 dhjetor 2022, 14:57