Kërko

Papa pret anëtarët e "Amitié Judeo-Chretienne de France" Papa pret anëtarët e "Amitié Judeo-Chretienne de France"

Papa: hebrenjtë e të krishterët të vazhdojnë dialogun, pavarësisht nga kundërshtitë

Françesku u takua me anëtarët e Amitié Judéo-Chrétienne të Francës dhe i inkurajoi të vazhdojnë udhën e përbashkët, “pavarësisht nga ridukja shqetësuese e antisemitizmit, sidomos në Evropë, si edhe e dhunës kundër të krishterëve”

R.SH. – Vatikan

Pavarësisht nga pesha e historisë, nganjëherë e dhimbshme dhe megjithë paragjykimet e ndërsjella, rruga e përshkuar nga hebrenjtë dhe të krishterët është e gjatë dhe e frytshme. Me këto fjalë i priti sot Papa Françesku anëtarët e Amitié Judéo-Chrétienne de France, të cilët i inkurajoi të "ngulmojnë në këtë rrugë dialogu, vëllazërimi dhe nismash të përbashkëta":

“Sepse kjo vepër e bukur, që konsiston në krijimin e lidhjeve, është e brishtë, duhet konsoliduar gjithmonë, veçanërisht në këto kohë të errta ku qëndrimet e mbylljes në vetvete dhe refuzimi i të tjerëve po bëhen gjithnjë e më të shumta, edhe me rishfaqjen shqetësuese të antisemitizmit, veçanërisht në Evropë, si edhe të dhunës kundër të krishterëve”.

Mësimi i “Nostra Aetate”

Papa kujtoi figurën e njërit prej themeluesve të Amitié, Jules Isaac, i cili luajti "rol kryesor në afrimin ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve, pas tragjedisë së Luftës II Botërore". Ishte gjithashtu, përkrahës i madh i Deklaratës konciliare “Nostra Aetate”, "tekst, që e ruan aktualitetin dhe kujton trashëgiminë e madhe shpirtërore, të përbashkët për të krishterët dhe hebrenjtë". Pastaj, Ati i Shenjtë falënderoi organizatën për ndihmën ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, që ata "të ecin përpara duke e njohur më mirë njëri-tjetrin, në mirëkuptim, respekt dhe miqësi të ndërsjellë":

“Ju falënderoj për këtë punë, që po e kryeni pa u lodhur që prej 70 vitesh. Ajo ka kontribuar gjerësisht për t’i ndihmuar hebrenjtë dhe të krishterët ta shohin veten si vëllezër, bij të të njëjtit Atë, të cilët "po presin ditën, që e njeh vetëm nga Hyji, kur të gjithë popujt do t'i luten Zotit me një zë të vetëm dhe ‘krahakrahas t’i shërbejnë’ (Sof 3,9)”.

Në përfundim, Papa Françesku siguroi se do t’i mbështesë nismat e “Amitié Judéo-Chrétienne de France”, si edhe ato të gjithë hebrenjve e të krishterëve, që punojnë për vëllazërimin më të madh ndërmjet tyre.

12 dhjetor 2022, 14:22