Kërko

Papa me anëtarët e Forumit të Shoqatave Familjare Papa me anëtarët e Forumit të Shoqatave Familjare

Papa: familja të jetë faktor vëllazërimi, të reagojmë kundër dimrit demografik

Duke pritur në audiencë Forumin e Shoqatave Familjare, Françesku nënvizoi se gëzimi i të qenit familje është ai realitet konkret i prindërve, fëmijëve, gjyshërve, xhaxhallarëve dhe kushërinjve, që përpiqen çdo ditë të ecin përpara me stilin e thjeshtësisë dhe të shërbimit. Papa kërkoi një politikë më të mirë për familjet dhe bëri thirrje për vendime konkrete kundër uljes së numrit të lindjeve: “Kemi nevojë për fëmijë”

R.SH. – Vatikan

         Një zë “i aftë për të interpretuar realitetin dhe nevojat e familjeve italiane, veçanërisht të atyre me shumë fëmijë, të cilat penalizohen padrejtësisht”. Kështu e quajti Papa Françesku Forumin e Shoqatave Familjare, pritur sot paradite në audiencë. Familjet dëshmojnë “gëzimin e të qenit familje”, shpjegoi Ati i Shenjtë, e ky është mesazhi qendror i Nxitjes apostolike “Amoris laetitia”. Gëzimi mbetet, pavarësisht se familjet mund të kalojë çaste të lumtura a të dhimbshme, më të qeta apo më të vështira, nganjëherë, edhe tepër të rënda.

         “Ka një gëzim, që i përshkon të gjitha këto situata, sepse ndodhet në një nivel më të thellë dhe vjen pikërisht nga të qenit familje, perceptuar si dhuratë, me një ndjenjë intime mirënjohjeje. Një mirënjohje, që i drejtohet para së gjithash Zotit e, pastaj, paraardhësve tanë, stërgjyshërve, gjyshërve, prindërve; por edhe fëmijëve dhe nipërve, sigurisht, sepse të vegjlit e rigjallërojnë ‘amoris laetitia’ tek të moshuarit dhe tek të rriturit”.

Dialogu me institucionet për të mirën e përbashkët

         Çdo familje ka historinë e vet, nënvizoi Françesku, por gëzimi i përbashkët dëshmohet me stilin e thjeshtësisë e të shërbimit “me të cilin prindërit dhe fëmijët, së bashku me gjyshërit, xhaxhallarët dhe kushërinjtë përpiqen të ecin dita-ditës”. Papa e nxiti Forumin të vazhdojë të ndihmojë institucionet për “një politikë më të mirë për familjet dhe me familjet”, “me bazë doktrinën dhe praktikën shoqërore të Kishës”, në kërkim të së mirës së përbashkët.

         “Familja e krishterë - por do të thosha edhe çdo familje e themeluar mbi dashurinë - është e hapur dhe e vëmendshme ndaj gjithçkaje, që ndodh jashtë shtëpisë, përpiqet të jetë mikpritëse dhe solidare, duke filluar nga gjendjet më të afërta, në banesë, në lagje e deri tek ato të një niveli shoqëror më të gjerë, si edhe tek ato të vendeve e të kontinenteve të tjera. Familja është e thirrur të jetë faktor vëllazërimi, faktor miqësie shoqërore, e rrënjosur në një territor e, njëkohësisht, mendjehapur për botën”.

Të luftohet prirja për uljen e numrit të lindjeve

         Më pas, Papa kërkoi të bëhet ç’është e mundur për të luftuar prirjen për të mos bërë fëmijë, që vërehet sidomos në vendet perëndimore. “Kemi nevojë për fëmijët”, nënvizoi Françesku, duke kritikuar ata, që janë gati të mbajnë ndonjë qen apo kafshë tjetër shtëpiake, por jo një fëmijë. Pastaj, i këshilloi familjet të kujdesen për veten, për marrëdhëniet brenda çiftit e për ato me fëmijët. Kushtojini kohë lutjes e dialogut, u tha Ati i Shenjtë, duke dhënë shembullin e bashkëshortëve të lumë, Luigi e Maria Beltrame Quattrocchi dhe duke ua besuar familjet mbrojtjes së Virgjërës Mari e të Shën Jozefit.

02 dhjetor 2022, 15:05