Kërko

Papa e kujton Benediktin XVI me mirënjohje ndaj Zotit që ia dhuroi Kishës

"Me emocion e kujtojmë personin e tij kaq fisnik, kaq të përzemërt, të sjellshëm. Vetëm Zoti e di vlerën dhe forcën e ndërmjetësimit të tij, të sakrificave të tij të ofruara për të mirën e Kishës". Kështu Papa Françesku e kujtoi "shumë të dashurin" Papën e Nderit Benediktin XVI që sot u nda nga jeta, në predikimin gjatë kremtimit të Lutjes Mbrëmësore të Parë të festës së Virgjrës Mari Nënës së Hyjit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

“Duke folur për mirësinë, përzemërsinë, pikërisht tani, mendimi shkon në mënyrë spontane te i dashuri Papa i nderit Benedikti XVI, i cili na la këtë mëngjes. Me emocion e kujtojmë personin e tij kaq fisnik, kaq të përzemërt. Dhe në zemrat tona ndjejmë kaq shumë mirënjohje”.

Lutja Mbrëmësore dhe 'Te Deum' në fund të vitit janë tradicionalisht ceremoni në të cilat Papa dhe Kisha shprehin falënderimet dhe mirënjohjen për vitin e kaluar. E Ati i Shenjtë Françesku sonte nuk mungoi të shprehte këtë mirënjohje edhe për mundësinë që pati të kishte pranë një figurë si Papa i Nderit Benedikti XVI, i cili ndërroi jetë sot në mëngjes në moshën 95-vjeç në fund të vitit 2022, pak më pak se 10 vjet pas dorëheqjes së tij historike nga papnia në shkurt 2013.

"Mirënjohje Zotit që ia dhuroi Kishës dhe botës, mirënjohje për të gjitha të mirat që ka bërë dhe mbi të gjitha për dëshminë e fesë dhe të lutjes, veçanërisht në këto vitet e fundit të jetës së tij të tërhequr. Vetëm Zoti e di vlerën dhe forcën e ndërmjetësimit të tij, të sakrificave të tij të ofruara për të mirën e Kishës”, tha Papa Françesku në homelinë e liturgjisë së lutjes mbrëmësore të festës së Virgjrës Mari Nënës së Hyjit dhe lutjes së falënderimit 'Te Deum' drejtuar Zotit sot në mbremje në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË FRANCESKU

Mbrëmësorja e Parë e Nënës së Shenjtë të Zotit dhe Te Deum

31 dhjetor 2022

Është Natë e Madhe, Natë që lajmëron fundin e një viti, me të mirat e të vështirat e veta, e lindjen e një viti të ri, ngarkuar me shpresa të reja. Për vitin që shkoi e falënderojmë nga gjithë zemra Zotin, për atë që vjen, i lutemi të na shoqërojë në çdo hap, sepse pa Të nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë të mirë e të dobishme. Në këtë atmosferë i kremtoi Papa Mbrëmësoret e Nënës së Shenjtnueshme të Zotit e Te3 Deum – falënderimin drejtuar nga miliona zemra Zotit për mbrojtjen e Tij gjatë një viti ngarkuar me të mira e të vështira.

 Kur u plotësua koha…

Kur u plotësua koha, Zoti u bë njeri. Nuk erdhi në botë duke rënë nga qielli i lartë; lindi nga Maria. Nuk lindi në një grua, por nga një grua. E kjo do të thotë se deshi të merrte korpin prej saj. Nuk e përdori, por i kërkoi pëlqimin. E me të filloi udha e ngadaltë e shtatzënisë së një njerëzimi të lirë nga mëkati, plot me hir e vërtetësi, me dashuri e  besnikëri!

Me këto fjalë plot optimizëm e nisi Papa homelinë e fundit të një viti jo të lehtë për t’u jetuar, ngarkuar me sëmundje e me luftëra, por edhe me shpresa për një njerëzim të bukur, të mirë, të vërtetë,  sipas shëmbëllimit të Zotit, ndonëse të krijuar me korpin e dhuruar nga Maria: kurrë pa të, gjithnjë me miratimin e saj; në liri, respekt, dashuri!

Rruga që zgjodhi Zoti

Kjo është rruga që zgjodhi Zoti për të hyrë në botë e në histori, kjo, mënyra, Amësia  hyjnore e Marisë. Një njerëzim i bukur, i mirë dhe i vërtetë, sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë, por i ndërthurur me korpin tonë, ofruar nga Maria; kurrë pa të; gjithmonë me pëlqimin e saj; në liri, në shpërblim, në respekt, në dashuri.

Respekti i Zotit për lirinë tonë

Kjo është udha që zgjodhi Zoti për të hyrë në botë dhe në histori – vijoi të shpjegonte Papa - E kjo udhë është themelore, po aq themelore, sa vetë fakti i ardhjes. Amësia hyjnore e Marisë - amësi virgjërore, virgjëri e frytshme - është udha që zbulon kulmin e respektit të Zotit për lirinë tonë. Ai, që na krijoi pa ne, nuk dëshiron të na shpëtojë pa ne (krh. Shën Augustini, Sermo CLXIX, 13).

Kjo mënyrë e ardhjes për të na shpëtuar, është udha të cilën na fton ta ndjekim edhe ne, të vazhdojmë, së bashku me të, të endim njerëzimin e ri, të lirë, të pajtuar. Është një stil, një mënyrë e lidhjes me ne, nga e cila burojnë virtytet e shumta njerëzore të bashkëjetesës së mirë dhe dinjitoze: “Një nga këto virtyte është mirësjellja, si stil jetese, që favorizon vëllazërinë dhe miqësinë shoqërore (krh. Enc. Fratelli tutti, 222-224).

Kujtimi Benediktit XVI

Duke folur për mirësinë, mirësjelljen, përzemërsinë, pikërisht tani, mendimi shkon në mënyrë spontane te i dashuri Papa i nderit Benedikti XVI, i cili na la këtë mëngjes. Me emocion e kujtojmë personin e tij kaq fisnik, kaq të përzemërt. Dhe në zemrat tona ndjejmë kaq shumë mirënjohje”. "Mirënjohje Zotit që ia dhuroi Kishës dhe botës, mirënjohje atij për të gjitha të mirat që ka bërë dhe mbi të gjitha për dëshminë e fesë dhe të lutjes, veçanërisht në këto vitet e fundit të jetës së tij të tërhequr. Vetëm Zoti e di vlerën dhe forcën e ndërmjetësimit të tij, të sakrificave të tij të ofruara për të mirën e Kishës”. E sonte dëshiroj ta propozoj rishtas mirësinë si virtyt qytetar, duke menduar veçanërisht për dioqezën tonë të Romës.

Mirësjella dhe dialogu

Mirësia - vijoi të kujtojë Papa në homelinë e kësaj Nate të madhe, natë e fundit e një viti kaluar me të mira e të vështira – për të cilat një botë e tërë falënderon dorën shpëtimtare të Zotit -  është faktor i rëndësishëm i kulturës së dialogut. E dialogu është i domosdoshëm për të jetuar në paqe, si vëllezër dhe motra që nuk shkojnë gjithmonë mirë – është normale – por që megjithatë flasin me njëri-tjetrën, dëgjojnë njëri-tjetrën, takohen me njëri-tjetrën. Le të mendojmë – nënvizoi Papa – ç’ do të ishte bota pa dialogun  durimtar të shumë njerëzve bujarë, që i mbajnë lidhur tok familje e bashkësi:

“Dialogu këmbëngulës dhe i guximshëm nuk bën bujë, si kacafytjet e konfliktet, megjithatë ai e ndihmon me takt botën të jetojë më mirë” (ibid., 198). E mirësia është pjesë e dialogut. Nuk është vetëm çështje ‘etikete’; nuk bëhet fjalë për ‘mirësjellje’, për forma të njerëzishme... Jo, nuk nënkuptojmë këtë, kur flasim për mirësi. Është fjala për një virtyt që duhet ushqyer e duhet ushtruar çdo ditë, nëse duam të shkojmë kundër rrymës dhe t’i humanizojmë shoqëritë tona”.

Yje në mes të territ, përballë individalizmit konsumistik

Në vijim të kësaj homelie të shkurtë e kuptimplote, e cila ka të bëjë me një vit jete që shkoi për çdo banor të Planetit - por edhe me një vit që po vjen, ngarkuar me një mori të panjohurash, Papa u ndalua edhe tek dëmet e individualizmit konsumist, që e kanë para sysh të gjithë: “Dëmi më i rëndë është se të tjerët, njerëzit përreth nesh, perceptohen si pengesa për qetësinë tonë, për rehatinë tonë. Të tjerët na ‘bezdisin’, na shqetësojnë, na marrin kohën dhe burimet për të bërë çka dëshirojmë. Shoqëria individualistike dhe konsumistike ka prirjen e agresivitetit, sepse të tjerët janë kundërshtarë, me të cilët duhet konkurruar (krh. po aty, 222). Megjithatë, pikërisht brenda këtyre shoqërive tona, madje edhe në situatat më të vështira, ka njerëz që dëshmojnë se ‘është ende e mundur të zgjedhësh mirësjelljen dhe kështu, me stilin e tyre të jetesës, ‘bëhen yje në mes të territ’".

E Papa më pas citoi Letrën e Shën Palit drejtuar Galatasve, nga e cila u frymëzua kjo liturgji. Letër, që flet për frytet e Shpirtit Shenjt, ndërmjet të cilave përmend edhe fjalën greke chrestotes (shih 5:22) – që na kujton "mirësinë": qëndrimin dashamirës, ​​i cili mbështet dhe ngushëllon të tjerët duke shmangur çdo ashpërsi dhe egërsi. Mënyrën për t’i trajtuar të tjerët, duke qenë të kujdesshëm për të mos i lënduar me fjalë ose gjeste; duke u përpjekur për t’ua lehtësuar barrën e të tjerëve, për t’i inkurajuar, për t’i lehtësuar, për t’i ngushëlluar; pa i poshtëruar kurrë, pa i lënduar, pa i përbuzur kurrë” (krh. Fratelli tutti, 223).

Mirësia, ilaç kundër disa sëmundjeve të shoqërive tona:

Mirësia - kujtoi Papa në vijim të Homelisë së kësaj nate të jashtëzakonshme, ngarkuar me falënderimet drejtuar Zotit për një vitt ë tërë jete - është ilaç kundër disa sëmundjeve, nga të cilat vuajnë shoqëritë tona: “… kundër mizorisë, e cila fatkeqësisht mund të depërtojë si helm në zemër dhe t’i helmojë marrëdhëniet; kundër ankthit dhe furisë së pakontrolluar, që na bëjnë të përqendrohemi te vetja dhe të mos i përfillim të tjerët (krh. po aty, 224). Këto ‘sëmundje’ të jetës sonë të përditshme na bëjnë agresivë dhe të paaftë për të kërkuar ‘leje’, për të shqiptuar një ‘më falni’, apo thjesht ‘për të falënderuar”.

E kështu - vijoi - kur takojmë një njeri të sjellshëm në rrugë, në një dyqan ose në një zyrë, habitemi, na duket një mrekulli e vogël, sepse për fat të keq mirësia nuk është më aq e zakonshme: “Megjithatë, falë Zotit, ka ende njerëz të sjellshëm, që dinë të lënë mënjanë shqetësimet e tyre për t'u kushtuar vëmendje të tjerëve, për të buzëqeshur, për t’u thënë një fjalë inkurajimi, për të dëgjuar dikë që u beson e që dëshiron të shfryjë brengat e shpirtit”.

Në përfundim bindja se rikthimi mirësisë si virtyt personal dhe qytetar në jetën e njerëzve, mund të ndihmojë shumë në përmirësimin e jetës në familje, në bashkësi, në qytete e fshatra.

Urime për një Vit të Ri për Romën e për botën!

Duke parë vitin e ri të qytetit të Romës – kujtoi Papa në përfundim të kësaj homelie kuptimplote, ngarkuar me të priturat e të papriturat e vitit që vjen - dëshiroj t’u uroj të gjithëve, që jetojmë  këtu, të rritemi në këtë virtyt: në mirësi! Përvoja mëson se, po të bëhet mënyrë e të jetuarit, mund të krijojë një bashkëjetesë të shëndetshme, mund t’i humanizojë marrëdhëniet shoqërore duke i dhënë fund agresionit dhe indiferencës.

Në gjunjë para Virgjërës-Nënë

Në përfundim të homelisë, Papa i ftoi të gjithë të gjunjëzohen para ikonës të Nënës-Virgjër. Sot dhe nesër, këtu në Bazilikën e Shën Pjetrit – kujtoi - mund ta nderojmë edhe në figurën e Zojës Karmë të Avigliano, pranë Potencës. Le të mahnitemi nga zgjedhja e Zotit, i cili mund të ishte shfaqur në botë në një mijë mënyra duke treguar fuqinë e tij, ndërsa deshi të zihej me liri të plotë në kraharorin e Marisë, të formohej për nëntë muaj, si çdo foshnjë dhe, më në fund, të lindej prej saj, të lindej nga gruaja!

“Të ndalemi për ta soditur dhe për ta medituar, sepse këtu është një çast themelor i misterit të shëlbimit. E le të përpiqemi të mësojmë ‘metodën’ e Zotit, respektin e tij të pafund, ‘mirësinë’ e Tij, sepse në amësinë hyjnore të Virgjërës kalon rruga për një botë më njerëzore”.

Me këto fjalë e përfundoi Papa homelinë, për të vijuar një kremtim  ngarkuar me kujtimet e vitit, që kaloi – por edhe me ëndrrat për atë që po vjen, ngarkuar me të panjohurat e veta, që po ia besojmë sonte Zotit! Te Deum!

31 dhjetor 2022, 18:41