Kërko

Papa me përfaqësuesit e Belizes, Bahamas, Tajlandës, Norvegjisë, Mongolisë, Nigerit, Ugandës dhe Sudanit, të cilët paraqitën letrat kredenciale në Vatikan Papa me përfaqësuesit e Belizes, Bahamas, Tajlandës, Norvegjisë, Mongolisë, Nigerit, Ugandës dhe Sudanit, të cilët paraqitën letrat kredenciale në Vatikan

Papa, ambasadorëve të rinj: “Hidhni dritë në qoshet më të errta të botës”

Diplomacia dhe mirëqenia e burrave dhe e grave të pesë kontinenteve, në qendër të fjalimit të Papës me përfaqësuesit e Belizes, Bahamas, Tajlandës, Norvegjisë, Mongolisë, Nigerit, Ugandës dhe Sudanit, të cilët paraqitën letrat kredenciale në Vatikan. Françesku u flet për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, për paqen e qëndrueshme dhe kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët, duke theksuar vlerën e trashëgimisë kulturore të çdo vendi: “Bëhuni artizanë të paqes”

R.SH. – Vatikan

         “Ndërsa merrni përsipër përgjegjësitë tuaja të reja, dëshiroj së pari të vë në dukje mënyrat e shumta me të cilat kombet tuaja kontribuojnë për të mirën e përbashkët, jo vetëm të qytetarëve të tyre, por të gjithë familjes njerëzore”. Këto ishin fjalët e Papës sot paradite, për ambasadorët e rinj të  Belizes, Bahamas, Tajlandës, Norvegjisë, Mongolisë, Nigerit, Ugandës dhe Sudanit, që paraqitën letrat kredenciale. Të gjithë i bashkon “shqetësimi për bashkësinë ndërkombëtare, siç tregohet nga pjesëmarrja në organizata dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare, të cilat janë shprehje praktike e nevojës për solidaritet dhe bashkëpunim ndërmjet popujve”.

E mira e përbashkët

         Françesku foli për një “detyrë jetike dhe kolektive”, duke sqaruar thelbin e diplomacisë:

“Të përpiqet për ta ruajtur dhe për ta çuar përpara mirëqenien e burrave dhe të grave në mbarë botën, veçanërisht në ditët tona, të karakterizuara nga probleme të vazhdueshme, që lidhen me krizën globale shëndetësore dhe me konfliktet e dhunshme në mbarë botën, ku veprimi i bashkërenduar i gjithë familjes së kombeve dhe puna e diplomacisë nevojiten më shumë se kurrë. Pa to nuk është e mundur të mbrohen dinjiteti dhe të drejtat njerëzore të të gjithëve, të promovohet drejtësia, pajtimi dhe dialogu për hir të paqes së qëndrueshme dhe të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët, si dhuratë e çmuar për ne dhe për brezat e ardhshëm”.

E drejta ndërkombëtare është shkelur

Në fjalimin e Papës, u kthye sërish shprehja “lufta e tretë botërore pjesë-pjesë”, për të përshkruar ç’po ndodh në mbarë botën. Ati i Shenjtë denoncoi “shtimin e shkeljeve të ligjit ndërkombëtar”, duke u kërkuar ambasadorëve më tepër ndjeshmëri politike për këtë. Françesku paralajmëroi se “konfliktet shumë të gjata ka rrezik të duken të zakonshme për opinionin publik” dhe u bëri thirrje të gjithëve “të tregojnë vigjilencë më të madhe dhe t'i përgjigjen thirrjes për të qenë ndërtues të paqes në kohën tonë”.

Trashëgimi botërore kulture dhe vlerash

“Në përballimin e këtyre sfidave - pohoi Papa Françesku - secili nga kombet tuaja, qofshin të lashta apo të reja, mund të bazohet në një trashëgimi të madhe thesaresh historike, intelektuale, teknologjike, artistike dhe kulturore, të cilat janë kontribute unike dhe të veçanta të popujve”. Francesku i bëri “homazh zgjuarsisë së atyre, që ju përfaqësoni dhe që me siguri, do të lërë trashëgim të mirën për të ardhmen”. Më pas, shpjegoi:

“Unë i shoh pasuritë tuaja kombëtare jo vetëm si aftësi dhe kompetenca për t'u lavdëruar dhe për t’u kultivuar, as thjesht si standarde të larta për t'u krenuar me të drejtë; aftësitë dhe talentet tuaja janë dhurata, që mund të vihen në shërbim të gjithë botës, si në bashkëpunimin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh, për ta përmirësuar njerëzimin”.

Të drejtat themelore të njeriut

Duke ofruar bujarisht burimet e tyre materiale, njerëzore, morale dhe shpirtërore - shtoi Papa - vendet i përgjigjen një thirrjeje fisnike dhe thelbësore:

“Vetëm duke bërë përpjekje për t’i përballuar problemet e njerëzimit gjithnjë e më të bashkuar e më solidarë, vetëm atëherë do të gjenden zgjidhje. E jo vetëm ato të përmendura më lart. Është e nevojshme t'i kushtohet vëmendje situatave të tjera, tejet të përhapura, ku cënohen të drejtat themelore të njeriut, si: mungesa universale e ujit të pijshëm, ushqimit ose e kujdesit shëndetësor bazë; nevoja për të siguruar arsimimin për gjithë të përjashtuarit prej tij; si edhe mundësia e punës dinjitoze për të gjithë”.

Të ligështit

Mendimi i Papës iu drejtua veçanërisht më të ligshtëve: “Mendoj për të sëmurët, të paaftët, të rinjtë - veçanërisht vajzat - që nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të realizuar potencialin e tyre; si edhe për ata që vijnë nga kontekste të varfëra me rrezikun të lihen pas, të harrohen apo edhe të përjashtohen qëllimisht nga pjesëmarrja e plotë në jetën e bashkësive të tyre”.

Qoshe të errëta

Françesku u kujtoi diplomatëve se roli i tyre, “përmes ndërgjegjësimit të vazhdueshëm për gjendjen e të mënjanuarve të shoqërisë”, mund të kontribuojë “për të hedhur dritë në qoshet më të errëta të botës, për t’i vendosur në qendër njerëzit e periferive dhe për t'u dhënë zë atyre, që s’e kanë, ose atyre, që ua kanë mbyllur gojën”. “Shpresoj – i inkurajoi Papa ambasadorët e rinj - që në ushtrimin e funksioneve tuaja të larta, të jeni në gjendje të kërkoni, si këtu në Romë, ashtu edhe gjetiu, mënyra të reja dhe krijuese për të nxitur solidaritetin dhe miqësinë shoqërore, veçanërisht me vëllezërit dhe motrat më të ligështa”.

Bashkëpunim dhe mbështetje

Nga ana e tij, Papa garantoi “bashkëpunimin dhe mbështetjen e Sekretarisë së të Shtetit të Vatikanit dhe të Dikastereve e Zyrave të Kuries Romake”: “Bazuar në nismat e shumta ekzistuese dhe në fushat me interes të përbashkët, kam besim se marrëdhëniet pozitive dhe të përzemërta ndërmjet vendeve tuaja dhe Selisë së Shenjtë do të vijojnë e do të japin fryte”.

15 dhjetor 2022, 12:40