Kërko

Shkollë në Romë Shkollë në Romë 

Ndërmjet fesë e dialogut, Papa tregon sfidat për shkollat katolike

Për Françeskun, arsimi është pjesë përbërëse profetike e Kishës, thirrje që shkon shumë më përtej kornizës së lëndëve mësimore. Ky, mendimi i Papës, shprehur në një letër dërguar Kongresit Botëror për Arsimin Katolik, organizuar nga OIEC (Zyra Ndërkombëtare e Edukimit Katolik), në Marsejë, ku do të vijojë deri më 3 dhjetor.

R. SH. - Vatikan

Arsimi është "detyrë e pashmangshme", “sfidë urgjente" e, për të krishterin, "mënyrë për të marrë pjesë në rolin profetik që Jezusi ia la Kishës së tij". Me këto fjalë Papa Françesku u drejtohet pjesëmarrësve në Kongresin Botëror për Arsimin Katolik, organizuar nga Oiec (Zyra Ndërkombëtare e Arsimit Katolik), këtë vit me titullin: “Shkolla Katolike si korp shprese”, që po mbahet në Marsejë nga 1 deri më 3 dhjetor. Mesazhin e lexoi Kryeipeshkvi i Rabatit, Kardinali Cristobal Romero Lopez:

“Kur i afrohemi arsimit - shkruhet në tekst - nuk mund ta bëjmë këtë duke menduar për diçka thjesht njerëzore, duke e përqendruar pyetjen tek programet, formimi, burimet, hapësirat mikpritëse”, sepse thirrja e krishterë na kërkon t’i japim zë “një fjale, që nuk është jona, që shkon përtej nesh, që na tejkalon”.

Komponenti profetik i shkollës

Për Papën, pra, “logjikisht”, mësimi i shkollës katolike nuk kufizohet vetëm në çështjet e fesë. Përfshin të gjitha degët e dijes: "Ashtu siç themi se veprimtaria e shkollës nuk reduktohet në mësimin e lëndëve, por në formimin e gjithanshëm - shpjegon Françesku - kështu, kur flasim për shkollat ​​katolike është i domosdoshëm komponenti profetik, që i jep njeriut jo vetëm aftësinë për të marrë njohuri, por edhe për të njohur veten si një qenie e aftë për të dashur dhe për t'u dashur".

Jo prozelitizëm në shkolla, bashkëpunim me familjen dhe shoqërinë

Nuk bëhet fjalë për “prozelitizëm”, e aq më pak për “t’i përjashtuar nga shkollat ​​tona ata, që nuk mendojnë si ne” - shpjegon Papa - Shkolla shikohet “si një mësim jete, në të cilin përfshihen elementë të ndryshëm”, në bashkëpunim të ngushtë me organe të tjera, si familja apo shoqëria. Në këtë mënyrë, identiteti i shkollës "hyn në dialog, bëhet i pranishëm, bëhet fjalë, që mund të shndërrohet njëkohësisht në sfidë për njerëzit e fesë dhe në ura dialogu për jobesimtarët”.

Të marrim frymëzim nga Krishti

Prandaj Papa na fton të marrim frymëzim nga mënyra se si mëson Krishti dhe mënyra se si u kërkon të mësojnë dishepujve të tij. Karakteristika e parë: prania e tij është njëkohësisht "akt dashurie, akt bindjeje" e edhe mësim që lind nga bashkimi. “Klasat tona nuk janë monada, shkollat ​​tona nuk janë të ndara”- saktëson Papa, duke këmbëngulur në bashkimin me Kishën universale dhe lokale, në “një projekt të përbashkët që shkon përtej nesh”.

Marrja në dorë e problemeve sociale

Karakteristika e dytë është se “ne jemi në lëvizje”. Jezusi ecën gjithmonë dhe i nxit dishepujt e tij të bëjnë të njëjtën gjë, madje i urdhëron që të shkojnë përpara tij, për të arritur në skajet e tokës - kujton Françesku. Kështu, sipas tij, shkolla katolike në nismat e saj, duhet të marrë përsipër problemet sociale në nivel lokal dhe universal, duhet të mësojë dhe, në këtë mësim, të hapë horizonte drejt situatave të reja dhe koncepteve të reja, të ecë së bashku, pa përjashtuar askënd, të krijojë pika takimi dhe ta përdorë gjuhën, në mënyrë që të mund të tërheqë edhe vëmendjen e atyre që janë më larg.

Natyrisht, Françesku pranon se është e nevojshme t'u jepet studentëve formimi më i mirë i mundshëm, por, sipas tij, është  themelore, "t’i bësh studentët burra dhe gra, që nuk mjaftohen me grumbullimin e njohurive", në mënyrë që "kjo doktrinë t'i ndihmojë të fitojnë urtinë, për të cilën flet Shën Benedikti: urti, e cila do t'i bëjë të rriten ata e edhe të tjerët, kudo që t'i dërgojë Zoti". Me pak fjalë, duhet bërë punë mjeshtri, për të arritur "njohjen sublime të Zotit".

02 dhjetor 2022, 11:26