Kërko

Lutja e Papës Françesku – Zojës së Papërlyer

...Të Falënderojmë, o Nëna jonë!/Duke të parë Ty, që je pa mëkat,/ne mund të vazhdojmë të besojmë/dhe të shpresojmë/se dashuria fiton mbi urrejtjen,/ e vërteta - mbi gënjeshtrën,/falja - mbi fyerjen,/mbi luftën fiton paqja.v E ashtu qoftë!

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shkoi  sot pasite përsëri në qendër të Romës për t’iu lutur Zojës së Papërlyer, në solemnitetin e saj. Nga Sheshi i Spanjës, Ati i Shenjtë iu lut Virgjërës Mari që dashuria të fitojë mbi urrejtjen, e vërteta – mbi gënjeshtrën, falja  - mbi fyerjen, paqja mbi luftën fiton. Ja lutja qe Papa beri para Zojës së Papërlyer në qendër të Romës:

Lutja e Papës – Zojës së Papërlyer

Nëna jonë e Papërlyer,

sot populli romak mblidhet rreth Teje.

Lulet vendosur tek këmbët tua

mbledhur nga të katër anët e qytetit

shprehin shumë dashuri

shumë përkushtim ndaj Teje

e shumë besim

se do të na ruash të gjithëve!

dhe Ti e sheh si mirëpresim

 lulet e padukshme, thirrjet e panumërta

 lutjet e  heshtura, shpesh herë të mbytura,

e të fshehura

 por jo për ty, që je Nënë.

Pas dy vitesh, kur erdha

për të bërë homazhe i vetëm, në agim,

po kthehem  rishtas te Ti

me njerëzit e kësaj Kishe, të këtij Qyteti.

Kthehem për të sjellë falënderimet dhe lutjet

e të gjithë bijve tu, pranë dhe larg.

 

Ti, nga qielli në të cilin të priti Zoti

gjërat e tokës i sheh më mirë se ne;

 i dëgjon si Nënë lutjet tona

e ia çon tënd Bir

në Zemrën e tij plot mëshirë.

 

Para së gjithash, të sjell sot dashurinë bijnore

të burrave dhe grave të panumërta, jo vetëm të krishterë,

të cilët kanë mirënjohjen më të madhe për Ty

për bukurinë tënde gjithë hir dhe përvujtëri:

sepse në mes të shumë reve të errëta

 je Ti shenjë shprese dhe ngushëllimi.

 

Të sjell buzagazin e fëmijëve,

që e mësojnë emrin tënd, para figures sate

në krahët e nënave dhe gjysheve,

e nisin të mësojnë se e kanë

edhe një Nënë në Qiell.

E kur, në jetë, ndodh që buzgazi

ia lëshon vendin lotëve,

sa e rëndësishme është të të njohësh Ty

e të kesh si dhuratë amësinë Tënde!

 

Të sjell mirënjohjen e pleqve:

 falenderimin për vlerën e jetës,

pëlhurë kujtimesh, gëzimesh dhe hidhërimesh,

për qëllimet, që e dinë mirë se i arritën

duke e shtrënguar fort dorën e tyre

me dorën Tënde.

 

Ju sjell shqetësimet e familjeve,

 të baballarëve dhe nënave që shpesh luftojnë

për të përballuar jetesën në shtëpitë,

ku ndeshen dita me ditë

sfida të vogla dhe të mëdha për të ecur përpara.

Në veçanti, t’i besoj Ty çiftet e reja,

që duke të parë Ty edhe Shën Jozefin

ta përballojnë jetën me guxim

duke i besuar Provanisë Hyjnore.

 

Të sjell ëndrrat dhe ankthet e të rinjve,

me sytë drejt së ardhmes, veç të frenuar nga një kulturë

e pasur në gjëra, po e varfër në vlera,

 e ngopur me informacion, por me mungesë edukimi,

bindëse në ëndrra, e pa mëshirshme në zhgënjime.

Po i lëshoj në duart Tua veçanërisht të rinjtë

që u prekën më shumë nga pandemia,

që të nisin dalëngadalë

t’i shkundin krahët, t’i hapin flatrat

e të rizbulojnë kënaqësinë e fluturimit lart.

 

Virgjër e Papërlyer, do të dëshiroja sot

Të të sillja falënderimet e popullit ukrainas,

për paqen, që prej kohësh i kërkojmë Zotit.

Më duhet t'jua paraqes përsëri

 lutjen e fëmijëve, të të moshuarve,

të baballarëve dhe nënave, të të rinjve

të asaj toke të torturuar.

E dimë të gjithë

se je me ta dhe me gjithë vuajtjet,

siç ishe pranë kryqit të tënd Bir!

Të Falënderojmë, o Nëna jonë!

Duke të parë Ty, që je pa mëkat,

ne mund të vazhdojmë të besojmë

dhe të shpresojmë

se dashuria fiton mbi urrejtjen,

e vërteta - mbi gënjeshtrën,

falja  - mbi fyerjen,

mbi luftën fiton paqja.

E ashtu qoftë!

08 dhjetor 2022, 14:50