Kërko

Benedikti XVI Benedikti XVI 

Lamtumirë Benedikti XVI, punëtor i përvuajtur në vreshtin e Zotit

Papa i Nderit, 95 vjeç, ndërroi jetë në orën 9.34 në selinë e tij, në Vatikan. Të enjten, më 5 janar, ora 9.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, salikimet, kryesuar nga Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

Benedikti XVI u kthye në shtëpinë e Atit qiellor. Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi mëngjesin e sotëm se u shua në orën 9:34 në selinë e Manastirit Mater Ecclesiae, të cilin Papa i Nderit, 95-vjeçar e pati zgjedhur si strehë pas dorëheqjes nga shërbesa papnore,  në 2013:

Me dhimbje ju njoftoj se Papa i Nderit Benedikti XVI ndërroi jetë sot, në orën 9:34, në Manastirin Mater Ecclesiae, në Vatikan. Njoftimet e mëtejshme do të vijojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kështu shkruhet në njoftimin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, botuar në mëngjes. Sërish Bruni njofton se “nga mëngjesi i së hënës, 2 janar 2023, trupi i Papës së Nderit do të jetë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, për përshëndetjen e fundit nga besimtarët”.

Funerali, më 5 janar

Në një takim, mbajtur në Sallën e Shtypit të Vatikanit, drejtori, duke folur me gazetarët e gazetave në gjuhë të ndryshme, të pranishëm apo të lidhur virtualisht, njoftoi se funerali do të kremtohet në Sheshin e Shën Pjetrit, të enjten, më 5 janar, në orën 9.30, i kryesuar nga Ati i Shenjtë Françesku. Papa i Nderit pati kërkuar që gjithçka të ishte e thjeshtë, ashtu siç qe edhe ai vetë gjatë gjithë jetës së tij. Bruni njoftoi gjithashtu se Benedikti e mori Sakramentin e Vojimit të mërkurën e kaluar, në përfundim të Meshës në Manastir, në praninë e motrave Memores Domini, të cilat e ndihmuan në jetën e përditshme prej vitesh.

Lajmi për keqësimin e shëndetit

Ditët e fundit, gjendja shëndetësore e Papës së nderit u keqësua edhe për shkak të moshës, siç njoftoi Salla e Shtypit, që e ndoqi hap pas hapi zhvillimin e situatës.

Vetë Papa Françesku e bëri të njohur publikisht lajmin për keqësimin e gjendjes shëndetësore të Paraardhësit të tij, në përfundim të audiencës së fundit të përgjithshme të vitit, më 28 dhjetorin e kaluar, kur i ftoi besimtarët të luten për Papën e Nderit, në gjendje të rëndë. E më pas uroi që Zoti ta ngushëllojë dhe ta mbështesë "në këtë dëshmi dashurie për Kishën, deri në fund të fundit".

Pas këtij lajmi të hidhur, në të gjitha kontinentet, në pritje të ankthshme, nismat e lutjes u shumëfishuan menjëherë, shoqëruar me mesazhe solidariteti dhe afërsie edhe nga bota jo kishtare.

Azhurnimi i fundit në orën 12.30 të 31 dhjetorit 2022

31 dhjetor 2022, 11:08