Kërko

Papa Françesku me një fëmijë të vogël, gjatë audiencës së përgjithshme Papa Françesku me një fëmijë të vogël, gjatë audiencës së përgjithshme

Krishtlindje: Papa i telefonon bashkëshortit të gruas, që vdiq pasi lindi binjakë

Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku i telefonoi bashkëshortit të Viviana Delego-s, 41-vjeçarjes, që humbi jetën ndërsa lindte dy djem binjakë në spitalin Perrino të Brindisi-t, për shkak të ndërlikimeve të rënda

R.SH. – Vatikan

“Është e vështirë për mua të thyej heshtjen, por e bëj për t’i bërë jehonë gëzimit intim, provuar në këtë ditë të Lindjes së Zotit, së bashku me Giacomo Cofano-n, të sprovuar nga vdekja e së shoqes, pas lindjes së binjakëve. Ndjeva në zemër guximin për të trokitur në zemrën e Papës Françesku, të cilit i tregova për Vivianën dhe për afërsinë e popullsisë me të shoqin. Sot paradite, me përvujtëri çarmatosëse, Papa më dërgoi një letër afërsie, ndërsa në orët e vona të pasdites, i telefonoi Giacomo-s”.

 Në një postim në Facebook, famullitari i Pezze di Greco (fraksion i Fasano-s), don Donato Liuzzi, tregon historinë e Viviana Delego-s, një mësuese 41-vjeçare, e cila vdiq të enjten e kaluar, për shkak të ndërlikimeve të rënda, menjëherë pasi lindi dy djem binjakë në spitalin Perrino të Brindisi-t. “E ndiemë zemrën e Bariut të vëmendshëm dhe tejet të kujdesshëm. Falënderojmë Zotin për këtë përkëdhelje në plagët e hapura të njeriut, që Ai vjen ta shpëtojë. Falënderojmë amësinë e Kishës, të dukshme në gjestet e përvuajtura të Papës. Është një Krishtlindje, që nuk do ta harrojmë kurrë”, e përfundon mendimin don Liuzzi.

26 dhjetor 2022, 15:32