Kërko

Papa viziton Shpellën e Betlehemit Papa viziton Shpellën e Betlehemit 

Françesku: për ta jetuar Krishtlindjen, të rizbulojmë vogëlsinë e Zotit

Papa priti sot në Sallën e Palit VI, delegacionet nga Sutrio, Rosello dhe Guatemala, të cilët dhuruan bredhin dhe dy skenat e lindjes së Krishtit, për Krishtlindjen e këtij viti. Nga Papa, ftesa për të reflektuar mbi rëndësinë e heshtjes, e cila "ndihmon për t'u afruar me Zotin"

R. SH. - Vatikan

Për të takuar Jezusin, duhet ta arrish atje ku është, domethënë të ulesh, të bëhesh i vogël, për të hyrë në atë stallë ku lindi Biri i Zotit. Kjo është ftesa e Papës, drejtuar delegacioneve të pranishme në Sallën Pali VI, ardhur nga Sutrio, Rosello dhe Guatemala, që në këtë Krishtlindje ofruan pemën dhe dy skenat e lindjes së Krishtit. Përveç pemës dhe skenës të lindjes së Krishtit, që do të përurohen sot pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit, një skenë e dytë, nga Guatemala, është e pranishme në sallën e Palit VI.

Bredhi dhe rrënjët tona

Pasi shprehu mirënjohjen e tij për dhuratat e Krishtlindjes – dhe përshëndeti mjeshtrat e drurit, djemtë e Rosello-s dhe ata, që e rritën bredhin në fidanishten e Palenës - Papa foli për pemën dhe shpellën e Betlehemit, si për “dy shenja që vazhdojnë t’i magjepsin të rinj e të vjetër”. Në veçanti, deshi të nënvizonte se, ashtu si pemët, edhe njerëzit kanë nevojë për rrënjë:

“Vetëm ata që i kanë rrënjët në tokë të mirë, mbeten të fortë, rriten, ‘piqen’, u bëjnë ballë erërave që i tundin dhe bëhen pikë referimi për ata që i shikojnë. Pa rrënjë nuk ndodh asgjë: pa themele të forta njeriu mbetet i lëkundur. Është e rëndësishme t'i ruajmë rrënjët, si në jetë ashtu edhe në besim. Në lidhje me këtë, Shën Pali Apostull kujton themelin në të cilin duhet të rrënjoset jeta, për të mbetur të patundur: fton të qëndrojmë ‘të rrënjosur në Jezu Krishtin’. Këtë na kujton bredhi i Krishtlindjes!”.

Skena e lindjes së Krishtit, thesari i vërtetë i Krishtlindjes

Më pas Françesku foli për Shpellën e Betlehemit, e cila na kujton se si Zoti u bë njeri, për t'u afruar me secilin nesh. Falë Shpellës, mund të rizbulohet thelbi i Krishtlindjes së Shenjtë:

“Në varfërinë e saj, skena e lindjes së Krishtit na ndihmon të rizbulojmë pasurinë e vërtetë të Krishtlindjes dhe të pastrojmë veten nga shumë aspekte, që ndotin peizazhin e Krishtlindjes. E thjeshtë dhe familjare, skena e lindjes së Krishtit të kujton një Krishtlindje të ndryshme nga ajo konsumiste dhe komerciale; mbani mend sesa na bëjnë mirë  çastet e heshtjes dhe të lutjes në ditët tona, shpesh të pushtuara nga furia e papërmbajtur. Heshtja favorizon soditjen e Krishtit Fëmijë, ndihmon për t'u afruar me Zotin, me thjeshtësinë e brishtë të një të porsalinduri të vogël, me brishtësinë e tij, me butësinë e shpërgajve, që e lidhin në djep”.

Pastaj, Papa na fton për t'u bërë të vegjël e për të dalë, kështu, në kërkim të  Jezusit, për ta zbuluar se ku lindi Emanueli, Zoti me ne:

“Nëse duam t’i festojmë vërtet Krishtlindjet, ta rizbulojmë përmes Shpellës së Betlehemit të papriturën dhe habinë që na shkakton vogëlsia e Zotit, përmes skenës së lindjes së Krishtit, që nuk lind në një skenë vezulluese, por në varfërinë e një stalle. Për ta takuar, duhet të shkosh atje, ku është; është e nevojshme ta ulësh veten, të bëhesh i vogël. Dhe lutja është mënyra më e mirë për t'i thënë faleminderit përpara kësaj dhurate falas dashurie Jezusit, që dëshiron të hyjë në shtëpitë tona, në zemrat tona”.

Sot përurimi i bredhit dhe i djepit

Sot, 3 dhjetor, inaugurohen djepi dhe pema e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit

Pema e Krishtlindjes u lartua më 17 nëntor në Sheshin e Shën Pjetrit dhe do të përurohet sot pasdite, bashkë me skenën e lindjes së Krishtit: një bredh i argjendë, rreth 26 metra i gjatë, i ardhur nga Abruzzo, nga fshati i vogël malor Rosello, në provincën e Chietit. Pema, siç raportohet nga autoritetet rajonale të Abruzzo-s, vjen nga aktivitete kultivuese, jo nga zona natyrore, dhe për prerjen u zgjodh një bredh që mund të bëhej i rrezikshëm, për shkak të afërsisë me disa ndërtesa. Me zbukurimet u morën nxënësit e shkollave në Abruzzo, gjyshërit e shtëpisë së pushimit Sant'Antonio di Borrello dhe të ftuarit e qendrës së rehabilitimit psikiatrik Quadrifoglio. Skena e lindjes së Krishtit, tërësisht prej druri, vjen nga Sutrio, në provincën e Udines, një nga fshatrat më karakteristikë të Carnia, në Friuli Venezia-Giulia. Qeveria e Guatemalës ka ofruar skenën e lindjes së Krishtit në Sallën e Palit VI.

03 dhjetor 2022, 13:38