Kërko

Françesku: kemi nevojë për vullnetarë, që impenjohen për të mirën e përbashkët

Në videomesazhin me ndjetin e lutjes për dhjetorin, Papa nënvizon vlerën e punës vullnetare në ndihmë të të tjerëve, në mbrojtjen e më të vegjëlve dhe në kujdesin ndaj krijimit. Ajo na mëson të jemi artizanë të mëshirës dhe të veprojmë jo vetëm për njerëzit, por edhe me njerëzit, duke pasur parasysh se puna e shoqatave dhe organizmave të ndryshme është më e frytshme kur ato bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me shtetet

R.SH. – Vatikan

Është ftesë për solidaritet, për t’i ndihmuar e për t’i kërkuar të tjerët, sidomos më nevojtarët, ajo, që bën Papa Françesku në videon me ndjetin e lutjes për dhjetorin. “Të lutemi që organizatat e vullnetarëve dhe ato për promovimin njerëzor të gjejnë njerëz me dëshirë për t’u impenjuar në favor të së mirës së përbashkët dhe të kërkojnë rrugë gjithnjë të reja bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar”, nxit Ati i Shenjtë në këtë muaj të fundit të vitit. Si gjithnjë, Françesku ia beson ndjetin Kishës nëpërmjet Rrjetit të tij Botëror të Lutjeve.

Bota ka nevojë për vullnetarë

Në videomesazh, Papa nënvizon se bota ka nevojë për vullnetarë dhe organizata, që punojnë për të mirën e përbashkët, por vëren edhe se ka nga ata, që duan të zhduket pikërisht fjala “impenjim”. “Të jesh vullnetar solidar – vëren Françesku – do të thotë të jesh i lirë, të jesh mendjehapur para nevojave të të tjerëve, para kërkesave për drejtësi, të mbrosh të varfërit e të kujdesesh për Krijimin”. Praktikisht, të qenit vullnetar na nxit t’i dëgjojmë të tjerët dhe të përpiqemi të japim ç’kemi më të mirë nga vetvetja për të favorizuar zhvillimin njerëzor. Për Françeskun, kjo "do të thotë të jesh artizan i mëshirës: me duar, me sy, me veshë të vëmendshëm, me afërsi". E sidomos, nënvizon Ati i Shenjtë, “të jesh vullnetar do të thotë të punosh me njerëzit të cilëve u shërben. Jo vetëm për njerëzit, por me njerëzit”.

Rëndësia e bashkëpunimit

Papa thekson se "puna e organizatave vullnetare është shumë më e frytshme kur ato bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me shtetet", sepse "duke e koordinuar punën, sado fonde të kufizuara të kenë, arrijnë të japin ç’kanë më të mirë dhe e bëjnë realitet mrekullinë e shumëzimit të shpresës”. Françesku i referohet punës së miliona organizatave dhe shoqatave vullnetare në botë, shumica e të cilave impenjohen pa u dukur e, nganjëherë, pa u njohur nga ligji. Sipas programit të Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV), 1 ndër 9 njerëz në botë është vullnetar, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 862,4 milionë, në pesë kontinentet. Nëse do t’i mblidhnim të gjitha orët e punës vullnetare në botë do të kishim 109 milionë punonjës, që impenjohen tetë orë në ditë, gjithë vitin.

Përkrah të vuajturve, të varfërve dhe nevojtarëve

Shumë nga organizatat vullnetare të pranishme në botë kanë frymëzim të krishterë dhe me punën e tyre përpiqen të dëshmojnë Ungjillin në situatat më të vështira. Nga Libani në Filipine, nga Meksika në Ukrainë, nga Venezuela në Ugandë, videoja e Papës për këtë muaj vë në dukje impenjimin e vullnetarëve, pranë viktimave të fatkeqësive natyrore, pranë të varfërve, që vuajnë pasojat e krizës ekonomike, në ndihmë të fëmijëve pa ushqim të mjaftueshëm, të refugjatëve që ikin nga luftërat, përkrah të rinjve dhe të rejave në kërkim të punës. Prandaj, “bota ka nevojë për vullnetarë”, siç pohon Papa Françesku në videon me ndjetin e lutjes së dhjetorit.

01 dhjetor 2022, 16:05