Kërko

Kardinali Severino Poletto Kardinali Severino Poletto

Françesku: kardinal Poletto, shërbëtor i pakursyer i Kishës

Në një telegram, Papa kujton jetën dhe shërbesën e kardinalit, kryeipeshkëv nderi i Torinos, i cili vdiq të shtunën e kaluar në moshën 89-vjeçare: i dha hov ungjillizimit, pranë meshtarëve dhe familjeve. Funerali do të kremtohet më 22 dhjetor në katedralen e Shën Gjon Pagëzuesit

R.SH. – Vatikan

         "Shërbëtor besnik" i Ungjillit dhe i Kishës. Nga një telegram ngushëllimi, shkruar nga Papa Françesku, del portreti i bukur i një bariu shpirtrash, siç ishte kardinali 89-vjeçar Severino Poletto, i cili vdiq të shtunën e kaluar. Në krye të dioqezës së Torinos nga viti 1999 deri në vitin 2010, do të prehet në bazilikën e Zojës së Ngushëllimit, pas funeralit, që do të kremtohet më 22 dhjetor, në orën 15, në bazilikën katedrale metropolitane të Shën Gjon Pagëzuesit.

Familjet dhe misionet dioqezane

Françesku shpreh afërsi dhe lutje, duke përshkuar shkurtimisht hapat e një shërbese të gjatë, e cila filloi "si famullitar në Casale - i vëmendshëm ndaj laikëve dhe i impenjuar në punë, me frymën e bashkëpunimit ungjillor" - vazhdoi si ipeshkëv i Fossano-s, "me përkushtimin sidomos për familjet, të rinjtë dhe promovimin e katekzës" e, pastaj, si ipeshkëv i Astit, ku, lexojmë në tekstin e telegramit, Poletti favorizoi "misionet dioqezane, duke vënë në dispozicion aftësitë e tij administruese për riorganizimin e Kishës në territor”.

Hov i ri për Ungjillin

Së fundi, ai shkoi në Torino, ku shërbeu “pa u kursyer – nënvizon Papa Françesku – i frymëzuar nga dëshira për të qenë pranë meshtarëve dhe për t’i dhënë hov ungjillizimit, edhe përmes ngjarjeve të rëndësishme publike”. Ndër këto të fundit duhen përmendur dy ekspozitat e Sindonës, gjatë Jubileut të Vitit 2000 dhe në vitin 2010, kjo e fundit në praninë e Benediktit XVI. U krijua kardinal nga Papa shenjt Gjon Pali II, në shkurt 2001, gjatë të njëjtit koncistor, në të cilin iu dha kësula kardinalore edhe Jorge Mario Bergoglio-s, Papës aktual.

19 dhjetor 2022, 14:48