Vdes një endacak nën kolonadën e Berninit. Dhimbja e Papës
Rrëfim i njërit nga kolegët tanë, mbi vdekjen e një endacaku…
Ishte pak pas orës 10.30 të mëngjesit. Vështrimi i ngulur në pamjet e jashtëzakonshme të Sheshit të Shën Pjetrit, humbet, si zakonisht, ndërmjet kthesave të Kolonadës së Berninit. Befas, tërhiqet nga një skenë tronditëse. Oficerë policie dhe një shirit i verdhë, kufizojnë vendkalimin e këmbësorëve. Më pas, duke parë përtej atij grumbulli, turbullira bëhet e qartë: ndërmjet siluetave të policëve, duket trupi i një burri, shtrirë e mbështjellë me një batanije termike. Është një i pastrehë, që ka humbur jetën, ndoshta edhe për shkak të temperaturave të ulta të këtyre ditëve. Shenja e kryqit është e vetmja përshëndetje, të cilën mund t’i jap këtij njeriu, një prej të varfërve, që kërkonte strehë në këto netë të para, të ftohta dimri me mot të keq, ndërmjet shtyllave të kolonadës. Duke e zgjeruar shikimin, shoh edhe dy priftërinj e një murgeshë në lutje. Pranë trupit vendoset një qiri. Dritëza e vogël davarit indiferencën e atyre që kalojnë me nxitim, pa i parë njerëzit e padukshëm, të cilët mbijetojnë, shpesh krejt të vetmuar e të munduar, në qytetet tona, pranë e pranë hapave të njerëzve, të cilët largohen duke mbartur në kujtesë vetëm siluetat e atyre, që kush e di ku shuhen…”.
Dhimbja e Papës
Ai njeri që vdiq sot, ka një fytyrë, një emër. Drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kujtoi se ishte Burkhard Scheffler, i lindur në vitin 1961 në Gjermani. “Ai jetonte në rrugë, në Romë, i ndihmuar nga aktiviteti i Dikasterit Papnor për Bamirësinë. Fatkeqësisht, netët e kaluara të ftohta, me erë e shi, ndikuan në rëndimin e gjendjes së tij të brishtë”.
“Në lutjen e sotme - shtoi Matteo Bruni - Papa kujtoi Burkhard-in dhe të gjithë ata që janë të detyruar të jetojnë pa shtëpi, në Romë dhe në botë, duke i ftuar besimtarët të bashkohen me të.
Një lutje për shpirtin e endacakut, nga Asizi
Lëmoshtari Apostolik, Kardinali Krajewski, që shtegtonte në Asizi, ia besoi Burkhardin ndërmjetësimit të Shën Françeskut.
Atë njeri - kujtoi - emrin e të cilit tani e di, ndoshta e kisha parë ditët e fundit nën kolonadë - pohoi Kardinali Krajewski - Ai shpesh kishte një libër në duar dhe lexonte me zë të lartë, me një theks të trashë gjerman. E pashë të zhytur në mendime, të përqendruar në lexim. Kishte pak sende, por librat nuk i mungonin asnjëherë pranë batanijeve dhe kartonave. Ndoshta me imagjinatën e tij po përpiqej të ikte nga skutat e akullta, ku e kishin flakur peripecitë e jetës.