Kërko

Papa Françesku në avion Papa Françesku në avion

Papa: “tri luftëra botërore në një shekull, të jemi njerëz të paqes!”

Gjatë udhëtimit të kthimit nga Bahreini, Papa Françesku foli për Ukrainën dhe për konfliktet e shumta të botës. Tregoi për miqësinë me Imamin e Madh të Al-Azharit, për rëndësinë e sigurimit të të drejtave të barabarta për gratë, për emigrantët që vijnë në Evropë me barka, për abuzimet me të miturit. Katolikëve gjermanë u tha: “Gjermania ka një Kishë të madhe ungjillore, nuk do të doja një tjetër”

R.SH. – Vatikan

Si zakonisht, gjatë udhëtimit të kthimit nga Bahreini - shtegtimi i tij i 39-të apostolik - Papa Françesku u takua me gazetarët, me të cilët preku tema të shumta e të rëndësishme. Përsa i përket Mbretërisë së dy deteve, Atii Shenjtë vuri në dukje dialogun ndërfetar me Islamin dhe dialogun ekumenik me Kishat e tjera të krishtera. Theksoi rëndësinë e identitetit të secilit, pasi “kur nuk ke identitet personal – pak si në ajër – dialogu është i vështirë”. Ndërsa, dialogu ekumenik, nënvizoi Ati i Shenjtë, ka nevojë që ta njohim historinë jo dhe aq të bukur të luftërave ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe luteranëve e të kemi parasysh se Koncili II i Vatikanit ndryshoi gjithçka, prandaj tani, mund të punojmë e të dialogojmë së bashku.

 Papa Françesku tregoi si u nënshkrua Dokumenti i Abu Dabit për Vëllazërimin Njerëzor, nga një drekë me Imamin e Madh të Al-Azharit. “Thyem bukën dhe ia dhamë njëri-tjetrit” e nga kjo përvojë lindi ideja e Dokumentit. Enciklika “Fratelli tutti” ka atë si bazë, nënvizoi Ati i Shenjtë, që më pas, bëri thirrje për të mbështetur Libanin, i cili ende përjeton një gjendje shumë të vështirë. “Lini mënjanë interesat personale – u tha ia politikanëve – shikoni vendin e merruni vesh me njëri-tjetrin. I pari është Zoti, pastaj atdheu e pastaj interesat. Por më parë, Zoti dhe atdheu”.

Papa Françesku me gazetarët në kthim nga Bahreini
Papa Françesku me gazetarët në kthim nga Bahreini

 I pyetur për të drejtat e grave, Papa, duke menduar edhe për Iranin e protestat e fundit në këtë vend, nënvizoi vështirësitë, që hasin ato për të fituar barazinë me burrat kudo në botë. Bëri thirrje për të ndalur krimin “e tmerrshëm” të infibulacionit të vajzave e duke theksuar se “gratë janë dhuratë”, kërkoi të luftohet që ato të mos konsiderohen “të klasës së dytë, ose edhe më pak”. “Zoti nuk e krijoi burrin për t’i dhënë më pas një qen që të argëtohet. Jo! Krijoi dy e të barabartë, burrin dhe gruan!” Duke përmendur Shën Palin apostull, që “për kohën e vet është revolucionar kur flet për gratë”, Ati i Shenjtë nënvizoi se kur shoqëria nuk i jep gruas vendin e vet, nuk ecën përpara. Gratë dinë t’i bëjnë gjërat në një mënyrë tjetër, që nuk është inferiore, është plotësuese e mënyrës së burrit, vërejti sërish Papa.

Çështja e Ukrainës u ngrit nga shumë gazëtarë, duke shpresuar në një bisedë të Papës me presidentin rus Putin, për fundin e luftës. Duke shpjeguar se i do fort të dy popujt, Françesku përsëriti impenjimin e Vatikanit dhe të tijin personal në këtë drejtim. Qe edhe rasti për të bërë sërish thirrje kundër të gjitha luftrave.

Papa Françesku me gazetarët në kthim nga Bahreini
Papa Françesku me gazetarët në kthim nga Bahreini

Më tej, Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve mbi abuzimet me të miturit, duke nënvizuar impenjimin dhe transparencën e Kishës për dënimin e fajtorëve e për parandalimin e këtyre krimeve, për të cilat të krishterët turpërohen. Papa dha shembuj e përshkroi udhën e ndërmarrë kohët e fundit nga Vatikani, duke falënderuar gazetarët për ndihmesën në denoncimin e fakteve të tilla.

Emigrantët e zbarkimi i tyre në dyert e Evropës, që përpiqet t’i mbajë larg, ishte argument tjetër i bisedës së Papës më gazetarët. “Migrantët duhen mirëpritur, shoqëruar, promovuar e integruar”, nënvizoi Françesku, i cili denoncoi faktin që Mesdheu është kthyer në varrezën më të madhe të botës, për shkak të mbytjeve të të dëshpëruarve, që vijnë kryesisht nga Afrika. “Është hipokrizi të mendojmë se problemi i migrantëve mund të zgjidhet në Evropë – theksoi Papa – jo, të shkojmë për ta zgjidhur në shtëpinë e tyre. Shfrytëzimi i njerëzve në Afrikë është i tmerrshëm”.

Papa Françesku me gazetarët në kthim nga Bahreini
Papa Françesku me gazetarët në kthim nga Bahreini

Gazetari gjerman e pyeti ç’mund të mësojë Kisha e vendit evropian nga grigja e vogël e krishterë në Bahrein. Papa vuri në dukje historinë shumëvjeçare të Kishës në Gjermani, traditat e saj të pasura, por edhe konfliktet me Kishën ungjillore. “Katolikëve gjermanë u them: Gjermania ka një Kishë të madhe e të bukur Ungjillore; unë nuk dua një tjetër, që nuk do të jetë kurrë aq e mirë sa ajo; por e dua katolike, në mënyrën katolike, në vëllazërim me atë Ungjillore. Nganjëherë, humbasim sensin fetar të popullit të Zotit e biem në diskutime eticiste, …që janë pasoja të teologjisë, por nuk janë thelbi i saj”, vuri në pah Ati i Shenjtë, duke këshilluar të dëgjohet Populli i Zotit, për t’u takuar me Jezu Krishtin e gjallë.

06 nëntor 2022, 18:05