Kërko

Papa, teologëve: shikoni përtej, tradita nuk është “prapambetje”

Në takimin me anëtarët e Komisionit Teologjik, themeluar nga Papa Pali VI në vitin 1969, Françesku flet për besnikërinë ndaj Traditës së Kishës dhe i nxit teologët të jenë sinodalë, të aftë “për të dëgjuar, për të dialoguar, për të shoshitur”. Por, u kërkon edhe të shikojnë me guxim përpara, ndërsa katekistët i këshillon të japin doktrinën e drejtë, jo risitë e paqëndrueshme

R.SH. – Vatikan

Tradita e bën Kishën të rritet nga poshtë drejt lartësive, ashtu siç ndodh me pemën, që ushqehet nga rrënjët. Por sot ka një rrezik të madh: ai i kthimit prapa, “indietrizmi” (prapambetja), duke menduar se “gjithmonë kështu është bërë”. Papa Françesku e vë në dukje këtë rrezik gjatë takimit me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar Teologjik, në Vatikan. Duke folur hera-herës pa letër, u kërkoi teologëve “të shkojnë më tej” nga doktrina e njohur, duke kërkuar risi. Ndërsa katekisti, theksoi ai, duhet t'u mësojë fëmijëve “doktrinën e saktë”, atë që njihet e është verifikuar. Teologu e ka për detyrë të shqyrtojë risitë e nëse “shkon pak si tepër larg, e ndalon magjisteri”. Papa kërkoi edhe të shtohet numri i grave, që merren me teologji, “jo sepse janë në modë, por sepse mendojnë ndryshe nga burrat dhe e bëjnë teologjinë më të thellë, i japin më tepër shije”.

Traditës t’i qëndrojmë besnikë, me krijimtari

Besnikëria krijuese ndaj traditës, mundësia për të shfrytëzuar kontributin e disiplinave të ndryshme dhe kolegjialiteti. Këto ishin “tre drejtimet” e përvijuara nga Papa Françesku për Komisionin Teologjik Ndërkombëtar, tashmë në 50-vjetorin e veprimtarisë së tij. Drejtimi i parë është ai i besnikërisë ndaj traditës, por me krijimtari. Benedikti XVI, kujtoi Ati i Shenjtë, e përshkruan Traditën si ‘lumi i gjallë, në të cilin zanafilla është gjithmonë e pranishme’ (Katekeza, 26 prill 2006); prandaj, ajo “vadit shumë toka, ushqen gjeografi të ndryshme, duke e bërë të lulëzojë çka më të mirë ajo tokë, ajo kulturë. Kështu, Ungjilli vazhdon të mishërohet në të gjitha anët e botës, në një mënyrë përherë të re”.

“Tradita – nënvizoi Papa, duke folur pa letër – na bën të lëvizim në këtë drejtim, vertikalisht, nga poshtë lart. Sot, ka një rrezik të madh, ecja në drejtimin tjetër; ‘indietrizmi’ (prapambetja)… ‘Është bërë gjithmonë kështu’: është më mirë të shkosh mbrapa, sepse është më e sigurt e të mos ecësh përpara. Kjo përmasë horizontale – e kemi parë – ka krijuar disa lëvizje në Kishë, që nuk shkulen nga e kaluara. Janë ‘indiestristët’… Në këtë pikë, ju teologët mendohuni pak si të ndihmoni”.

Të hapur ndaj disiplinave të ndryshme

Drejtimi i dytë, për të cilin foli Papa Françesku, ishte mundësia për të shfrytëzuar kontributin e disiplinave të ndryshme, falë këshillimit me ekspertë katolikë e jo katolikë.

“Është fjala – siç uroj në Kushtetutën Apostolike ‘Veritatis gaudium’ - për ta kthyer në thesar ‘parimin e ndërdisiplinaritetit: jo aq në formën e tij ‘të dobët’ të multidisiplinaritetit të thjeshtë, si qasje që favorizon kuptimin më të mirë të një objekti studimi, nga këndvështrime të ndryshme; se sa në formën e tij ‘të fortë’ të transdisiplinaritetit, si bashkim dhe fermentim i të gjitha dijeve brenda hapësirës së Dritës dhe të Jetës, ofruar nga Urtia që buron nga Zbulesa e Hyjit”.

Kolegjialiteti

Këshilla e tretë e Papës Françësku është kolegjialiteti:

“Ai merr rëndësi të veçantë dhe mund të ofrojë një kontribut specifik në kuadrin e procesit sinodal 2021-2024, në të cilin thirret i gjithë populli i Zotit. Kjo nënvizohet në dokumentin e shkruar enkas për sinodalitetin në jetën dhe në misionin e Kishës, gjatë pesë viteve të mëparshme: ‘Si çdo thirrje tjetër e krishterë, shërbesa e teologut, përveçse personale, është komunitare dhe kolegjiale. Prandaj, sinodaliteti kishtar i impenjon teologët në teologjinë sinodale, duke promovuar aftësinë për të dëgjuar, për të dialoguar, për të dalluar dhe për të integruar shumëllojshmërinë e kërkesave dhe të kontributeve”.

Së fundi, Papa kërkoi që ndërmjet teologëve të ketë më shumë gra, sepse ato japin një kontribut të çmuar e të veçantë, të ndryshëm nga burrat. Në Komisionin Teologjik, deri tani, është i pranishëm vetëm një teolog laik. Kujtojmë se ky organizëm u themelua nga Papa Pali VI në vitin 1969, me detyrën për ta ndihmuar Selinë e Shenjtë të shqyrtojë çështje doktrinore me rëndësi më të madhe për Kishën.

24 nëntor 2022, 14:01