Kërko

Un summit di giudici in Vaticano Un summit di giudici in Vaticano

Papa: pushtetet institucionale duhet të frenojnë ekonomitë, që degradojnë dhe skartojnë

Në një video-mesazh dërguar Samitit të dytë Ndërkombëtar të Komitetit Pan-Amerikan të Gjyqtarëve për të Drejtat Sociale dhe Doktrinën Françeskane (Copaju), që po mbahet në Meksikë, Françesku pohon se detyra e organeve të legjitimuara nga populli dhe nga ligji, është edhe ajo e neutralizimit të projekteve politike autoritare dhe degraduese. Papa i nxit gjyqtarët të jenë çdo ditë mbrojtës të dinjitetit dhe të ligjshmërisë njerëzore!

R.SH. - Vatikan

Në rrethanat e sotme të vështira historike, në të cilat kriza planetare keqësohet dita-ditës në dëm të njerëzimit dhe të planetit, ndërkohë që paradigmat e pragmatizmit dhe të fitimit kërcënojnë drejtësinë dhe demokracinë, roli i gjyqtarëve është qendror dhe përcaktues. Françesku e nënvizon këtë në mesazhin e tij drejtuar gjyqtarëve meksikanë, me rastin e inkorporimit të Kapitullit të tyre në Komitetin Pan-Amerikan të Gjyqtarëve për të Drejtat Shoqërore dhe Doktrinën Françeskane (Copaju).

Organizmi, që u mblodh dje dhe sot në Tlaxcala, Meksikë, për samitin e tij të dytë ndërkombëtar, u krijua, i frymëzuar nga vetë Papa, pas Samitit të parë Pan-Amerikan të Gjyqtarëve për të Drejtat Sociale dhe Doktrinës Françeskane, mbajtur më 3 dhe 4 qershor 2019 në Vatikan dhe punon në marrëdhënie të ngushta me Akademinë Papnore të Shkencave. Anëtarë të saj janë ata që morën pjesë në takimin historik tre vjet më parë si dhe gjyqtarë, prokurorë dhe personel i mbrojtjes publike nga vende të ndryshme të botës, të cilët në këto dy ditë po diskutojnë dhe po reflektojnë për neokolonializmin, migrimin, drejtësinë, demokracinë, zhvillimin, shitblerjen e fëmijëve për birësim, autonominë dhe pavarësinë gjyqësore.

Gjyqtarët, mbrojtës të dinjitetit njerëzor

Në një video të regjistruar në spanjisht, të cilën Copaju e publikoi në portalin e saj, Papa vëren se “fuqitë institucionale të përligjura nga populli dhe nga ligji janë të thirrura t’i vënë kufij pangopësisë së korporatave dhe ndërmarrjeve ekonomike, që degradojnë dhe i flakin njerëzit në mes të rrugës”. E kjo, për të neutralizuar “projektet politike autoritare dhe degraduese”. Më pas, duke iu drejtuar gjyqtarëve, Françesku pohon se angazhimi për të qenë "mbrojtës të dinjitetit njerëzor dhe ligjshmërisë themelore duhet rivendosur çdo ditë me fjalime dhe praktika" dhe se "një shoqëri, e mbrojtur dhe e udhëhequr nga një sistem gjyqësor i pavarur dhe nga një drejtësi probatore, imiton në sjelljen e saj mësimet që merr. Ndërsa  drejtësia e mbyllur në pozitivizmin e situatave, drejtësi krejtësisht e zbrazët, është terren pjellor për një shoqëri egoiste.

Vepro me dinjitet!

Françesku shpreson se organizata e krijuar me inkorporimin e Kapitullit të Gjyqtarëve Meksikanë në Copaju do të jetë në gjendje të bashkojë anëtarët e saj, t'i mbrojë ata dhe mbi të gjitha t'i bëjë ata gjyqtarë  të mirë, për të mbrojtur drejtësinë që kërkohet në shumë rrethana.“Mos harroni se praktikat e denja u japin dinjitet atyre që i pranojnë, njëlloj si atyre, që i zbatojnë” - vijon Papa - duke vënë në dukje se “mirësia e vendimeve i bekon ata që i marrin”, ndërsa guximi i gjyqtarëve përballë pushtetit të padrejtë “përtërin besimin dhe forcën e popujve”. “Kushdo që lufton për të mirën, nuk mbetet kurrë i vetëm” - thekson Françesku, i cili e përfundon videomesazhin duke falenderuar gjyqtarët për punën e tyre dhe duke i siguruar se lutet për ta!

19 nëntor 2022, 10:29