Kërko

Papa Françesku e Patriku ortodoks Bartolomeu në kishën e Shën Gjergjit, gjatë udhëtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Turqi, 29 nëntor 2014 Papa Françesku e Patriku ortodoks Bartolomeu në kishën e Shën Gjergjit, gjatë udhëtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Turqi, 29 nëntor 2014

Papa, Patrikut Bartolomeu: dialogu dhe takimi, e vetmja rrugë për kapërcimin e konflikteve

Papa Françesku i shkruan Patrikut Bartolomeu për festën e Shën Andreut apostull. “Takimi i Kishës së Romës me Kishën e Kostandinopojës me rastin e festave të Pajtorëve të tyre – shkruan Papa, pasi sot, gjatë audiencës së përgjithshme e uroi drejtpërdrejt Patrikun Ekumenik - është shprehje e lidhjeve të thella, që na bashkojnë dhe shenjë e dukshme e shpresës për unitetin gjithnjë e më të madh”

R.SH. - Vatikan

Me rastin e festës liturgjike të Shën Andreut apostull, i pari që u quajt vëlla i Shën Pjetrit, Papa Françesku i dërgon Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu, një mesazh me të cilin i uron të kremten e shënuar për Kishën Ortodokse. Tashmë, tradita është e vjetër, kujton Ati i Shenjtë, duke përmendur shkëmbimin e delegacioneve për festën e Shën Andreut, Pajtor i Patrikanës Ekumenike dhe i Kishës së Kostandinopojës, kur një përfaqësi nga Vatikani shkon në Stamboll për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Gjergjit dhe në të gjitha veprimtaritë e rastit, ashtu siç bën përfaqësia ortodokse, kur vjen në Romë për festën e Shën Pjetrit, më 29 qershor.

Shprehje e lidhjeve të thella, që na bashkojnë

“Takimi i Kishës së Romës me Kishën e Kostandinopojës me rastin e festave të Pajtorëve të tyre – shkruan Papa, pasi sot, gjatë audiencës së përgjithshme e uroi drejtpërdrejt Patrikun Bartolomeu - është shprehje e lidhjeve të thella, që na bashkojnë dhe shenjë e dukshme e shpresës për unitetin gjithnjë e më të madh. Arritja e bashkimit të plotë ndërmjet gjithë besimtarëve në Jezu Krishtin është impenjim i domosdoshëm për çdo të krishterë, sepse “uniteti i të gjithëve” (Liturgjia e Shën Gjon Gojartit) nuk është vetëm vullnet i Zotit, por edhe përparësi urgjente në botën e sotme. Vërtet, bota e sotme ka shumë nevojë për pajtim, vëllazërim dhe bashkim”.

Ndarjet e pengojnë veprimin e Shpirtit Shenjt

Papa pranon se, me të drejtë, i është kushtuar shumë vëmendje arsyeve historike dhe teologjike, në zanafillën e ndarjeve ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve. Uron që studimi i përbashkët për këtë të vazhdojë, por jo me frymë polemizuese.  “Ndarjet – nënvizon Françesku - janë rezultat i veprimeve dhe i qëndrimeve mëkatare, të cilat e pengojnë dikimin e Shpirtit Shenjt, i cili i çon besimtarët drejt unitetit, duke ruajtur larminë e ligjshme”. Ati i Shenjtë thekson se uniteti i vërtetë krijohet vetëm përmes shenjtërimit të jetës, jo thjesht, me nënshkrimin e marrëveshjeve. Duhet t’i jemi mirënjohës Zotit, nënvizon ai, që Kishat tona nuk janë dorëzuar para përçarjeve të së kaluarës, por, nëpërmjet lutjes dhe bamirësisë vëllazërore, vijojnë të përpiqen për bashkimin e plotë, që një ditë do t’i mbledhë të gjithë të krishterët në të njëjtën tryezë eukaristike.

Fushat e bashkëpunimit katoliko-ortodoks

Papa vë në dukje fushat në të cilat Kisha Katolike dhe Patrikana Ekumenike po punojnë bashkërisht për të mirën e gjithë familjes njerëzore, duke ruajtur gjithësinë e krijuar nga Zoti, duke mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu, duke luftuar format moderne të skllavërisë dhe duke promovuar paqen. “Një nga fushat më të frytshme të këtij bashkëpunimi është dialogu ndërfetar”, vëren Françesku, duke kujtuar takimin e fundit me Patrikun Bartolomeu në Bahrein, me rastin e Forumit për Dialogun ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. “Dialogu dhe takimi janë e vetmja rrugë e qëndrueshme për kapërcimin e konflikteve dhe të të gjitha formave të dhunës”, përfundon Ati i Shenjtë mesazhin e tij, pa harruar t’ua besojë mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm viktimat e atentatit të fundit në Stamboll, ku më 13 nëntor, një shpërthim në tregun qendror, shkaktoi të vdekur e të plagosur. Mesazhi mbyllet me urimet për festën e Shën Andreut e me përqafimin vëllazëror, nga larg, të Papës për Patrikun Bartolomeu.

30 nëntor 2022, 12:05