Papa në udhëtim drejt Bahreinit: “Shkoj si shtegtar i paqes dhe i vëllazërimit”
R.SH. – Vatikan
Nga shteti më i vogël në botë (Vatikani) në Mbretërinë e vogël të Bahreinit. Udhëtimi i 39-të apostolik i Papës Françesku filloi në orën 9.45 me nisjen me avion nga aeroporti ndërkombëtar i Romës, Fiumicino. Trajektorja e avionit bashkon pjesë nga rajone të botës, ku janë përvijuar rrugët e para të krishterimit në histori. Ati i Shenjtë, i pari që viziton Bahreinin, shkon në këtë vend të Gjirit Persik, djep i Islamit shiit, me ftesë të autoriteteve civile dhe kishtare.
Në Mbretërinë e dy deteve
Bahreini është një shtet ishull, midis Arabisë Saudite dhe Katarit. “Mbretëria e dy deteve” – kjo, domethënia e emrit Bahrein në arabisht – banohet nga mbi një milion e gjysmë njerëz dhe përbëhet nga një arkipelag prej 33 ishujsh. Gjatë vizitës, Papa do të shkojë në qytetet Awali dhe Manama. Shumica dërrmuese e të krishterëve në vend, 15% e popullsisë, përbëhet nga shtetas të huaj që banojnë atje për arsye pune. Në përgjithësi, 70% e banorëve janë myslimanë. Ka rreth 161.000 katolikë.
Dita e parë në Bahrein
Në aeroportin Awali, Papa do të përshëndetet nga Mbreti i Bahreinit, nga Princi trashëgimtar, nga tre djemtë e tjerë të sovranit dhe një nip. Mbërritja në “Bazën Ajrore Sakhir” pritet në orën 16.45 me orën lokale (14.45 në Evropë). Pas pritjes zyrtare dhe vizitës së kortezisë tek mbreti Hamad bin Isa bin Salman Al Khalifa, ceremonia e mirëseardhjes, në oborrin e "Sakhir Royal Palace", rezidenca mbretërore, që ngrihet në një rajon të shkretuar, pranë qarkut automobilistik të garave, ku që nga viti 2014, zhvillohet Formula 1 dhe gara të tjera. Ngjarja e ditës së parë të Françeskut në Bahrein është takimi me autoritetet, me shoqërinë civile dhe me Trupin diplomatik. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në këtë vend, urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, deri më 6 nëntor.