Kërko

Pope Francis leads Angelus prayer at the Vatican Pope Francis leads Angelus prayer at the Vatican

Papa në Engjëllin e Tënzot “Zoti do të vijë”. Ky është themeli i shpresës sonë

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke komentuar fragmentin e Ungjillit sipas Mateut (Mt 24,42), Papa u ndalua te premtimi i madh që i prin Kohës së Ardhjes: “Zoti do të vijë!”. Por edhe te porosia: “Ekziston rreziku që të mos e vërejmë ardhjen e Tij dhe të jemi të papërgatitur për vizitën. Duhet të jemi zgjuar, prandaj, të vëmendshëm, vigjilentë

R.SH. - Vatikan

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke komentuar fragmentin e Ungjillit sipas Mateut (Mt 24,42), Papa u ndalua te premtimi i madh që i prin  Kohës së Ardhjes: “Zoti do të vijë!”. Por edhe te porosia: “Ekziston rreziku që të mos e vërejmë ardhjen e Tij dhe të jemi të papërgatitur për vizitën. Duhet të jemi zgjuar, prandaj, të vëmendshëm, vigjilentë”

Zoti do të vijë. Ky është themeli i shpresës sonë

E nisi me një premtim të bukur, shkëputur nga Ungjilli i liturgjisë së sotme (Mt 24,42) Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, nga dritarja e Pallatit Apostolik mbi Sheshin e Shën Pjetrit, ku tashmë ndjehet fort afrimi i Festës së Madhe të dimrit! Është lartuar Bredhi prej 26 metrash. Ndërsa Shpella e Betlehemit për Krishlindjen 2022 do të vijë nga Sutrio in Carnia (Udine), më 3 dhjetor. E sa të vijë, do të vendoset sakaq në zemër të Sheshit, me 18 shtatoret, që do të zënë një sipërfaqe prej 116 metrash katrore e do të ndriçohen me 50 pika dritash. Ndërsa përurimi i Pemës dhe i Betlehemit, do të bëhet pasditen e së shtunës, 3 dhjetor.  Ndërkaq Papa flet për Premtimin e madh, në këtë kohë premtimesh:

“Zoti juaj do të vijë” (Mt 24,42). Ky është themeli i shpresës sonë, është ajo që na mbështet edhe në çastet më të vështira dhe më të dhimbshme të jetës: Zoti vjen. Mos ta harrojmë kurrë këtë! Zoti vjen gjithmonë, na viziton, afrohet dhe do të kthehet në fund të kohës për të na mirëpritur në përqafimin e tij”.

Dy përgjigje, për dy pyetje, në themel të jetës

Para kësaj fjale - kujtoi në vijim Papa - nuk mund të mos e pyesim veten: e si vjen Zoti? E edhe si ta njohim e ta mirëpresim Atë?

 Le të ndalemi shkurtimisht në këto dy pyetje - vijoi - Pyetja e parë: si vjen Zoti? Shumë herë kemi dëgjuar se Zoti është i pranishëm në udhëtimin tonë, se ai na shoqëron, na flet. Por ndoshta, të shpërqendruar nga kaq shumë gjëra, kjo e vërtetë për ne mbetet vetëm teorike; ose le të imagjinojmë se Zoti vjen në një mënyrë të habitshme, ndoshta nëpërmjet ndonjë shenje të jashtëzakonshme. Në vend të kësaj Jezusi thotë se do të ndodhë "si në ditët e Noehut" (krh. v. 37). Po çfarë ndodhte në kohën e Noehut? Thjesht gjëra normale dhe të përditshme të jetës: “njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e merrnin burra (v. 38)” - citoi Papa - duke i dhënë më pas përgjigje pyetjes tejet të rëndësishme: kur e si vjen Zoti në jetën tonë?  

“Ta kemi parasysh këtë: Zoti fshihet në situatat më të zakonshme, më të rëndomta të jetës sonë. Nuk vjen në ngjarje të jashtëzakonshme, por në gjërat e përditshme. Është aty, në punën tonë të përditshme, në një takim të rastit, përballë një njeriu në nevojë, edhe kur përballojmë ditë, që duken monotone, ngjyrë hiri! Zoti është pikërisht aty, na thërret, na flet dhe na i frymëzon veprimet tona”.

Po si ta njohim dhe ta mirëpresim Zotin?

Ati i Shenjtë e vijoi lutjen me një pyetje të dytë: “Si ta njohim dhe ta mirëpresim Zotin?”:

“Duhet të jemi zgjuar - shpjegoi - të vëmendshëm, vigjilentë. Jezusi na paralajmëron: ekziston rreziku që të mos e vërejmë ardhjen e Tij dhe të jemi të papërgatitur për vizitën e Tij”.

 E kam kujtuar edhe herë të tjera - vijoi - atë që ka thënë Shën Agustini: “Kam frikë nga Zoti, që kalon” (Serm. 88,14.13), domethënë kam frikë se Ai kalon, e unë nuk e njoh! Për njerëzit e kohës së Noehit, Jezusi thotë se hëngrën dhe pinë dhe nuk dinin gjë prej gjëje, kur ia behu përmbytja dhe i fshiu të gjithë" (v. 39). Le t'i kushtojmë vëmendje kësaj “ata nuk vunë re asgjë!” - kujtoi Papa  - Ishin të zënë me gjërat e tyre dhe nuk e kuptuan se përmbytja do të vinte. Jezusi thotë se, kur të vijë, "dy burra do të jenë në arë: njëri do të merret dhe tjetri do të lihet" (v. 40). Ç’kuptim ka ky paralajmërim? Cili është dallimi? Thjesht se dikush qe vigjilent, i aftë për të perceptuar praninë e Zotit në jetën e përditshme; tjetri, i çkujdesur,  interesohej vetëm për të përditshmen, ndaj nuk e vuri re aspak atë gjëmë, që përgatitej!

Nga koha e Noehit, në kohët tona, ftesa për t’u zgjuar nga gjumi!

Në këtë stinë të Ardhjes – ftoi në vijim Papa - të shkundemi nga dremitja, të zgjohemi nga gjumi! E të përpiqemi të pyesim veten: a jam i vetëdijshëm për atë që po përjetoj, a jam i vëmendshëm, a jam zgjuar? A përpiqem të njoh praninë e Zotit në situatat e përditshme, apo jam i hutuar dhe i trazuar nga telashet, që s’të lënë të qetë? Të pyesim, pra, veten, e edhe të përgjigjemi:

“Nëse nuk e vërejmë ardhjen e Tij sot, do të jemi të papërgatitur edhe kur  të vijë në fund të kohës. Prandaj, le të jemi vigjilentë!”

Kjo, porosia e Françeskut në Engjëllin e sotëm të Tënzot, që përfundoi, si zakonisht, me një lutje, drejtuar Zojës së Bekuar:

 “Na ndihmoftë Virgjëra Shenjte, Gruaja e pritjes, e cila diti ta ndjejë kalimin e Zotit në jetën e përulur e të fshehur të Nazaretit dhe e mirëpriti Atë në kraharorin e saj”.

27 nëntor 2022, 13:35

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >